LAJMI I FUNDIT:

Vaji i palmës kërcënon falimentimin e fermerëve vendorë

Vaji i palmës kërcënon falimentimin e fermerëve vendorë

Përdorimi i vajit të palmës si dhe prezenca e produkteve të qumështit me yndyrë bimore ka rrezikuar në masë të madhe industrinë e qumështit. Madje për shkak të prezencës së këtyre produkteve shumë ferma në vend rrezikojnë të mbyllen.

Kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, Ramadan Memaj ka thënë se nga analizat që i kanë bërë si shoqatë kanë vërejtur se vaji i palmës është duke e dëmtuar shumë industrinë e qumështit vendorë.


“Nga të dhënat që Doganat e Kosovës kanë siguruar kohë pas kohe, shihet se kemi një import të produkteve të cilat kanë përmbajtje të yndyrave bimore kryesisht nga yndyra ose vaji i palmës në vlerat prej rreth 4 milionë kilogram vjetore si dhe rreth 2 milionë kilogram vaj ose yndyrë palme. E shprehur në produkt final kjo është afërsisht rreth 13 – 15 milionë kilogram produkt final, kurse në litra të qumështit kjo sasi kap vlerat e së paku 60 milionë litrave  qumësht vjetore”, tha ai, duke shtuar se kjo sasi rezulton të jetë së paku sa 100% e prodhimit vendor të qumështit që prodhohet në Kosovë .

Memaj ka thënë se si pasojë e vajit të palmës dhe produkteve të qumështit me vaj bimorë, industria e qumështit është në krizë dhe  shumë ferma janë mbyllur.

“Industria e qumështit në Kosovë rrezikon të ballafaqohet me pasoja tepër të mëdha  njësoj sikurse Bullgaria apo Maqedonia për shkak të mos aplikimit të masave mbrojtëse , ku ka pasur dëmtim të jashtëzakonshëm te fermave për shkak të përdorimit të madh të yndyrave bimore . Duhet theksuar se importet më të mëdha të produkteve me yndyra bimore në vendin tonë fillimisht janë bërë nga këto vende dhe njësoj vazhdojnë edhe sot”, ka bërë të ditur Memaj.

Por sipas tij, duhen hapa konkret mbrojtës për shpëtimin e industrisë së qumështit vendorë.

“Në mënyre që Industria e Qumështit në Kosove të shpëtoj nga degradimi dhe shkatërrimi total duhet që urgjentisht të aplikohen masa mbrojtëse për produktet vendore të qumështit. Vendet në regjion për dallim nga vendi ynë aplikojnë edhe masa preventive sikurse Serbia, e cila deri më 1 janar 2017 ka aplikuar taksë në import, në vlerë prej 10 deri në 30 centë, për qumësht dhe produkte të qumështit”, ka thënë Memaj.

Ndërkaq, fermeri Nazmi Berisha nga Rogova e Hasit në Komunën e Gjakovës  ka thënë se si blegtor e kanë të vështirë mbijetesën për shkak të konkurrencës që u bëjnë produktet me vaj bimorë.

Sipas tij, nëse nuk ndërmerren masa nga institucionet përgatese ata do të detyrohen që të ndërprerjen e veprimtarinë.

“Kam prodhim ditorë prej 600 litrave të qumështit dhe kam pikë grumbulluese por çmimi i qumështit është tepër i lirë vetëm 28 centë për litër, neve si fermerë ky çmim na vë në vështirësi të ekzistimin. Edhe pse  marrë subvencione dhe çdo herë qumështin e kam ekstra klasë dhe subvencionohem me 6 centë për litër e kam të vështirë vazhdimin e kësaj veprimtarie”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, nëse nuk ndërmerren masa atëherë industria e qumështit dhe fermerët do të  përballën me vështirësi të mëdha. /Telegrafi/