LAJMI I FUNDIT:

Tragjedia e Kosovës, sipas kineastit Ekrem Kryeziu

Tragjedia e Kosovës, më e tmerrshmja pas Luftës së Dytë Botërore, ishte Ferr me të gjallët, më i llahtarshëm se Ferri i Dantes me të vdekurit. Një tragjedi unikale genocidiste millosheviçiane ndaj popullit shqiptar të Kosovës, pse deshte të jetonte i lirë në trojet e veta. Për krijuesit e të gjitha fushave ky realitet historik tragjik është një pasuri e florinjtë temash të jashtëzakonshme, të ndryshme e të larmishme, sa tronditëse e rrëqethëse, aq dhe të rëndësishme për të dëshmuar të vërtetën historike me gjuhën e artit dhe për t’i kumtuar Kosovës dhe njerëzimit mbarë, të sotmes dhe të ardhmes, se modele të tilla tiranësh dhe tiranishë duhen refuzuar me të gjitha mjetet, që të mos përsëriten sot a nesër të transfiguruar në çfarëdolloj forme e ngjyre.

Çdo krijues ka hapësira të pafundme të përzgjedh nga morie e temave, temën sipas pikëvështrimit dhe aftësive të tij. Kjo qasje bën që të krijohen vepra të shumëllojshme, të ndryshme e të larmishme, si në vizion dhe shestim, ashtu edhe në strukturim, çka tragjedia e madhe e Kosovës mund të jepet e plotë dhe e gjithanshme, brenda relativitetit të së vërtetës historike, me të gjitha gjinitë, llojet, format e nivelet artistike dhe estetike.


Kineasti i mirënjohur Ekrem Kryeziu me guxim rrëfen filmikisht tragjedinë e fundit çnjerëzore të vendlindjes së tij të larë me gjak. Vizioni për të realizuar një film të dimensioneve të mëdha, edhe realist, edhe natyralist, edhe klasik, edhe modern, buron nga dëshira dhe qëllimi për ta shprehur dramën dhe tragjedinë e popullit kosovar sa më fuqishëm e, bash për këtë, të aplikojë një arsenal mjetesh artistike dhe teknikash moderne filmike. Historinë e rrëfen si dëshmitar okular; si përjetues i realitetit të përgjakur: Kosova – kasaphanë. E rrëfen me racionalitet si skenarist, dhe me emocione si regjisor – në filmin “Kodi i jetës”. Vlerësoj kryesëpari vështrimin realist të ngjarjeve historike, konceptimin dhe formësimin e filmit siç e sheh ai si krijues dhe qytetar realitetin tragjik dhe integrimin e elementëve të filmit dokumentar me atë artistik.

Mendimi i skenaristit dhe regjisorit Kryeziu se tragjeditë e mëdha njerëzore përmbajnë ide të mëdha dhe universale, e ka orientuar që të zgjedh edhe mënyrën gjigande të krijimit të filmit për t’i shprehur sa më fuqishëm ato. Kjo qasje artistiko-filozofike gjallon brenda vetes krijuese, të cilën e shoh edhe te dy dramat e tij “Epoka para gjyqit” dhe tek “I biri i Rozafës”. Janë pikërisht idetë dhe mesazhet e mëdha që e udhëheqin autorin të shestojë e strukturojë veprën, si qytetar dhe krijues i shqetësuar për fatet e njeriut, të popullit, të jetës e përjetësisë në botën tiranike.

Te “Epoka…” akuzohet nëpërmjet personazheve – përfaqësues të popullit – një epokë e tërë historike për padrejtësitë ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Nëpërmjet protagonistëve kryesorë dhe tërë komponentëve të dramës transmetohen ide të mëdha politike dhe filozofike të mishëruara artistikisht që pësimet e historisë të bëhen mësime dhe mësimet e saj të bëhen realitet. Ndërsa, tek “I biri…” vlerësoj vështrimin alternativ dhe modern të legjendës së Rozafës, sipas Kryeziut.

