LAJMI I FUNDIT:

Trumpi dhe kazani që zien në Lindjen e Mesme

Trumpi dhe kazani që zien në Lindjen e Mesme

Një nga tiparet kryesore të tranzicionit presidencial në SHBA është është rishikimi tërësor i politikave, që synon të përcaktojë se cilat politika do të ruhen dhe vijojnë e cilat do të duhet të eliminohen apo ndryshojnë. Ndërsa, presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, lëviz drejt zyrës së re, ai duket i etur të bërë shumë ndryshime – disa prej të cilave janë më pozitive se sa të tjerat.

Disa nga politikat e SHBA-së duken të destinuara as të mos diskutohen fare. Fati i marrëveshjes tregtare mes 12 vendeve të njohur si Partneriteti Trans-Paqësor duket se sakaq është vulosur, me Trumpin që ka siguruar publikun se nuk do ta miratojë. Marrëveshja është përfunduar por nuk është ratifikuar nga Senati i SHBA-së.

Kjo është një gjë e gabuar për shkak se TPP do të mund të revolucionarizonte të drejtën e pronësisë intelektuale dhe të rriste transparencën në nivele të paprecedent, ndërkohë që ul barrierat tarifore dhe jotarifore. Por, Trumpi duket i vendosur dhe pa gjasa të ndryshojë kurs.

Në një fushë tjetër thelbësore politike, gjithsesi, ndryshimi nga administrata në ardhje e Trumpit mund të jetë i mirëpritur: Lindja e Mesme.

Përqasja në rritje në këtë rajon e ndjekur nga dy administratat e fundit, ajo e George W. Bushit dhe e Barack Obamas, ka bërë që SHBA të dështojë të ruajë ritmin me ndryshimet e ndodhura.

Administrata e Obamas, në veçanti, shpesh hezitoi të zgjerojë rolin e vet, duke parashikuar një kohë kur SHBA-ja nuk do të mund të përthithej në një rajon që, nëse perifrazojmë një shprehje të Winston Churchillit mbi Ballkanin, ka prodhuar më shumë histori nga sa mund të konsumojë. Gjithsesi, Obama e kuptoi vlerën e ruajtjes së një qëndrimi konsistent në Irak – diçka që kritikët e tij nuk arrijnë ta kuptojnë.

E vërteta është që qe Bushi, i cili pasi zhyti SHBA-në në luftë në Afganistan dhe Irak, më 2008 nënshkroi Marrëveshjen e Statusit të Forcës, e cila caktoi tri vite kohë për tërheqjen e trupave amerikane nga territori i Irakut. Dhe, politikanët e Irakut nuk ranë dakord për të shtyrë afatin sipas kushteve të pranueshme për popullin amerikan. Është e lehtë të imagjinohet se çfarë reagimi do të kishte në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, përfshirë edhe mes atyre që deshën t’i mbanin trupat amerikane në Irak po aq gjatë sa kanë qëndruar në Gjermani apo Japoni, në rast se administrata Obama do të kishte pranuar kërkesën irakiane që trupat amerikane të ishin subjekt i sistemit gjyqësor të Irakut.

E gjitha kjo e la Obaman me pak mundësi zgjedhjeje veç tërheqjes së trupave amerikane dhe të përgjegjësisë që shkaktoi kjo tërheqje. Me të vërtetë, që kur tërheqja përfundoi, luftërat në rajon thjeshtë sa janë përshkallëzuar, duke shtyrë drejt konfliktit një zonë gjithnjë e më të madhe.

Trumpi dhe skuadra e tij duhet të mendojnë me kujdes mbi atë që ndodhi në Lindjen e Mesme dhe se çfarë mund të bëhet për këtë gjë. Kjo do të kërkojë jo vetëm një hetim të thellë të sfidave të të gjithë rajonit, të tilla si radikalizmi suni, por edhe një vlerësim të kujdesshëm të politikave dypalëshe.

Le të fillojmë me çështjen e eksportimit të vazhdueshëm të radikalizmit suni nga Gadishulli Arabik, një problem kompleks që përfshin Arabinë Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit. Ndërsa grupimet ekstremiste tradicionalisht kanë marrë fonde nga Gadishulli, nuk është politikë e shëndoshë që thjeshtë të akuzosh sauditët për krijimin e gjithçkaje që është e keqe në Lindjen e Mesme, dhe t’i ndëshkosh ata. Ndonëse SHBA sot gëzon më shumë vetëmjaftueshmëri energjetike, falë naftës dhe gazit nga burimet argjilore, kjo nuk është njësoj e vërtetë për aleatët e saj në Evropë. A mundet të jetë në interes të Amerikës një qëndrim më i ashpër kundrejt Arabisë Saudite?

