LAJMI I FUNDIT:

Tri tregimet e një qyteti

Tri tregimet e një qyteti

Akropoli është pjesa më vjetër apo pjesa antike e Athinës, e ndërtuar në një kodër të lartë, rreth 100 metra në lartësi mbidetare. Nga kjo lartësi, Akropoli sot qëndron në mes të qytetit me rreth katër milionë banorë. Ndërtesat nuk janë të larta, por janë të bardha dhe duken sikur janë gdhendur në stoqet e një bore të madhe. Qyteti ka tri pamje dhe po aq tregime: 1. Tregimi për pjesën antike dhe mesjetare; 2. Tregimi për fillimin e luftës së pavarësisë ose tregimi për shqiptarët; 3. Tregimi për krijimin e Athinës si kryeqytet ose tregimi për nacionalizmin grek.

TREGIMI I PARË


Shumica e arkeologëve mendojnë se Athina është një qytet i vjetër së paku pesë mileniume. Por, Athina si polis (shtet-qytet) u bë e njohur në shekullin V para erës sonë, në kohën e sundimit të Perikliut (495-429). Gjatë kësaj kohe ekonomia shënoi një ngritje të lartë e cila rezultoi pozitivisht edhe në ngritjen e demokracisë dhe jetës kulturore. Qyteti në këtë kohë kishte rreth 140 mijë banorë, prej të cilëve 40 mijë ishin skllevër dhe po aq kishin statusin e të huajit.

Athina u bë e njohur sidomos për shkak të mënyrës së sundimit që u quajt demokraci, ose sundim i popullit. Një zhvillim të ngjashëm kulturor, ekonomik dhe politik që më vonë u njoh si qytetërimi antik grek, e përjetuan edhe qytete tjera, kryesisht bregdetare. Por, Athina ishte mbi të gjithat.

Një shikim rreth murit të Akropolit dëshmon për madhështinë dhe lavdinë e dikurshme të këtij shtet-qyteti. Në veriperëndim të mureve shihen themelet e Agorës, pjesës kryesore të qytetit antik. Agora shqip d.m.th. Tregu ose Pazari për të cilën gjë ka shërbyer, por njëkohësisht ka qenë vendi apo selia e qeverisjes, e gjykatave, e sheshit për debate publike, vendit për lutje religjioze etj. Thënë shkurt, Agora ka qenë pjesa kryesore e qytetit dhe vendi që ka luajtur rolin qendror në jetën kulturore, politike dhe ekonomike të Athinës. Gjërat që ndodhnin në këtë pjesë, më vonë do të bëheshin vendimtare në ndërtimin e asaj që sot quhet civilizim perëndimor.

Zëri i Sokratit, Platonit, Aristotelit dhe filozofëve tjerë që jehonte nëpër rrugët dhe sheshet e Agorës, do ta përbëjë pjesën themelore të filozofisë së sotme. Mbledhjet popullore, politike e edhe gjyqësore që e përcaktuan mënyrën e jetës së atëhershme, po ashtu do të ndikonin në mënyrë të thellë në jetën moderne të Evropës.

Në jug të mureve të Akropolit dhe në drejtim të detit ende ka mbetje të shumta, përfshirë edhe burgun ku mendohet se është mbajtur Sokrati derisa u dënua për mendimet e tij të cilat atë kohë u konsideruan korruptuese për rininë athinase. Nëse vazhdoni shikimin në drejtim të Lindjes, do ta shihni Odeonin e Herodotit dhe teatrin e Dionisit ku janë inskenuar dramat e Euripidit dhe një numri të madh të dramaturgëve të atëhershëm. Më tutje shihet rëndësia e religjionit, nëpërmjet tempullit madhështor të Zeusit. Një qytet me ekonomi, politikë dhe kulturë vibruese kishte nevojë edhe për sport. Për ta dëshmuar ekzistimin e kësaj nevoje, në verilindje ekziston stadium i Panathenaikut ku çdo katër vite mbaheshin lojëra sportive për nder të religjionit e që më vonë u emëruan si lojëra olimpike.

Mbi të gjitha, Partenoni i cili gjendet në Akropol e mban vulën e ndërtimit dhe simbolizon madhështinë e civilizimit grek. Partenoni ka qenë tempulli që i është kushtuar perëndeshës Athina. Kjo ndërtesë mahnitëse, aq sa ka mbetur, dëshmon gjenialitetin e arkitekturës, të inxhinierisë dhe të ndërtimtarisë.

