LAJMI I FUNDIT:

Thellohet paqartësia britanike

Thellohet paqartësia britanike

Robert Skidelsky

“Mjaft me kaq,” deklaroi kryeministrja britanike Theresa May pas sulmit terrorist në Urën e Londrës. Tani, është e qartë se pothuajse gjysma e atyre që votuan në zgjedhjet e përgjithshme të Mbretërisë së Bashkuar më 8 qershor janë lodhur me May, shumica konservatore e të cilës u fshi në zgjedhje, duke prodhuar një parlament pa shumicë nga ndonjë parti. Qoftë “mjaft për emigrantët” apo “mjaft për kursimet”, votuesit britanikë me siguri u ka ardhur në majë të hundës me shumëçka.


Por zgjedhjet e kanë lënë Britaninë të ndarë dhe konfuze. Referendumi për Brexit i vitit të kaluar sugjeroi një përçarje Largim-Qëndrim, ku ata që donin dalje ishin pak më përpara. Zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti, mbivendosën në këtë ndarje një tjetër më tradicionale si të majtët-të djathtët, me një rigjallërim të partisë Laburiste që kapitalizon pakënaqësinë e votuesve me shkurtimet në buxhet të konservatorëve.

Për të parë terrenin politik si rezultat i kësaj, imagjinoni një tabelë dy nga dy, ku katër kuadratët janë zënë nga ata që duan të qëndrojnë dhe të ulin buxhetin; ata që duan të qëndrojnë dhe ekspansionistët ekonomikë; ata që duan të dalin dhe të ulin buxhetin; dhe ata që duan të dalin dhe janë ekspansionistë ekonomikë. Kuadratët nuk mund të kombinohen në gjysma të ndryshme, ndaj nuk është e mundur të kuptohet se çfarë menduan votuesit se po votonin.

Por është e mundur të kuptohet se çfarë po refuzonin ata. Ka dy viktima të sigurta. I pari është kursimi, që edhe konservatorët kanë sinjalizuar se do ta braktisin. Ulja e shpenzimeve publike për të balancuar buxhetin u bazua në teorinë e gabuar dhe ka dështuar në praktikë. Treguesi më i shquar ishte paaftësia e George Osborne, Kancelarit të Thesarit nga 2010 në 2016 për të arritur çdo objektiv të buxhetit. Deficiti duhej të ishte zhdukur në 2015, pastaj në 2017, në 2020-2021. Tani, asnjë qeveri nuk do të zotohet për ndonjë datë.

Objektivat bazoheshin mbi idenë e një programi “të besueshëm” të pakësimit të deficitit që do të krijonte mjaftueshëm besim te bizneset për të kaluar efektet depresionuese të uljeve në vetvete. Disa thonë se objektivat nuk ishin kurrë mjaft të besueshme. E vërteta është se ato nuk mund të ishin kurrsesi: deficiti nuk mund të ulet nëse nuk rritet ekonomia dhe shkurtimet në buxhet, reale apo të parashikuara, e vështirësojnë rritjen. Konsensusi është se kursimi vonoi rikuperimin për tre vjet, duke shtypur fitimet reale dhe duke lënë shërbime kyçe publike si qeveria lokale, shëndetësia dhe edukimi të dëmtuara.

Ndaj pritet që fiksimi qesharak me balancimin e buxhetit të hiqet. Nga tani e tutje, deficiti do të rregullohet sipas gjendjes së ekonomisë.

Viktima e dytë është imigrimi i pakufizuar nga BE-ja. Kërkesa nga nënshtetësit e daljes nga BE-ja “për të kontrolluar kufijtë tanë” drejtohet kundër fluksit të pakontrolluar të migrantëve ekonomikë nga Evropa Lindore. Kjo kërkesë duhet të përmbushet në një farë mënyre.

