LAJMI I FUNDIT:

Varfëria, më e theksuar në zonat rurale

Varfëria, më e theksuar në zonat rurale

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjegjësisht Departamenti i Statistikave Sociale së bashku me Bankën Botërore, ka bërë publikimin e rezultateve të varfërisë në konsum në Republikën e Kosovës për vitin 2010.

Sipas rezultateve të dala, trendët e varfërisë në Republikën e Kosovës kanë rënie, po të krahasojmë me vitet paraprake.
“Në vitin 2010 në Kosovë rreth 29.2 për qind e popullsisë jeton në varfëri të plotë me 1.55 euro në ditë për një person të rritur, dhe 8.2 për qind e popullatës jeton në varfëri të skajshme me 1.02 euro në ditë”, ka njoftuar ASK-ja.

Varfëria në zonat rurale dhe urbane janë pothuajse të barabarta, varfëria e plotë në zonat rurale është 30.7 për qind ndërsa në zonat urbane 26.7 për qind, ndërsa varfëria ekstreme në zonat urbane është 7.8 për qind ndërsa në zonat rurale është 8.5 për qind.


Niveli i varfërisë është i ndërlidhur me moshën e popullsisë, nivelin e edukimit të përfunduar të personave, statusin e punësimit, ndihmat sociale, pensionet dhe parat e dërguara nga jashtë.

Konsumi në këtë raport është përdorur si masë e mirëqenies apo pasurisë individuale. Konsumi i ekonomisë familjare llogaritet si vlera e tërësishme e shpenzimeve të ekonomisë familjare në gjëra ushqimore dhe jo-ushqimore siç jepet në Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF), përfshirë vlerësimin e çfarëdo ushqimi të prodhuar në shtëpi dhe që është konsumuar nga familja. /Telegrafi/