LAJMI I FUNDIT:

Ushtrojeni trurin: Tri arsye pse duhet të lexoni më shumë

Ushtrojeni trurin: Tri arsye pse duhet të lexoni më shumë

Leximi mund të jetë hobi më i mirë në tërë universin. Leximi jua heq mendjen nga çmenduritë e përditshme, ju relakson dhe e përmirëson shëndetin e përgjithshëm mendor. Gjithashtu, një libër asnjëherë nuk mbetet pa bateri, prandaj mund ta shijoni leximin kudo që jeni.

Është fakt i njohur se leximi sjell shumë përfitime, e nuk shërben vetëm si metodë për të humbur kohën e lirë. Leximi është edhe mënyrë efektive për ta ushtruar trurin në mënyrë që t’i zvogëloni mundësitë për të zhvilluar sëmundjet mendore si demenca apo sëmundjet tjera pasi t’i mbushni 60 vjet, transmeton Telegrafi.

Më poshtë, Telegrafi jua sjellë tri arsye se përse është absolutisht esenciale për trurin që të lexoni më shumë:

Leximi e mban trurin të shkathtë
Një numër i madh i hulumtimeve sugjerojnë se aktivitetet të cilat janë stimuluese për trurin – si leximi – janë mënyrë efektive për ta përmirësuar shëndetin mendor tek individët e moshës së mesme.

Një studim i fundit i publikuar në ‘Neurology Journal’ ka zbuluar se një shprehi e fortë e leximit e zvogëlon dukshëm rrezikun për të pasur probleme me memorie.

Këto rezultate sugjerojnë se leximi është mjet i fuqishëm për ta mbajtur trurin të zënë dhe të mprehtë.

Leximi e përmirëson përqendrimin dhe e lehtëson stresin
Stili modern i jetesës është tejet i mbushur me presion për shumicën e jetës. Edhe kur njerëzit largohen nga zyra, ditëve të sotme njerëzit shumicën e kohës e kalojnë të ‘ngjitur’ në ekranet elektronike, duke lexuar e-maile, statuse, duke shikuar fotografi apo video në YouTube.

Për trurin, kjo ka vetëm një kuptim: punë, punë, punë. Nëse mendja e një personi është vazhdimisht e angazhuar në shpërqendrime të tilla, atëherë për trurin bëhet proces i vështirë pushimi. Prandaj, trurit i duhet një mjet i mirë për t’u relaksuar, transmeton Telegrafi.

Leximi është mjeti i duhur për ta relaksuar trurin, sepse është tejet efektiv në zvogëlimin e stresit. Në fakt, shkenca pohon se leximi mund ta zvogëlojë stresin deri në 68 për qind.

Nuk besoni? Provojeni vet! Filloni ta lexoni një libër për 20 minuta në ditë dhe shumë shpejt do t’i vëreni efektet.

Leximi ju ndihmon të flini më mirë
Shumica e njerëzve preferojnë të lexojnë nga celularët e mençur para se të flenë. Kjo nuk është ide e mirë, sepse pajisjet elektronike kanë ndikim negativ në kualitetin e gjumit.

Sipas Anne-Marie Chang, shkencëtare e gjumit, ritmi cirkadik pengohet nga pajisjet elektronike, e kjo do të thotë se leximi në tablet apo celular të mençur jua dobëson kualitetin e gjumit dhe bën të ndjeheni më të lodhur në mëngjes, pavarësisht sa orë i keni bërë gjumë. /Telegrafi/