LAJMI I FUNDIT:

UFO dhe marsianë, në shënimet e pabotuara të Churchillit: “A ka jetë atje përtej”?

UFO dhe marsianë, në shënimet e pabotuara të Churchillit: “A ka jetë atje përtej”?

Edhe në një kohë kur po përgatitej për betejën më të madhe të jetës së tij, duke udhëhequr Britaninë kundër Gjermanisë naziste, Winston Churchill kishte një gjë tjetër në mendje: jashtëtokësorët.

Në një ese të zbuluar kohët e fundit, dërguar botuesit të tij në 16 tetor 1939 – vetëm pak javë pasi Britania hyri në Luftën e Dytë Botërore dhe Churchilli u bë pjesë e kabinetit të luftës – ai po mendonte për gjasat që të ketë jetë në planete të tjerë.


Churchilli, që më pas do të bëhej kryeministër gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Dytë dhe sërish nga 1951 deri në 1955, ishte kaq shumë i magjepsur prej kësaj teme, saqë urdhëroi madje që një dëshmi e dyshuar e një objekti fluturues të paidentifikuar nga Forca Ajrore Mbretërore, të mbahej e fshehtë për 50 vite, me qëllim që të shmangte “panikun masiv”.

Në një ese me 11 faqe, të titulluar “A jemi vetëm në Univers?” Burri i shtetit shfaqte zotësi prej shkencëtari, sipas Mario Livios, një astrofizikan i cili ka lexuar draftin e rrallë dhe ka shkruajtur për të në një artikull të botuar në revistën “Nature”.

“Gjëja më e mrekullueshme është se ai e nisi këtë ese, kur Europa ishte në prag të luftës dhe këtu, ai merret me një pyetje e cila buron thjeshtë dhe vetëm nga kurioziteti”, thotë ai në një intervistë.

Churchilli fillimisht jep një definicion për atë që është jeta, më pas rendit detajet e domosdoshëm që jeta të ekzistojë dhe vazhdon të zgjerojë arsyetimin e tij për ekzistencën e jetës, në sisteme të tjerë diellorë, thotë Livio. “Ai mendon me të vërtetë këto gjëra”, thotë Livio, “dhe ndonëse nuk kishte gjithë njohurinë e nevojshme, ai mendon me logjikën e një shkencëtari”.

Interesi i Churchillit për shkencën buronte nga vitet e tij të hershëm si një oficer i ushtrisë, në Indinë e kontrolluar prej britanikëve, ku kishte rafte të tërë me libra, përfshirë dhe “Mbi origjinën e specieve”, të Darvinit.

Më pas ai u bë mik, të paktën për pak kohë, me shkrimtarin H. G. Uells, romani i të cilit “Lufta e botëve” mbi marsianët që pushtojnë Britaninë, ishte përshtatur nga Orson Uelles në një transmetim të famshëm radiofonik në vitin 1938 – një vit përpara se Churchilli të shkruante artikullin e tij.

Churchilli argumentonte se ishte e mundur që jeta jashtëtokësore të ekzistonte diku në univers. Kjo ishte disa vite përpara se Frank Drake, astronomi dhe astrofizikani amerikan të paraqiste, në vitin 1961, teorinë e tij mbi numrin e qytetërimeve komunikues në kozmos. “Eshtë mbresëlënëse që, Churchilli nuk ishte shkencëtar, e megjithatë shfaqte një interes të tillë në shkencë”, thotë Livio.

Dorëshkrimi i tij iu dorëzua Muzeut Kombëtar të Churchillit në Fulton, vendi ku Churchilli mbajti të famshmin fjalim mbi Perden e Hekurt, në vitet 1980, nga ~Uendy Reeves, bashkëshortja e botuesit të Churchillit, Emery Reeves. Ai ishte lënë për vite të tërë pa u vënë re, deri kur Timothy Riley, që u bë drejtor i muzeut vitin që kaloi, e gjeti krejt papritur. Pak kohë pas daljes së lajmit mbi këtë zbulim, dy kopje të tjera u gjetën në një tjetër arkivë britanike.

Ndonëse artikulli iu dërgua Reeves në vitin 1939, ai nuk u botua. Churchilli e kishte rishikuar disa herë në vitet pesëdhjetë.

Në artikullin e tij, Churchilli shkruante: “Nuk jam shumë i prirur të mendoj se dielli im është i vetmi me një familje planetësh”.

“Unë, së pari, nuk jam dhe aq i impresionuar nga suksesi që po kemi me qytetërimin tonë këtu, sa të mendoj që ne jemi e vetmja pikë në këtë univers shumë të madh, që përmban krijesa të cilat jetojnë dhe mendojnë”, shkruante ai, “apo që ne jemi lloji më i lartë i zhvillimit mendor dhe fizik, që është shfaqur ndonjëherë në hapësirë dhe kohë”.

Shumë i edukuar në shkenca, Churchilli kishte kuriozitet të pamatë për pothuaj gjithcka.