Gjallëria politike dhe kulturore e Athinës nisi të ndryshonte kur qyteti ra në duar të romakëve në vitin 146 para erës sonë. Në fillim romakët treguan interesim të madh për kulturën greke. Madje, Hadriani, perandori romak, e ndërtoi një bibliotekë që mori emrin e tij dhe themelet e së cilës sot shihen në sheshin Monastiraki. Perandori tjetër, Jul Cezari, që kishte admirim për kulturën greke, e rindërtoi Agorën dhe një pjesë tjetër të qytetit të cilën e kishte shkatërruar gjenerali romak Sulla kur në vitin 88 p. e.s. e shtypi kryengritjen athinase.

Nga shekulli V i erës sonë, karakteri antik i Athinës filloi të pësonte ndryshime të mëdha. Pas këtij shekulli Roma po bëhej gjithnjë e më e krishterë dhe kjo nuk ishte gjë e mirë për Athinën. Roma, më vonë Bizanti, nuk e toleronte politeizmin grek dhe as arsyeshmërinë e shpjegimit të gjërave në baza që i kishin vënë Platoni, Sokrati e sidomos Aristoteli. Partenoni u konsiderua tempull pagan dhe u shndërrua në kishë. Lojërat olimpike morën fund, teatri mbeti bosh kurse filozofët, së bashku me sistemin e demokracisë, u harruan.

Në vitin 1458, para dyerve të Athinës u lajmërua një forcë e re, otomanët. Ata kishin ardhur edhe një herë më herët, në vitin 1397 kur e morën qytetin, por brenda pak viteve ishin larguar. Kësaj radhe otomanët kishin ardhur për të qëndruar më gjatë. Ushtrisë otomane i printe vet Sulltan Murati II, i cili e njihte historinë dhe thuhej se kishte rënë në dashuri me Athinën antike. Prandaj, para fillimit të sulmit, sulltani kishte nxjerrë firman (urdhër perandorak) që të dënoheshin me vdekje ushtarët që do ta plaçkitnin apo tentonin ta shkatërronin qytetin. Athina ra lehtë në duar të sulltanit dhe Akropoli u bë qendra administrative e rajonit. Partenoni u shndërrua në magazinë ushtarake për ruajtjen e armëve dhe sidomos barotit. Një xhami me një minare të gjatë u ndërtua në një kënd të Partenonit sa për të bërë me dije se vendi kishte ndryshuar sunduesin dhe se Partenoni më nuk ishte kishë.

Në vitin 1687, gjatë Luftërave të Moresë, Akropolin e rrethuan venedikasit. Nga gjuajtja e rëndë e topave të ushtrisë venedikase, të cilën e komandonte gjenerali Francesco Morosini, u godit Partenoni i cili u dëmtua seriozisht nga eksplodimi i barotit të magazinuar. Objekti u dëmtua edhe më shumë kur ushtarët venedikas filluan ta plaçkitnin Akropolin, kurse Partenonit, në plaçkitje e sipër, ia dëmtuan shtyllat kryesore. Otomanët u përzunë nga qyteti, por u kthyen sërish pas disa muajve. Megjithatë, Akropoli, në veçanti Partenoni dhe Nike, nuk u rindërtuan kurrë.

Në fillim të shekullit XIX, nga Akropoli u larguan shumë monumente që kishin mbetur të padëmtuara. Në këtë kohë britanikët kishin marrëdhënie të mira me Perandorinë Otomane dhe morën leje nga sulltani që një mori skulpturash t’i merrnin dhe t’i dërgonin në Londër për t’i ekspozuar në muzeun britanik, ku gjenden edhe sot.

TREGIMI I DYTË

Rrëzë shkëmbinjve të pjesës veriore të Akropolit, gjendet lagjja e shqiptarëve e cila quhet Plaka dhe konsiderohet si vendbanimi më i vjetër që ekziston sot në Athinë. Prandaj, në këtë tregim personazhi kryesor janë shqiptarët.

Ekspozimi i skulpturave dhe gravurave në Londër, por edhe botimi i një literature të shumtë për Greqinë antike që mori hov gjatë fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, krijoi një efekt të madh në Britani dhe në Evropë. Lindi një grup i intelektualëve të dashuruar në kulturën klasike greke dhe i cili mëtonte që kjo kulturë të ringjallej dhe të shërbente si bazë për atë evropiane. Grupi po bëhej gjithnjë e më i madh, kurse anëtarët filluan të quheshin helenofilë që shpërndanin dashuri dhe simpati për grekët, me porosi se duhej të çliroheshin nga otomanët dhe ta formonin shtetin e tyre e ku Athina do të ishte kryeqytet. Prandaj, në këtë kohë u shpeshtuan vizitat e tyre në Greqi. Helenofilët dhe udhëtarët tjerë, shumica e tyre britanikë – ku më i njohuri ndër ta ishte Lordi Byron – shkonin në Ballkan edhe për një arsye tjetër: për ta takuar Ali Pashën, Luanin e Janinës, i cili në Perëndim kishte marrë famë si udhëheqës i një shteti të rëndësishëm shqiptar.

Kontakti i helenofilëve me grekët ishte tejet dëshpërues. Në Athinë dhe gjetiu në Greqi gjërat në realitet ishin ndryshe nga ajo që qëndronin të perceptuara në kokat e helenofilëve. Kishte kaluar një kohë e gjatë dhe të paktë ishin ata që dinin ndonjë gjë për Aristotelin, Sokratin apo për dikën tjetër nga antika. Kultura antike helene kishte përjetuar shkëputje të gjatë dhe nuk kishte arritur në shekullin XIX. Religjioni (krishterimi) kishte luajtur rol të rëndësishëm dhe askush nuk e ndjente veten grek. Të gjithë ata që konsideroheshin grekë nga helenofilët, deklaroheshin të krishterë.

Udhëtarët britanikë, përfshirë priftin Thomas Smart Hughes, u befasuan kur në Athinë dhe në tërë Atikën hasnin në një popullatë që deklarohej shqiptare. Grekët modernë nuk kishin ndonjë ndjenjë për objektet e hershme dhe frymën e tyre antike e cila gjë i dëshpëroi edhe më shumë helenofilët. Hughes u dëshpërua aq shumë me grekët pasi që, sipas tij, ata edhe si të krishterë nuk ishin në rregull.

Ata që e kishin në dorë vendin dhe që e kontrollonin situatën dolën të ishin shqiptarët e jo grekët siç ishte përfytyruar në mendjet e helenofilëve. Situata e grekëve, sipas helenofilëve, ishte e rëndë dhe ata nuk ishin në gjendje që ta qeverisnin veten pasi që u mungonte përgatitja dhe interesimi për këtë gjë. Numri i helenofilëve që kërkonin intervenimin e Rusisë për të marrë në dorë qeverisjen e Greqisë, nisi shtohej. Madje, në mesin e tyre kishte edhe të atillë, siç ishte Douglas Dakin, që mendonin se Greqinë duhej ta merrnin shqiptarët.

Shqiptarët nuk do ta merrnin Greqinë, por do të luanin rol vendimtar në pavarësimin e saj. Deri në fillim të shekullit XIX, grekët, në krahasim me fqinjët e tyre verior (shqiptarët), bënin jetë relativisht të qetë në Perandorinë Otomane. Ata nuk bënin kryengritje si shqiptarët dhe nuk tregonin ndonjë entuziazëm për t’u pavarësuar. Pa marrë parasysh këtë fakt, ata do të pavarësoheshin pasi që vendimi për këtë punë ishte marrë në kryeqytetin britanik dhe atë francez. Britania e Madhe dhe Franca do ta shtynin procesin e krijimit të kombit dhe të shtetit grek me çdo kusht.

Kur dilni nga Plaka për të marrë drejtimin për Akropol, takoheni me shtatoren e Yannis Makriyannisit. Makriyannis është i veshur me kostumet e njëjta me ato të Lord Byronit që i kishte blerë në Prevezë dhe me të cilat shihet në pikturën e famshme të Thomas Phillipsit me titull: ‘Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian’ (Portreti i një fisniku në rrobat e shqiptarit). Makriyannis nuk i ka vetëm rrobat e shqiptarit, por edhe vetitë, sidomos shprehitë e luftës. Makriyannis ka luftuar nën komandën e trupave të Ali Pashës, edhe pse ai ia kishte vrarë babanë. Më vonë Makriyannis u bë gjeneral, por zanatin e luftës e mori nga shqiptarët si shumë grekë tjerë. Të mos flasim për heronjtë tjerë kryesor ‘grekë’, Marko Boçarin, Bubulinën, Andreas Vokosin…

Historiani i famshëm britanik, George Finley, i cili luftoi krah Byronit për pavarësimin e Greqisë, e ka sqaruar më së miri rolin e shqiptarëve në këtë luftë dhe jetën e tyre në Athinë dhe gjetiu në këtë vend. Vepra e tij voluminoze me titull ‘History of the Greek Revolution’ është dëshmi monumentale për këtë.

TREGIMI I TRETË

Rrëzë pjesës lindore të Akropolit shtrihet rruga ‘Dionysiou Areopaitou’ me shtëpitë e saja luksoze që krahasohen me ato te lagjeve elitare të kryeqyteteve evropiane. Rruga vazhdon në drejtim të verilindjes, për t’u lidhur me sheshin Syntagma ku gjendet Parlamenti grek dhe ndërtesat tjera qeveritare që vargohen në drejtim të sheshit Omonia. Kjo është pamja e shtetit grek që u ndërtua nga viti 1821 e deri në kohën e Kongresit të Berlinit më 1878, por edhe më vonë. Pamja është tentim për paraqitjen e fuqisë së një shteti njëkombësh duke e injoruar faktin se për të luftuan edhe pjesëtarë të etnive (kombeve) tjera. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë luftë është ende problematike për nacionalistët grek.

Adamantios Koraïs konsiderohet se ka qenë Dante Aligeri i Greqisë. Koraïs e definonte kombin sipas gjuhës dhe jo religjionit. ‘Gjuha është kombi’, theksonte Koraïs, i cili u përkrah edhe nga filologu tjetër grek Ioannis Psykharis. ‘Lufta për atdheun është luftë për gjuhën’, ka theksuar Psykharis. Kjo teori nuk shkonte me realitetin në Greqi, nëse e kemi parasysh angazhimin e shqiptarëve të cilët gjuhën amtare nuk e kishin greqishten dhe nga kjo del që shqiptarët nuk luftonin për Greqinë. Kjo teori ishte në dobi të krijimit të një shteti multietnik dhe si e tillë në kundërshtim të plotë me nacionalizmin grek. Ky fakt nuk kaloi pa u vërejtur nga Eric Hobsbawm, i cili theksoi se ‘luftëtarët më të spikatur nuk ishin helenët, por shqiptarët’. Me fjalë tjera, Hobsbawm, për shkak të shqiptarëve dhe qëndrimit nacionalist grek, e diskualifikoi teorinë e Koraïsit dhe Psykharisit pasi që ajo nuk vlente në rastin e luftës për themelimin e shtetit grek, por ishte më shumë në favor të një shteti multietnik i cili nuk do të krijohej.

Që nga viti 1821 e deri sot historianë të shumtë grekë janë munduar ta relativizojnë rëndësinë e kësaj çështjeje. Constantine Paparrigopoulos, historiani grek me influencë të madhe në Greqi, tërë jetën e kaloi duke e kundërshtuar veprën e Jacob Philip Fallmerayerit, i cili, sikur edhe Finley (deri diku), grekët modernë i quante shqiptarë ose sllavë të shqiptarizuar.

‘Ani çka nëse janë? Ne i konsiderojmë grekë të gjithë atë që e përqafojnë kulturën tonë.’, është përgjigjur më në fund Paparrigopoulos duke potencuar se, tekefundit, asnjë komb evropian nuk është aq i pastër. Prandaj, historianët e arsyeshëm grek i kanë dhënë përparësi kontinuitetit kulturor dhe jo atij etnik dhe religjioz për formimin e kombit grek. Sipas kësaj teorie, helenizmi grek ka ofruar hapësirë për luftë dhe për të ardhme të përbashkët edhe për etnitë tjera, siç janë shqiptarët, vllahët dhe sllavët.

Deri në Kongresin e Berlinit, kjo qasje deri diku ka qenë e arsyeshme. Por, më vonë grekët do të merrnin rrugën e krijimit të shtetit nacional (shtet njëkombësh) që nuk do ta njihte kontributin e jogrekëve dhe që do të bazohej kryesisht në fondamentin e religjionit ortodoks të krishterë. Prandaj, Greqia nisi të zbatonte një politikë agresive asimiluese në të cilën të krishterët, shqiptarë apo sllavë, do të hynin gjithsesi, kurse myslimanët dhe hebrenjtë të cilët asimilimin e kishin më të vështirë, do të eliminoheshin nëse nuk e lëshonin vendin.

Edhe në literaturën më të re historike, siç është ta zëmë një libër i ri me titull ‘Modern Greece’ i autorëve grekë, John Koliopoulos dhe Thanos Veremis, tenton që Greqinë, çuditërisht, ta paraqesë si një shtet modern njënacional ku ndjehen komod edhe ata me origjinë jogreke.

Në realitet, në Athinë sot nuk mund të gjendet ndonjë jogrek i cili do të deklarohej se ndjehet komod në Greqinë moderne. Kuptohet, nëse e mban veten për jogrek. Në këtë aspekt, Plaka ka mbetur si një varrezë e shqiptarizmës në Greqi, nëse ajo ka ekzistuar sipas perceptimeve tona të sotshme. Për grekët Plaka është përmendore e ‘suksesit’ të nacionalizmit të tyre që paraqet produktin e shtetit njëkombësh.

Në variantin më të mirë, Plaka është Partenoni i historisë moderne greke. Plakës, sikur edhe Partenonit, i janë shkatërruar shtyllat kryesore dhe i kanë mbetur vetëm disa anësore për të shërbyer si ilustrim i të kaluarës dhe si atraksion turistik i Athinës. Asgjë tjetër. /Telegrafi/