Ndryshe nga autorët e tjerë që kanë marrë këtë temë dhe në veprat e tyre kanë vënë në qendër besën, siç kam shkruar më parë, autori vendos luftën për pushtet, egësinë e përbindshme të At Kerubinit i cili me duar të pista vret At Lazrin për t’i zënë vendin dhe akuzon të birin e Rozafës si vrasës. Autori nga legjenda për Gjergj Elez Alinë, Rozafën dhe Erëmalin, ngre nga varri Bogdanin, nga të gjallët aktivizon të moralshmin Arqipeshkëv Luçianin, Gjon Markun me Djalin – të cilët në emër të drejtësisë kërkojnë drejtësi, në emër të së vërtetës kërkojnë të vërtetën, në emër të jetës dhe vazhdimësisë së saj luftojnë për mbrojtjen e tyre, bashkë me popullin, si Zë i fuqishëm që i kundërvihet së keqes.

Edhe filmi “Kodi i jetës” përmban ide të mëdha dhe universale. Ato jepen nga pikëvështrime të ndryshme, ashtu siç e sheh autori realitetin historik dhe si e shndërron realitetin filmik. Kjo më nxit të debatoj në distancë për mënyrën e gjykimit të një vepre: roman, dramë, spektakël, film etj. Mbasi, akoma ekziston tradita e vjetër, anakronike e steriotipike, ku kritiku, esteti, specialisti a studiuesi, apo të tjerë që marrin pozën e dhaskalit e në mënyrë skolastike gjykojnë veprën ashtu siç e duan ata vetë dhe jo si e ka formësuar autori. Duke refuzuar këtë praktikë edhe empirike, edhe diabolike, miratoj qasjen krijuese të regjisorit Kryeziut. Nuk ka askush të drejtë t’i thotë regjisorit pse e ke bërë kështu apo ashtu; apo duhet bërë ashtu e kështu; madje s’ka të drejtë fare t’i thotë ta kishe bërë kështu apo ashtu.

Kjo nuk është kritikë. S’ka të bëjë me kritikën. E nënvizoj këtë, sepse dukuri të tilla janë shfaqur edhe në përurimin e parë të filmit “Kodi…” në Akademinë Marubi me specialistë të filmit, kritikë, historianë e shkrimtarë. Në atë përurim vlerësoj cilësinë e diskutimeve në tërësi – sidomos të regjisorit Çashku ku ndryshe nga praktikat e përurimeve në festivalet e filmit, por sidomos në përurimet e veprave në panairet e librit, që flitet në përgjithësi dhe me supërlativa si për vepra mediokre ashtu edhe për ato me vlera të larta – për filmin “Kodi i jetës” specialistët disktutuan pa poza, pa dorashka, duke evidentuar vlera e jovlera sipas mendimit të tyre. Vlerësuan në tërësi filmin i cili të jep emocione të forta e mesazhe të rëndësishme dhe kritikuan gjigantshmërinë e tij, përsëritjet dhe atmosferën e rëndë. Diskutimi qe i hapur dhe askush nuk vuri pikë: kështu si them unë. Kjo dëshmon pjekurinë e specialistit dhe kulturën profesionale të gjykimeve.

Sipas perceptimit, analizës dhe gjykimit tim, filmi të bën ta ndjesh dhe përjetosh tragjedinë, sa ta urresh me gjithë qenien tënde makinën ushtarake gjigande serbe për krimeve monstruoze dhe autorët e aktorët e këtij Ferri. Në të njëjtën kohë të bën të dashurosh ata që luftojnë me vdekjen në emër të jetës dhe ata që guxuan t’i kundërvihen së keqes – edhe pse simbolikisht, për shkaqe objektive. Nëse një vepër të bën të urresh ata që vrasin jetën dhe të dashurosh ata që e duan jetën e lirinë e luftojnë për të, padyshim ka vlera. Këtë e ndjenë dhe pohuan regjisori Saimir Kumbaro, aktori Timo Floko etj.

