LAJMI I FUNDIT:

Turp për ju politikanë, drejtues intelektualë dhe shoqërorë të Kosovës!

Turp për ju politikanë, drejtues intelektualë dhe shoqërorë të Kosovës!

Josef Martinsen

Letër e hapur drejtuar ministrit Arban Abrashi dhe Qeverisë së Kosovës për rezultatet e mos kokëçarjes, padrejtësisë dhe mungesës së të drejtave të femrave.


Gjatë 17 vjetëve të kaluara, ministra të ndryshëm të Mirëqenies Sociale dhe Qeveria e Kosovës i kanë mbyllur sytë ndaj vuajtjeve të mëdha të qindra familjeve, pavarësisht njohurisë së ndikimit dhe pasojave të luftës që ato duhet të kenë duruar.

Heronjtë e luftës, që janë bërë politikanë shtetërorë, me ndikim përgjatë viteve, e kanë bërë të pamundurën që ata vetë të sigurohen pa i kushtuar vëmendje viktimave më të dobëta të luftës, pra viktimave femra.

Autori i mirënjohur hebre, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe dhe mbijetuesi i Holokaustit, Eliezer “Elie” Wiesel, i cili ndërroi jetë në korrik të këtij viti, ka thënë dikur se tiparet më të rrezikshme dhe frikshme janë moskokëçarja ndaj njerëzve tjerë dhe lakmia e tyre.

Pasi i mbijetoi Holokaustit, Elie Wiesel ia dedikoi mbetjen e jetës së tij që t’ia kujtojë botës për tmerret që njeriu është i aftë t’i kryejë dhe për faktin se çdo shoqëri, popull ose vend që është moskokëçarës ndaj vuajtjeve të tjerëve në mesin e tyre, nuk është aspak më i mirë se sa ata që i kryejnë këto krime. Kjo moskokëçarje do të bëjë që ata të kalben ose të konsumohen nga brenda, duke e shkatërruar kështu shoqërinë e tyre.

Ja ku jam që t’ju përkujtoj se populli i Kosovës ishte në prag të shpërnguljes nga vendi i tyre dhe se ishte në nevojë të thellë për ndihmë, dhe thirrja e tyre për ndihmë u dëgjua nga bota perëndimore. Që nga vera e vitit 1999, Kosova ka marrë miliarda euro ndihmë ekonomike nga BE-ja, SHBA-ja dhe KB-ja. Pavarësisht këtyre burimeve të mëdha, udhëheqësit politik dhe intelektualë nuk kanë qenë të gatshëm që t’i ndihmojnë më të dobëtit e të dobëtëve – viktimat femra të luftës që ishin të gatshme të përballen me pjesëtarët e Ushtrisë dhe Policisë armike, pa armë në duart e tyre dhe pa asnjë prej meshkujve që t’i mbrojë ato dhe që si pasojë u dhunuan seksualisht. Burrat ikën nëpër pyje ose nëpër male kur nënat, gratë, motrat dhe vajzat e tyre kishin nevojë për to më së shumti.

Turp për ju politikanë, drejtues intelektualë dhe shoqërorë të Kosovës!

Udhëheqësit politikë përgjatë 17 vjetëve e kanë pasur një qëllim në mendje, që të sigurohen se ata po marrin përfitime financiare etj. Ata me pafytyrësi e kanë vendosur vetën e tyre përmbi tjerët dhe nuk i kanë kushtuar fare vëmendje të dobëtëve në vendin e tyre.

Ku kanë qenë intelektualët, elita shoqërore e komunitetit gjatë gjithë kësaj kohe?

Fakte për viktimat femra të luftës.

Numri i përgjithshëm i grave të përdhunuara që është dokumentuar është si në vijim:

a. Janë 11,800 gra të dhunuara seksualisht të cilat janë regjistruara nga OJQ të ndryshme dhe OSBE-ja, që janë larguar nga Kosova pas luftës.

b. Pas luftës janë regjistruar nga mjekët dhe spitalet 423 gra të dhunuara seksualisht të cilat ende jetojnë në Kosovë.

c. Kanë vdekur 298 gra që nga paslufta për shkak të vështirësive ekonomike që i ka penguar nga të kërkuarit ndihmë mjekësorë, përveç gjërave tjera.

