LAJMI I FUNDIT:

Trump akuzon Iranin se nuk po i përmbahet marrëveshjes bërthamore

Trump akuzon Iranin se nuk po i përmbahet marrëveshjes bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka akuzuar Iranin se nuk po përmbush zotimet nga marrëveshja bërthamore, që u arrit me fuqitë botërore dhe ka thënë se SHBA shpejt do të përgjigjet për këtë gjë.

Në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, gjatë vizitës së kryeministrit italian, Paolo Gentiloni më 20 prill, Trump ka përsëritur kritikat e tij se marrëveshja bërthamore me Iranin, është marrëveshje e keqe.

“Irani është në mospërputhje me frymën e marrëveshjes”, tha Trump.

“Ne jemi duke analizuar me shumë kujdes dhe do të themi diçka për këtë gjë në një të ardhme jo të largët”, shtoi ai.

Komentet e Trumpit vijnë pas disa kritikave të bëra nga zyrtarë të lartë të administratës amerikane, për marrëveshjen e vitit 2015, e cila kërkon që Irani të kufizojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve nga vendet perëndimore.

Një ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha se marrëveshja ka dështuar që të arrijë qëllimin kryesor, atë të ndalimit që Irani të zhvillojë armë bërthamore. /Telegrafi/