Filmi vërtet është tronditës, me atmosferë të rëndë, ashtu edhe me stilin e gjigantshmërisë, por kjo nuk mund të gjykohet skajshmërisht sipas qejfit. Është i lirë çdokush ta pëlqejë a mos ta pëlqejë filmin, por duhet të thotë pse-të e pëlqimit a të mospëlqimit, siç do të thoshte Konica. Edhe gjigantshmëria është e pranueshme, edhe atmosfera e rëndë, edhe skenat tronditëse e natyraliste… madje gjithçka që sheh autori si mjete artistike që mund të shprehin madhështinë e tragjedisë. Problemi është i padiskutueshëm në këtë kah. Ndërsa, mbetet i hapur në rrafshin e mjeshtërisë artistike: Si është realizuar filmi sipas Kryeziut.

Për të qenë më konkret dhe komunikues me shikuesit, do të paraqes telegrafisht një tablo të përgjithshme të filmit. Sapo hapet ekrani i madh ndjehet atmosfera e rëndë e luftës. Tronditëse e trishtueshme dhe rrëqethëse tragjedia, jepet me gjuhën e regjisorit, të kamerës, ngjarjeve, mjedisit të përgjakur, kontrasteve të ndryshme e të larmishme dhe të gjithçkaje që kërkon një tragjedi e përmasave të tilla. Në ekranin gjigant sheh vrasje, gjak, ulërima, klithma… Kufoma që tërhiqen zvarrë e hidhen si kafshë të therura mbi njëra- tjetrën. Përdhunime vajzash, nusesh, grash edhe përpara të afërme të tyre. Përpara fëmijëve, burrave, të fejuarish. Nëpër male djem e vajza kosovare të armatosur që i kundërvihen makinës kriminale serbe. Kontraste midis njerëzve-ujqër dhe viktimave të tyre që luftonin me vdekjen. Hanibalë millosheviçianë të cilët pas skenave të llahtarshme kthehen nëpër kabare, këndojnë e valëzojnë; pinë, dehen, bëhen tapë dhe bëjnë orgji; bërtasin e ulërinin për fitorezezat, ku me kosën e vdekjes kishin korrur jetë të pafajshme njerëzore dhe mburreshin me bëmat e gjëmat e tyre kriminale, e qeshin e gajaseshin sa u dukeshin dhëmbët prej vampiri.

Kontrastet janë të mëdha e të ndryshme që jepen në disa plane: pamje me të vrarë të mbuluar me gjak, grumbuj-grumbuj, kufoma nëpër fusha e kodra, njerëz të masakruar në male, shtigje malesh e përrenj; pamje me njerëz të gjallë të tromhaksur që nxirren me dhunë nga vatrat e tyre… e të tjera, e të tjera.

Këto pamje tragjike janë realizuar me art nga kamera, sipas skenarit dhe kërkesave regjisoriale. Me profesionalizëm flet kamera me gjuhën e saj; aplikohen të gjitha ngjyrat të cilat flasin me gjuhën e tyre metaforike e simbolike. Kur bishat e Millosheviçit sulen si të tërbuara mbi prenë e tyre në male, gryka, përrenj, shtëpia, kudo ku zhvillohen masakrat, gjithçka jepet me ngjyra të errëta, të zymta, të përgjakta, gri e të tymta sipas situatave e mjediseve. Ndërsa drita, shkëlqimi, ngjyrat e ndezura, jeshilja dhe bluja japin bukuritë e mrekullitë e natyrës, të tokës, maleve, krojeve e ujëvarave, të fushave e kodrave, për të cilat, ata, njerëzit- përbindësh, po shfarosnin kosovarët.