Në lidhje me pikën a: Këto gra të përdhunuara duket sikur e kanë kuptuar mirë mundësinë e mospranimit nga shoqëria e tyre, udhëheqësit politikë dhe shoqërorë kështu që nuk panë ndonjë alternativë tjetër përveç se ta lënë vendlindjen. Siç janë zhvilluar gjërat në Kosovë që nga vera e vitit 1999 për viktimat femra të luftës, ato që kanë vendosur të largohen duket se e kanë marrë vendimin e duhur. Nga sa jam informuar ato që kanë shkuar në vendet perëndimore kanë marrë trajtim dhe ndihmë për të ndërtuar një jetë të re në dinjitet, larg nga trajtimi degradues dhe turpërues që do ta merrnin nga udhëheqësit e tyre politik dhe shoqërorë dhe një jete në varfëri të plotë.

Në lidhje me pikën b: Grupi i grave të përdhunuara që janë regjistruar në mënyrë vullnetare përbëhet nga 423 persona, që jetojnë në Kosovë sot e kësaj dite, kanë qenë në një situatë dëshpërimisht të keqe si fizikisht dhe psikologjikisht, për ç’arsye edhe nuk kanë qenë në gjendje të udhëtojnë diku. Ato nuk kanë marrë pothuajse asgjë sa i përket ndihmës nga shoqëria dhe qeveria e tyre që duhet të ishin përgjegjës për mirëqenien e tyre dhe duhej të kishin siguruar mbështetje të përshtatshme fizike dhe psikologjike jo vetëm për to, por gjithashtu për fëmijët e tyre.

Në lidhje me pikën c: Në 17 vjetët e fundit ka pasur gra nga ky grup i viktimave të përdhunuara që kanë vdekur çdo muaj si pasojë e mungesës së mbështetjes ekonomike që do të mund t’i ndihmonte që të vizitoheshin të mjeku ose të merrnin mbështetje tjetër të nevojshme mendore dhe praktike. Të shpresojmë se qeveria do të ndërmerr një zgjidhje të përkohshme, në mënyrë që gratë që janë ende gjallë do ta kishin fatin e njëjtë si 298 viktimat femra të luftës që tashmë kanë ndërruar jetë.

Ekziston një nevojë urgjente për veprim të menjëhershëm!

Fakti që ku grup i qytetareve është injoruar nga qeveria për 17 vjet është vërtetë shokues, edhe pse mundësia për t’i ndihmuar ato ka ekzistuar përditë. Të drejtat e tyre njerëzore janë shkelur në mënyrën më të keqe të mundshme – me anë të dështimit të qeverisë së tyre për t’i ndihmuar viktimat femra të luftës. Zyrtarët i kanë shtuar torturë të panevojshme këtyre njerëzve duke e shtyrë në mënyrë të vazhdueshme trajtimin e çështjes së tyre dhe duket sikur nuk e kuptojnë dëmin që po ua shkaktojnë.

Edhe njëherë e nxis Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Qeverinë që menjëherë ta zbatojnë një zgjidhje të përkohshme prej 500 euro në muaj si pension të luftës për secilën nga këto 423 viktimat derisa Komisioni i caktuar të vendosë mbi fatin e tyre të ardhshëm. Duke qenë se mbledhja e parë e këtij Komisioni është caktuar për vitin e ardhshëm, është e qartë për mua se raportet dhe rezultatet e mundshme nga Komisioni nga i cili do të mund të përfitonte ky grup është në një të ardhme të largët. Me sa di unë, nuk është vendosur një afat kohor dhe qindra familje po vuajnë, ndërsa anëtarët e komisionit e kalojnë kohën e tyre në diskutime të pafundme. Po e theksoj fjalën ‘pafundme’ sepse kanë kaluar 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet dhe nuk është bërë asgjë përveç premtimeve për një zgjidhje në të ardhmen.

Kjo letër filloi dhe përfundoi duke ju kujtuar juve, ministër, dhe Qeverisë si dhe drejtuesve të shoqërisë me fjalët e Elie Wiesel se cilado shoqëri, popull ose vend që është indiferente ndaj vuajtjeve të tjerëve, me kalimin e kohës do ta shkaktojërënien e tij.