0Shares

Në Universitetin e Tetovës u organizua aktiviteti vjetor kulturor ,,Ura me tri harqe”, që është një projekt i përbashkët i Universitetit të Tetovës, Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Arteve në Tiranë, njofton Telegrafi Maqedoni.

Sipas organizatorëve, ,,Ura me tri harqe” tanimë është kthyer në një sfidë për studentët e Fakultetit të Arteve të tre universiteteve shqiptare, në dëshmimin e talentit dhe shprehjes së vizionit të tyre mbi artin.

Por, gjithashtu është edhe një mundësi për shkëmbimin e ideve dhe ndërveprimin praktik, jo vetëm të studentëve, por edhe të pedagogëve dhe pse jo edhe të publikut.

Në hapjen solemne të aktiviteti kulutor ,,Ura me tri harqe”, të pranishëm ishin shumë personalitete të fushave të artit nga vendi, Kosova dhe Shqipëria, në mesin e të cilëve edhe Rektori i UT-së, Vullnet Ameti, Ambasadori i Shqipërisë në vendin tonë, ekselenca e tij, Fatos Reka, Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehabi, dekanë, senatorë, profesorë dhe studentë.

Organizimit të këtij projekti kulturor, fillimisht i parapriu një konferencë e përbashkët për mediat nga tre dekanët e Fakulteteve të Arteve.

Dekani i Fakultetit të Arteve i Universitetit të Tetovës, Miftar Memeti, tha se kjo ngjarje e lehtëson edhe tejkalimin e barrierave artistike brenda kombëtare.

,,Studentët e universiteteve tona vijnë me punimet më të mira të fushave të ndryshme artistike, përfshirë këtu: artin muzikor, artin skenik dhe artin figurativ, duke performuar së bashku në koncerte, shfaqje teatrale, paraqitje filmash dhe ekspozitë. Ky eveniment kulturor, duke i bashkuar të gjitha në një vend, e lehtëson edhe tejkalimin e barrierave artistike brenda kombëtare. Me dëshirë të papërmbajtur studentët të finalizojnë eksperimentin e veprave të tyre, të cilat na sjellin përjetime dhe histori të ndryshme nga vendet prej nga vijnë”, tha Memeti.

Dekani i Fakultetit të Arteve i Universitetit të Arteve në Tiranë, Isak Shehu, tha se ky aktivitet tanimë ka krijuar një traditë të mirë dhe plot 16 vite ka pasur bashkëpunime të ndërsjellta dhe të njëjtat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe do të jenë edhe më të frytshme.

,,Është kënaqësi që jam një nga iniciuesit e këtij projekti, projekt ky i nisur 16 vite më parë. Bashkëpunimi ynë ka qenë shumë i mirë në të gjitha fushat, përfshirë edhe shkëmbimin e studentëve ndërmjet tyre, ndër vite i kemi ruajtur kontaktet dhe sigurisht që ky projekt ka jetë të gjatë dhe do të jetë i frytshëm për çdo gjeneratë”, theksoi Shehu.

Kurse dekani i Fakultetit të Arteve i Universitetit të Prishtinës, Agim Selimi, deklaroi se ,,Ura me tri harqe” është një nga festivalet tepër i pëlqyer nga studentët e tri universiteteve tona.

”Ky festival ka një traditë e cila nuk duhet humbur. Në këto takime studentët kanë mundësi të ekspozojnë punimet e tyre, shfaqje, filma, por edhe shumë aktivitete të tjera. Është takimi më kuptimplotë dhe ky bashkëpunim duhet të rritet edhe më tepër në të ardhmen, me qëllim që përvojat dhe eksperiencat t’i ndajmë në të gjithë hapësirën shqiptare”, shtoi Selimi.

Ekspozitën e përshëndeti edhe Ambasadori i Shqipërisë, Fatos Reka, i cili projektin ,,Ura me tri harqe” e vlerësoi si një shembull tepër të mirë të bashkëpunimit mbarëkombëtar.

”Ura me tri harqe” vazhdon të funksionojë si ambasador i përkryer që përcjell një imazh krejt tjetër për fakultetet e arteve të tri universiteteve publike shqiptare, në spektrin kulturor, dhe njëherësh është një kontribut i vyer që e pasuron lëmin e mendimit artistik – estetik, duke u ofruar kështu krijuesve të rinj dhe artëdashësve një hapësirë të gjerë njohjeje e vlerësimi. /Telegrafi/

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)