Migracioni brenda Evropës ishte i papërfillshëm kur BE-ja ishte kryesisht Evropiano-Perëndimore. Kjo ndryshoi kur BE-ja filloi të inkorporonte vendet ish-komuniste me paga të ulëta. Sigurimi i migracionit lehtësoi mangësinë e krahut të punës në vende pritëse si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania dhe rriti fitimet e migrantëve. Por përfitime të tilla nuk aplikohen për migracionin e pakufizuar.

Studime nga George J. Borjas nga Universiteti i Harvardit dhe të tjerë sugjerojnë se imigracioni neto ul pagat duke konkurruar me punën vendase. Studimi më i famshëm i Borjas tregon ndikimin depresiv të “Marielitos” – kubanëve që emigruan në masë në Majemi në 1980 – mbi pagat e klasës punëtore të vendasve.

Kjo frikë është mbështetur prej kohësh në këmbënguljen e shteteve sovrane për të kontrolluar imigracionin. Këmbëngulja për kontrollin është forcuar kur vendet pritëse kanë një tepricë të punës, siç ka qenë e vërtetë për vendet e Evropës Perëndimore që nga kriza në 2008. Mbështetja për Brexit është në thelb një kërkesë për kthim të sovranitetit të Mbretërisë së Bashkuar për kufijtë.

Thelbi i çështjes është legjitimiteti politik. Deri në kohët moderne, tregjet ishin gjerësisht lokale dhe të mbrojtura fort ndaj të huajve, edhe nga qytetet fqinje. Tregjet kombëtare u arritën vetëm me ardhjen e shteteve moderne. Por lëvizja e pakufizuar e mallrave, kapitalit dhe punës brenda shteteve sovrane u bë e mundur vetëm kur arriheshin këto dy kushte: zhvillimi i identitetit kombëtar dhe shfaqja e autoriteteve kombëtare për të ofruar siguri përpara mjerimit.

Bashkimi Evropian nuk përmbush asnjë nga këto kushte. Populli i tij përbëhet nga shtetas të kombeve si fillim. Dhe kontakti mes shtetasve dhe shteteve në ekonomitë kombëtare të të cilave varen nuk mund të riprodhohet në nivel evropian, sepse nuk ka shtet evropian me të cilin të arrihet marrëveshja. Këmbëngulja e BE-së për lëvizje të lirë të punës si kusht i anëtarësimit në një jo-shteti është e parakohshëm, në rastin më të mirë. Duhet të kualifikohet, jo vetëm si pjesë e marrëveshjes Brexit të Britanisë, por në të gjithë BE-në.

Pra si do të rezultojë zgjedhjet e përgjithshme të Britanisë? May nuk do ta ketë të gjatë si kryeministre. Osborne e ka quajtur atë një “të vdekur që ecën” (sigurisht pa pranuar se politikat e tij të kursimit e ndihmuan atë të vuloste fatin).

Rezultati më i ndjeshëm është një dështim politik aktual: një qeveri koalicioni mes konservatorëve dhe laburistëve, me të themi Boris Johanson si kryeministër dhe Jeremy Corbyn si zëvëndësin e tij. Qeveria do të miratonte një program dy-vjeçar që konsideron vetëm në dy gjëra: përfundim të një marrëveshje daljeje “të butë” me BE-në dhe një program të madh investimi publik në strehim, infrastrukturë dhe energji të gjelbër.

Arsyeja për programin e investimit është se një dallgë do të ndihmonte të gjitha anije. Dhe një përfitim i shtuar i ekonomisë në lulëzim do të ishte më pak armiqësor ndaj imigracionit, duke e bërë më të lehtë për Britaninë të negociojë rregullim të kujdesshëm të valëve të migracionit.

Dhe kush e di: nëse negociatat e detyrojë të BE-në të rishqyrtojë angazhimin ndaj lëvizjes së lirë të forcës së punës, Brexit mund të rezultojë më pak një dalje e britanikëve dhe më shumë një rishikim i kushteve të anëtarësimit evropian. /Project Syndicate/reporter.al/