Ai shkruajti afro 30 milionë fjalë përgjatë jetës së tij, duke përfshirë fjalimet e kohës së luftës, një lkibret udhëtimi për në Afrikë, një libër mbi pikturat e vajit, një libër të gjatë me kujtime, dhe madje edhe një ese mbi një pushtim imagjinar të Rusisë kur ishte vetëm 15 vjec. Për të gjithë veprën e tij, ai fitoi Cmimin Nobel në Letërsi në vitin 1953.

Duke pasur një imagjinatë aktive me mendimin shkencor, Churchilli prodhuar disa ide “të krisura” – të cilat i quajti “Funnies” – që ai në fakt i përkrahu kur ishte kryeministër, për të mposhtur Gjermaninë naziste.

Ishte përshembull Operacioni Habakuku, një flotë imagjinare transportuesish të avionëve, e bërë nga tallash dhe akull, për të luftuar nëndetëset gjermane në mes të Atlantikut. Pastaj ishte Great Panjandrum, një rrotë me shtytje e mbushur me eksplozivë. Churchill shpiku edhe një “kostum sirenë” kadife të gjelbër, për t’u veshur me nxitim, gjatë sulmeve ajrore.

Ndërkohë që asnjë nga këto ide nuk u vu në zbatim (rrota gjigante “mori kot” në fazën e testimit), shkenca nuk ishte vetëm një hobi për Churchillin.

Ai ishte kryeministri i parë që punësoi një këshilltar shkencor. Frederick Lindemann, fizikant, u bë eksperti i Churchillit, dhe një herë e përshkroi kryeministrin si “shkencëtar, i cili kishte humbur vokacionin e tij”.

Churchill gjithashtu takohej rregullisht me shkencëtarë si Bernard Lovell, babai i radio astronomisë dhe teleskopit “Lovell”.

Churchilli ishte lider në një kulturë, e cila inkurajonte zhvillimin teknologjik.Churchilli ishte kaq shumë i dhënë pas shkencës, saqë një herë, kur ishte Kancelar i Thesarit në Britaninë e paraluftës, i ishte ankuar një mikut të tij, se i duhej të hartonte buxhetin, në vend që të lexonte një libër për fizikën kuantike.

Gjatë luftës së parë, kur ishte lord i marinës dhe më pas sekretar shteti për ajrin dhe luftën, Churchilli nxiti aviacionin ushtarak, luftën kimike dhe tanket. Gjatë luftës së dytë, ai mbështeti zhvillimin e radarëve, raketave dhe programit bërthamor të Britanisë.

Churchilli themeloi në vitin 1958, ekuivalentin britanik të Massachusetts Institute of Technology në Cambridge – Churchill College – i cili, qysh atëherë ka nxjerrë 32 fitues të Nobelit, transmeton bota.al.

Në periudhën mes luftërave, Churchilli shkroi disa artikuj shkencorë, duke përfshirë një me titull “Rrezet e Vdekjes” dhe një tjetër me titull “A ka njerëz në Hënë”? Në vitin 1924, ai botoi një tekst ku pyeste lexuesit “A do të bëjmë të gjithë vetëvrasje?”, në të cilin spekulonte se përparimet teknologjike mund të shpien në krijimin e një bombe të vogël, e cila ishte aq e fuqishme sa të shkatërronte gjithë qytetin.

Artikulli i zbuluar së fundmi mbi jetën jashtëtokësore u shkruajt mbase në të njëjtën frymë dhe mbase synohej të botohej si një artikull i shkencës popullore për një gazetë. /NYT-bota.al/

Në trend Botë

Më shumë
Dy vite më parë arritën marrëveshje për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë francez Rafale, gjashtë prej tyre ateruan në Zagreb të Kroacisë

Dy vite më parë arritën marrëveshje për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë francez Rafale, gjashtë prej tyre ateruan në Zagreb të Kroacisë

Kroacia
Macron: Evropa mund të vdesë, duhet të tregojmë që nuk jemi vasal i Shteteve të Bashkuara

Macron: Evropa mund të vdesë, duhet të tregojmë që nuk jemi vasal i Shteteve të Bashkuara

Evropa
Piloti ukrainas i MiG-29 rrëzon dronin spiun rus – pamje nga toka dhe kabina e fluturakes

Piloti ukrainas i MiG-29 rrëzon dronin spiun rus – pamje nga toka dhe kabina e fluturakes

Evropa
Ukrainasit përdorin për herë të parë raketat amerikane me rreze të gjatë

Ukrainasit përdorin për herë të parë raketat amerikane me rreze të gjatë

Evropa
Kush është serbi nga Prishtina që Beogradin mund t'ia merr Vuçiqit në zgjedhjet e 2 qershorit

Kush është serbi nga Prishtina që Beogradin mund t'ia merr Vuçiqit në zgjedhjet e 2 qershorit

Serbia
Pak para se të lansonte raketat mbi pozicionet e ukrainasve, sistemi raketor rus Buk-M1 shkatërrohet – goditet direkt

Pak para se të lansonte raketat mbi pozicionet e ukrainasve, sistemi raketor rus Buk-M1 shkatërrohet – goditet direkt

Evropa
Kalo në kategori