0Shares

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar veteranët e luftës, me rastin e Ditës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e vlerësuar këtë ditë ndër datat më të rëndësishme të historisë së rezistencës së popullit tonë për liri dhe çlirim, që sot shënohet në tërë Kosovën.

Në urimin e kryeministrit thuhet se “kjo datë vjen nga kalendari i 30 dhjetorit 1991, kur Komandanti legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij me rezistencë të armatosur iu kundërvunë forcave serbe ushtarake dhe policore, duke treguar se ky vend ka dalëzotës të panënshtruar”.

“Me kalimin e kohës, nisma e kësaj rezistence u shndërrua në luftë të të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sintetizoi vullnetin kombëtar, politik dhe çlirimtar të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Sot, kur shënohet Dita e Veteranëve të UÇK-së, Kosova është shtet i lirë, i pavarur, sovran dhe ka hyrë me plot suksese në fazën e pas-mbikëqyrjes ndërkombëtare”, thuhet në telegramin e urimit të kryeministrit Thaçi.

Më tej në telegram thuhet se “mbrojtja institucionale e të gjitha kategorive shoqërore që kanë kontribuuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovë është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

“Prandaj në Qeverinë e Republikës së Kosovës është duke u punuar intensivisht që ligji për veteranët e UÇK-së të finalizohet sa më parë. Qeveria e Republikës së Kosovës, punon dhe angazhohet çdo ditë në përmbushjen e të gjitha parakushteve, që Kosova sa më parë të bëhet pjesë e të gjitha institucioneve euroatlantike”, thuhet në telegramin e urimit të kryeministrit. /Telegrafi/

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)