LAJMI I FUNDIT:

Vdekjen e Astrit Deharit do ta hetojnë ekspertë zviceranë

Vdekjen e Astrit Deharit do ta hetojnë ekspertë zviceranë

Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore e pjesës franceze në Zvicër është angazhuar nga familja e të ndjerit Astrit Dehari për hetime dhe ekspertiza të pavarura për vdekjen e tij.

Kështu kanë bërë të ditur në një konferencë për media, prindërit e të ndjerit Dehari dhe avokati i familjes Tomë Gashi.

Astrit Dehari, aktivistit i Lëvizjes Vetëvendosje ka vdekur në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor të vitit të kaluar.

Sipas një raporti të autopsisë që është bërë publik nga autoritetet vendore, “Dehari ka bërë vetëvrasje dhe vdekja e tij është shkaktuar nga pengesat në organet e frymëmarrjes”.

Por, me raportin asnjëherë nuk janë pajtuar familja e të ndjerit, njëkohësisht as Lëvizja Vetëvendosje, të cilët e kanë vlerësuar raportin “të pabesueshëm”.

Babai i të ndjerit, Avni Dehari ka treguar se për të hetuar mënyrën e vdekjes se Astrit, kanë angazhuar ekspertë dhe hetues të pavarur ndërkombëtarë.

“Kemi kontraktuar më zyrtarë të disa Qendrave Universitare të MjekësisëLigjore në Bern, Cyrih dhe Gjenevë. Dhe në fund jemi përcaktuar që t’i angazhojmë ekspertët dhe hetuesit ndërkombëtar të Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore të pjesës franceze në Zvicër”, ka thënë Dehari.

Për këtë çështje në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë ku thuhet se “rasti i vdekjes së Astrit Deharit duhet të zbardhet në mënyrë të drejtë dhe transparente”, dhe “nëse familja kërkon hetim të vdekjes së Astrit Deharit jashtë vendit, atëherë Qeveria e Kosovës duhet t’ia mundësojë këtë duke hequr edhe shpenzimet”.

Tomë Gashi, avokat i familjes Dehari, vazhdimisht ka ngritur dyshime rreth vdekjes së Astritit, dhe ka kërkuar ekspertizë gjithëpërfshirëse, pasi sipas tij, Dehari është vrarë dhe jo vetëvrarë.

Angazhimi i ekspertëve nga Bashkimi Evropian, thotë Gashi nuk do të mund të ndikohet nga ndonjë institucion në Kosovë.

“Ata kanë pranuar që të angazhojnë ekspertë më të mirë të këtij instituti dhe që ata do të merren më hetim të pavarur që nënkupton edhe ekspertiza përkatëse që ata i kërkojnë”.

“Dhe do të jenë të pandikuara nga Qeveria, të pandikuara nga Prokuroria Themelore në Prizrenit, të pandikuara nga Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren dhe të pandikuara nga askush”.

Nëna e Astrit Deharit, Xhemilja, ka thënë se prokurori Sylë Hoxha u shpërblye për vrasjen e djalit të saj.

Ajo ka thënë se duan hetim të pavarur për këtë cështje, që të zbardhet vdekja e Astritit, por edhe të merret vesh për atë që i ndodhi Arbnor Deharit, djalit tjetër, që vdiq rreth tre vjet më parë, transmeton Klan Kosova.

“Sylë Hoxha u shpërblye për vrasjen e Astritit. Nga Prizreni ka ardhur në Prishtinë”.

“A vdiq Astriti? A u vra? A u vetëvra? Ata që u morën me të e dinë më mirë. Ne si prindër kërkojmë hetim të pavarur për këtë cështje. Djemtë tanë u vranë. Ende nuk kemi sqarim si vdiq Arbnori, e u bënë tre vjet që atëherë”, tha ajo.

“Nuk i kemi besuar hetimit të shtetit, pikë së pari pas rastit të Arbnorit. Pikë së dyti për arsye të deklaratave kontradiktore për rastin e Astritit. Nuk kanë pasur të drejtë të na i vrasin djemtë – shokët tonë, me të cilit kemi bashkëpunuar me bashkëshortin për 20 vjet”, tha Xhemile Dehari.

Me këtë rast, Tomë Gashi, avokat, ka thënë se hetuesit nga Zvicra do të hetojnë në mënyrë të pavarur rastin e Astrit dhe do të jenë të pandikuar nga Qeveria apo kushdo tjetër.

Astrit Dehari ndërroi jetë më 5 nëntor të vitit që lamë pas, në Qendrën e Mbajtjes në Prizren, në rrethana ende të pa sqaruara. /Telegrafi/