Pa hyrë në analizë të këtij komponenti të rëndësishëm, të cilën specialistët e filmit e bëjnë më me kompetencë, do të përqendrohem te struktura si ngrehinë artistike filmike. “Kodi i jetës”, siç e ceka më sipër, është shestuar dhe formësuar si film-epope, gjigand, i strukturuar në katër linja. E para është ajo e masakrave çnjerëzore gjenocidale dhe sadiste. E dyta paraqet luftën ekzistenciale të protagonistit të filmit për të shpëtuar veten dhe foshnjën me gruan. Ajo kishte mbetur fillikat mes pyjeve me kafshët e egra. Këtu edhe takohen. Ashtu si dhe protagonistit i kishin vrarë të afërmit, djegur shtëpinë e shkatërruar gjithçka. Në emër të jetës e të dashurisë dhe vazhdimësisë së saj, protagonisti bënë luftë të mbinatyrshme. Linja e tretë paraqet dëbimin me dhunë të kosovarëve nga shtëpitë dhe pronat e tyre. Karvanët e gjatë me gra e fëmijë, pleq e plaka, me forcë i hipin nëpër trena; të tjerë ikin me karroca, makina, më këmbë e si të mundin, ikin të llahtarisur pa ditur se ku do t’i gremisin… shfarosin… Linja e katërt, ajo e UÇK-së, simbolikisht zë vend të rëndësishëm e të veçantë si forcë e re kundër së keqes.

Siç shihet, autori ka patur qëllim të japë një tablo të përgjithshme shumëdimensionale, gjigante e tragjike të realitetit historik. Ky vizion e ka vetëorientuar ta konceptojë filmin si poemë dramatiko-tragjike dhe më pak si një poemë me subjekt. Linjat, ngjarjet, episodet, konfliktet jepen nëpërmjet rrëfimit artistik, ku kamera dhe aksioni zënë vendin e parë, ndërsa teksti dhe fjala atë të dytë e të tretë.

Në tërësi autori ka aplikuar klasiken, realisten dhe modernen në shprehjen figurative të realitetit, të cilat herë shfaqen veç e veç, herë së toku. Jo gjithnjë respektohet kronologjia e ngjarjeve dhe e linjave, jo gjithnjë e dyta vjen pas së parës. Gjithashtu, autori nuk ka qenë pedant në zbatimin strikt të rregullave që do të kërkonte një film artistik i gërshetuar me elemente të filmit dokumentar. Duke pranuar dhe respektuar vështrimin regjisorial të Kryeziut, brenda këtij koncepti do të mendoja që filmi mund të ishte më i suksesshëm, nëse fjala do të ishte më poetike duke patur parasysh modelin shekspirian dhe menaxhimi i tekstit të ruante raportet aksion-tekst-kamerë. Kjo do të bënte që të redaktoheshin edhe disa aksione masakrash që përsëriten në forma të ndryshme, të cilat i shoh të panevojshme, përkundrazi gjykoj se zbehin vlerat estetike.

Duke u rikthyer përsëri te vlerësimi i linjave si pjesë strukturore të filmit, sipas gjykimit tim, linja e Ferrit është realizuar me nivel të admirueshëm – si në rrafshin e përmbatjes ashtu edhe të formës artistike – ku pesha specifike e semantikës dhe mesazheve është e lartë, çka nga kuptimësitë e së keqes marrin kuptimësitë e së mirës, duke sfiduar modelin e shëmtuar. Edhe linjën e protagonistit e vlerësoj mbi mesataren e vlerave të filmit në tërësi. Ndërsa, linja e tretë nuk ngjitet në nivelin e dy të parave – ngjarjet e realitetit janë më tronditëse se ato të filmit – siç tha edhe Kryeziu, më modesti në përurim: “Do të isha i kënaqur sikur edhe një të dhjetën e asaj që kam parë në jetë ta kem realizuar në film”, që do të thotë se kaq i llahtarshëm ka qenë Ferri millosheviçian, sa krijuesve gjithnjë u mbetet për të bërë më shumë për përsosjen artistike e cila gjithsesi është relative.

Lashë për në fund linjën e UÇK-së për një analizë më të gjerë, mbasi filmi nga një pjesë e shikuesve do të pëlqehet, ashtu si një pjesë tjetër mund të mos e pëlqejnë. Këtë unë e konsideroj vlerë të filmit. I vetëdijshëm se arti i vërtetë është reflektim i botës së trazuar e komplekse të njeriut dhe shoqërisë, ku njerëzit janë të ndryshëm nga çdo pikëpamje: në karakter, psikologji, individualitet; të ndryshëm në mendime, qëndrime, shije, nivel kulturor etj., gjykoj se është normale që shikuesit të mos e vlerësojnë njësoj – dikush e pëlqen, dikush jo, sipas veçorive të secilit që i nënvizova më sipër, por edhe sipas dijeve, shijeve, integritetit apo mungesës së tij. Parë nga ky këndvështrim, ndonëse roli i UÇK-së në tragjedinë e Kosovës ishte faktor i rëndësishëm i luftës për liri e pavarësi, dikush e pranon realisht, dikush simbolikisht.

