LAJMI I FUNDIT:

Trump llafazani

Trump llafazani

Këshilltarët dhe shtabi i tij dolën përpara dhe u munduan ta mbrojnë shefin e tyre: jo, me siguri që ai nuk kishte nxjerr sekrete në bisedë me ministrin e Jashtëm rus Lavrov. Dhe, paraqitja e gazetës Washington Post është e gabuar për faktin se tema në fjalë nuk ishte diskutuar.

Po tani?


Të gjithë u demaskuan si gënjeshtarë! Sepse, Donald Trumpi u deklarua vetë – e ku tjetër – përmes Twitterit dhe i konfirmoi në thelb kritikat: pikërisht përfaqësuesve të qeverisë ruse ai u ka përcjell informacione konfidenciale, të cilat qenë klasifikuar shprehimisht si jo të transmetueshme në drejtim të Rusisë. Kështu ai e vë në pikëpyetje bashkëpunimin shumëvjeçar të shërbimeve të fshehta.

Edhe kur Trumpi përpiqet të justifikohet me motive humanitare – atij i kishte interesuar shtimi i sigurisë në transportin ajror – i gjithë diskutimi e dëmton në mënyrë të konsiderueshme Presidentin e SHBA: nuk të del nga mendja dyshimi se ai bashkëpunon në mënyrë të fshehtë me Kremlinin, fillimisht në fushatën elektorale dhe tani në Shtëpinë e Bardhë.

Njëra nga pasojat do të jetë që Trumpi do ta ketë edhe më të vështirë që të gjejë një pasardhës për drejtorin e posapushuar të FBI-së, James Comey. Sepse miq dhe kundërshtarë e vështrojnë me mosbesim edhe më të madh këtë President. Dhe shefin e ri të FBI-së, të cilin Trumpi nuk e ka zgjedhur ende, duhet ta konfirmojë në post edhe Senati.

Një pasojë tjetër mund të ishte: aleatët e Amerikës do të tregohen të rezervuar me përcjelljen e informacioneve të shërbimeve të fshehta te Uashingtoni. Kush e di se çfarë mund të nxjerrë ky President akoma? Përcjellja e njohurive të shërbimeve të fshehta mund ta rrezikojë në mënyrë të konsiderueshme sigurinë e Amerikës. Dhe ngjall mosbesim te aleatët.

Edhe vetë në SHBA ndihet ndërkohë një skepticizëm në rritje: presidenti – një 70-vjeçar që sillet si fëmi; një burrë, që ka nën kontroll kaq pak, i cili paguan gjithmonë çmimin e snobizmit dhe të manisë për ta pëlqyer.

Një president që i përcjell informacione konfidenciale një qeverie kundërshtare – për të shitur mend, për t’u bërë i rëndësishëm, për të tërhequr vëmendjen. Një president që edhe mburret publikisht me këtë mënyrë veprimi duke ia marrë fytyrën shtabit të të gjithë bashkëpunëtorëve të tij.

Gabimet e Trumpit zgjojnë frikërat më të këqia te deputetët e Kongresit. Demokratët e konsiderojnë këtë President një rrezik sigurie. Republikanët kundërshtojnë me zë gjithnjë e më të ulët, por edhe pyesin: çfarë mund të bëjmë? Largimi i tij prej postit mund të zgjasë shumë. Për momentin e tanishëm, përfundimi do të ishte tepër i pasigurtë. Prandaj republikanët qëndrojnë të bllokuar në një paralizë shoku, hë për hë nuk bëjnë asgjë. Deri në skandalin tjetër. Shumë kohë deri atëherë nuk do të kalojë me këtë president.