Nuk është gjithashtu e mençur që t’ia vësh fajin shiave – të cilët janë, në shumë drejtime, viktima – të masakrave të radikalizmit suni. Udhëheqësi i vijës së ashpër i Irakut, Nouri al-Maliki, i cili fitoi tri mandate si kryeministër, mund të mos ketë ndërvepruar në mënyrë të mjaftueshme me sunitë e vendit të vet, por kjo është vetëm një nga arsyet se pse radikalizmi suni vijon të jetë në Irak. Një tjetër arsye është se disa elementë të minorancës suni të Irakut kanë refuzuar të pranojnë statusin e tyre si sunitë e vetëm në Lindjen e Mesme Arabe që jetojnë nën një maxhorancë shia.

Pastaj kemi Sirinë, e cila tashmë është pika kryesore e dinamikale komplekse shoqërore dhe politike të rajonit. Lufta Civile atje nuk është thjeshtë çështje e një diktatori të pashpirt që po shtyp aspitatat e opozitës me mendje demokratike. Ajo është një konflikt me shumë palë, në të cilin, identifikimi i “djemve të mirë” është një punë aspak e lehtë.

Shteti Islamik (ISIS) është, natyrisht, armiku publik numër një dhe Trump sakaq e ka pranuar si të tillë. Por se si mund të eliminohet ISIS jo vetëm nga Mosuli, por edhe nga e gjithë bota, kjo është një çështje që kërkon një përqasje të menduar mirë, delikate dhe me nuanca. Skuadra e sigurisë kombëtare që po krijon Trumpi nuk duket se arrin ta kuptojë këtë gjë.

Për më tepër, mposhtja e ISIS është vetëm hapi i parë. Administrata e Trumpit do të duhet të përballet edhe me aktorët e jashtëm që janë përfshirë në Siri. Për më tepër, mposhtja e ISIS është vetëm hapi i parë. Administrata e Trumpit do të duhet të merret edhe me aktorët e jashtëm të përfshirë në Siri. Për shembull, ajo do të duhet të hartojë një politikë efikase kundrejt Turqisë, një anëtar i NATO-s me interesa të forta në Siri – interesa të cilat, me raste, janë në konflikt me interesat e Amerikës. Në një kohë kur demokracia në Turqi është në telashe dhe udhëheqësit e saj janë më pak të interesuar në Euro-Atlantizëm dhe më shumë të interesuar në ritheksimin e pretendimeve shumëshekullore në Lindjen e Mesme, SHBA do të duhet, edhe një herë të përdorë një përqasje taktike.

Pastaj kemi Iranin. A është anulimi i marrëveshjes mbi programin bërthamor të Iranit, argument që mbështetet nga një pjesë e mirë e administratës së re të SHBA-ve, në përputhje me nevojën për lehtësimin e krizës në Lindjen e Mesme? Irani mund të mos ofrojë mjaftueshëm në drejtim të zgjidhjes së problemeve; por, nëse SHBA e braktis atë, vendi mundet lehtësisht të përshkallëzojë trazirat në rajon.

Dhe sikur problemet të mos ishin sakaq të shumta, SHBA do të duhet gjithashtu të rimendojë politikën e vet ndaj Egjiptit, i cili, deri së fundmi, bënte shpesh kontribute të rëndësishme diplomatike në rajon. Një pjesë e madhe e sigurisë së Izraelit bazohet në faktin që Egjipti mbështet procesin e paqes me Palestinë. Sado i dobët mund të duket ky proces aktualisht, situata ka ende hapësirë për t’u përkeqësuar edhe më shumë.

Administrata e Trumpit shpesh ka theksuar planet e veta për të parë nga problemet e brendshme të vendit dhe vendosjes së Amerikës në prioritet në politikën e jashtme. Por Trump nuk do të jetë në gjendje të shmangë pasjen e një roli në Lindjen e Mesme. Shpresat janë që ky rol të jetë konstruktiv. /Project Syndicate/reporter.al/

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori