LAJMI I FUNDIT:

Tregjet në rrugë e trotuare

Tregjet në rrugë e trotuare

Në Mitrovicë, në Skenderaj, në Vushtrri, në Drenas e në Istog, përveç ditëve të tregut, shitësit ambulantë shfrytëzojnë trotuaret dhe hapësirat e tjera publike për t’i shitur mallrat e tyre, duke krijuar në këtë mënyrë minitregje në hapësira publike.

Përveçqë pengojnë lëvizjen e qytetarëve, shitësit rrezikojnë skajshmërish edhe shëndetin e qytetarëve, pasi që në rrugë ekspozohen edhe prodhime të mishit, madje edhe të qumështit


Trotuaret dhe hapësirat publike në Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri, si dhe në Drenas e Istog, përveç ditëve të tregut mbushen përplot me shitës ambulantë, por edhe me tregtarë të prodhimeve të ndryshme bujqësore, të cilët u ikin tregjeve, më shumë për shkak se në trotuare dhe në hapësira publike janë më afër konsumatorëve sesa për shkak të taksave që duhet të paguajnë kur shfrytëzojnë tregun. Përveç shitësve ambulantë të produkteve të imta, shkelës të ligjit janë edhe pronarë të dyqaneve tregtare ushqimore, të marketeve dhe të produkteve të tjera, të cilët hapësirat publike para dyqaneve të tyre i zënë me mallra, shkruan Zëri.

Më me rrezik për shëndetin e qytetarëve janë produktet ushqimore që ekspozohen në rrugë dhe jashtë objekteve të shitjes. Ekspozohen edhe prodhimet e mishit, qumështit dhe prodhimet e qumështit, gjithçka që është rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Ditëve të tregut zakonisht disa nga shitësit e mallrave të ndryshëm nuk hyjnë fare në treg, por prodhimet e tyre i vendosin para dyerve të tregjeve, praktikisht në rrugë. Një gjë e tillë ndodh zakonisht në Drenas, kur të enjteve, që është ditë tregu, shitësit të cilët nuk duan të hyjnë në treg e mbyllin krejtësisht rrugën me mallrat që i vendosin dhe në këtë mënyrë pengojnë edhe lëvizjen e automjeteve dhe të njerëzve. /Telegrafi/