Kryeziu në film ka dhënë me realizëm përballjen luftarake të UÇK-së me makinën ushtarake, gjigande, kriminale serbe, si luftë guerile e cila bëri aq sa mund të bëhej në ato kushte e rrethana të jashtëzakonshme, ku çdo e mundshme mund të ishte veçse minimale. Në të njëjtën kohë, personazhet uçekeistë në aksion i jep si metaforë e rezistencës aktive dhe simbol të luftës për liri e pavarësi. Megjithatë, edhe sipas këtij vështrimi, nëse autori do të nxiste fantazinë e jashtëzakonshme, të arsyeshme – ku Kryeziu ka dëshmuar aftësi të tilla në disa vepra – mendoj se realitetin artistik në krijimin e kësaj linje, do të mund ta jepte me nivel më të mirë artistik çka do të sfidonte skematizmin e saj.

Madje, synimi drejt një teksti më poetik me ide politike dhe filozofike dhe depërtimi në botën psikologjike të personazheve do të motivonte guximin e tyre që buronte nga dhimbja tragjike dhe perspektiva, si personazhe realë dhe fikshën. Autori është gjendur përpara dy vështirësish serioze në krijimin e kësaj linje: nga njëra anë duhej të paraqiste filmikisht të vërtetën historike, nga ana tjetër formacionin ushtarak me djem e vajza, si zë i fuqishëm i Kosovës. Në të parën, gjykoj si vlerë realizmin e saj. Ndërsa, në vështirësinë e dytë autori nuk ka mundur t’i shpëtojë as skematizmit të tekstit dhe personazheve, as patetizmit e deklamacinit në lojën e disa aktorëve.

Në përceptimin, gjykimin dhe vlerësimin e kësaj linje, e shoh të domosdoshme të theksoj se politizimi do të ishte i papranueshëm. Një qasje e tillë do të ishte kthim prapa te mbretërimi i socrealizmit i cili shfaqet në kohën tonë në forma të kamufluara, të spërdredhura e mistifikuara. Vetëm kritika e specializuar e cila gjykon sipas kritereve artistike, estetike dhe mesazhore do të ishte kahu i duhur për të përcaktuar nivelin e vlerave dhe jovlerave.

Si konkluzë: Vlerësoj guximin e autorit në përzgjedhjen e temës së tragjedisë më të përgjakshme e të llahtarshme të Kosovës, një temë e dimensioneve të mëdha ku edhe kineastët e klasit të parë botëror mund të riskonin. Fatmirësisht, Kryeziu ia doli. Në tërësi u realizua me sukses “Kodi i jetës” me mjete të fuqishme filmike, duke aplikuar aparatura dhe teknika moderne, të cilat i pamë në përurimin e dytë në një nga sallat komode në Hotel Sheraton, me një publik më të gjerë. Në vlerësimin tim, ky film, sipas Kryeziut, do të radhitet ndër filmat e parë të përzgjedhur, që do të pasohet nga të tjerë edhe me vlera më të larta që do të përjetësojnë periudhën historike më të zezë, më të përgjakur dhe rrëqethëse të Kosovës dhe në të njëjtën kohë edhe historinë më të ndritur të saj, ku nga vuajtja biblike, dhimbja tragjike dhe nga gjaku i bijve të saj, ideali i lirisë dhe pavarësisë fitoi mbi tiraninë.

“Kodi i jetës” është dëshmi e historisë të kësaj zezone barbaro-serbe mbi Kosovën, kumt i fuqishëm për të urryer të keqen dhe mesazh për guximtarët dhe idealistët që luftojnë për dashurinë njerëzore, lirinë dhe demokracinë.

(Autori është studiues dhe kritik i artit teatror dhe filmik, profesor në Universitetin e Tiranës)