LAJMI I FUNDIT:

Terroristët e Spanjës dhe të gjithë botës vrasin në emër të dashurisë

Terroristët e Spanjës dhe të gjithë botës vrasin në emër të dashurisë
Ilustrim

Arjan Çuri

Sa herë që dëgjojmë për një sulm terrorist, dhe meqë këto kohët e fundit, lajme për të tilla goditje vdekjeprurëse janë bërë aq të shpeshta, na është krijuar një lloj imuniteti që vjen nga të bërit zakon të diçkaje të dëgjuar shpesh, dhe nuk na bën më asnjë përshtypje ky fenomen, duke menduar se gjërat ndodhin larg nesh dhe nuk na prekin.

Ndoshta ky mendim kalonte edhe në mendjen time, por sulmi në sheshin Katalunia të Barcelonës më bëri të tronditesha thellë. Vetëm para disa javësh, vëllai im i vogël, që e dua më shumë se gjithçka tjetër, gjendej në Spanjë për një konferencë mjekësore dhe disa nga fotot që më dërgoi, ishin pikërisht nga ky shesh. Nëse në një rastësi fatkeqe, po të ndodhej në të njëjtën kohë (se në të njëjtin vend ndodhej), në momentin e kryerjes së aktit të poshtër të disa frikacakëve që gjenerojnë urrejtje, vetëm mendimi se mund të pësonte dëmtimin më të vogël, më shkundi ekzistencën, sepse gjithë jeta do të më shembej nën këmbë, dhe kjo gjë më bëri që ta shikoja të gjithë fenomenin e terrorizmit me një sy tjetër, dhe të përpiqem të thellohem në mënyrën dhe arsyet që e mbajnë gjallë këtë sëmundje të rëndë të njerëzimit.

Gjithmonë kam dëshiruar të kuptoj realisht se pse një individ që shpall se beson në Zot, mund të planifikojë dhe të ndërmarrë një akt kaq të pamëshirshëm dhe ekstremist, sa vrasja e sa më shumë njerëzve të pafajshëm, që janë në punën e tyre, dhe në besimin apo mosbesimin e tyre. I vetmi faj që kanë bërë, është që një fat fatal i ka vendosur në rrugën e vdekjes së disa të çmendurve, që besojnë se po i bëjnë një nder Zotit me këto vrasje, duke hequr qafe ca qafirë, që nuk e meritojnë ta gëzojnë jetën që u ka falur Zoti. Sepse të besosh që Zoti është burimi i jetës dhe çdo krijimi dhe nga ana tjetër, të shkatërrosh çdo jetë njerëzore që të del përpara, duke besuar se po i shërben krijuesit të universit, ky është një paradoks absolut, që edhe një fëmijë më një sens minimal logjike do ta kuptonte që kemi të bëjmë me një rast klasik manipulimi dhe njerëz neuropatë.

Po si funksionon ky manipulim, dhe çfarë e shtyn një person të bëjë akte të tilla homicide dhe suicide?

Jam i mendimit se vetëm një lloj energjie, e vetmja, më e forta dhe që lëviz botën, qysh prej sekondës së parë të ekzistencës së kohës, mund ta bëjë këtë gjë të mundur. Dhe ajo është, dashuria. Nuk ka nevojë të thellohesh shumë në literaturë psikologjike dhe filozofike për të kuptuar se e vetmja energji motorike që na shtyn të shijojmë çdo mendim dhe të ndërmarrim çdo veprim, është dashuria, në çdo lloj dimensioni dhe kahu që ajo të shfaqet. Duke filluar qysh prej dashurisë për veten, për Zotin, për familjen, shoqërinë, ideologjinë, partneren, profesionin apo skuadrën e futbollit.

Çdo qenie njerëzore ka nevojë të marrë dhe të japë, pra të ndiejë dashurinë. Nëse nuk e ndjen në një vend, ai shkon e gjen në një tjetër, nëse nuk e merr nga një vend, njeriu mundohet të gjejë një burim tjetër. Dhe nëse zhgënjehet prej dashurisë, njeriu ndjen trishtim, mërzitje, dëshpërim, ndjesi të cilat e çojnë edhe drejt akteve ekstreme të dhunës, mbi tjetrin apo mbi veten. E keni parasysh se si një i ri i dashuruar dhe i braktisur nga e dashura, shkon deri në vetëvrasje? Apo se si nga dashuria, njerëzit kanë dëmtuar rëndë deri në vrasje, subjektet e dashuruara prej tyre? Apo si prej dashurisë, dhe të kapur prej saj, njerëzit bëjnë edhe veprime që nuk do t’i kishin bërë kurrë në kushte normale racionale? Edhe pse nga jashtë duket si çmenduri dhe ashtu është, subjekti që ndihet i tradhtuar, vepron në kushte tmerrësisht të ftohta dhe me përllogaritje të sakta.

Në këtë mënyrë, ndjenja më e bukur, kur plagoset, kthehet në ndjenjën më të dhimbshme e të shëmtuar, dhe lëvizjet motorike me kah pozitiv që na shtyjnë drejt tjetrit, nga dashuria, kthehen në lëvizje me kah të kundërt, kësaj here, kundër tjetrit, dhe ne ndjejmë urrejtje për atë që kemi dashur dikur. Sepse urrejtja nuk është asgjë tjetër veçse dashuria me shenjë minus. Nuk mund të urresh dikë apo diçka që dikur nuk e ke dashur, për gjërat që nuk i do, je thjesht indiferent, neutral, pa shenjë. Kam njohur me dhjetëra njerëz që flasin apo ndërmarrin veprime hakmarrëse, ndaj personave apo situatave që dikur i kanë dashur me shpirt, dhe që ndoshta i duan akoma. Por, që për një arsye apo një tjetër, ndoshta edhe për faj të tyre, e kanë parë veten jashtë këtyre dashurive, dikur të konsideruara të pamundura për t’u humbur.

Po çfarë urrejtje kanë terroristët ndaj viktimave të tyre, që nuk i njohin fare, do të pyeste dikush? Sigurisht, këtu urrejtja nuk është personale, por situacionale. Që do të thotë se njeriu siç dashuron persona apo situata, kështu edhe në të njëjtën mënyrë urren situate që janë mbipersonale, por jo tërësisht të shkëputura prej individëve njerëzorë, pasi situatat nuk krijohen vetvetiu, ato lidhen pazgjidhshmërisht me njeriun. Subjektet, në këtë kuptim, urrejnë situatat e qytetërimit perëndimor, që duket se dikur e kanë dashur, derisa kanë udhëtuar drejt Perëndimit nga Lindja, ku ndodhen edhe vendet e tyre të origjinës, por që nuk kanë mundur të integrohen, apo të pranohen prej tij, qoftë edhe për pandjeshmërinë që karakterizon këtë lloj civilizimi të ftohtë dhe të mbështetur vetëm mbi interesa meskinë.

Një arsye tjetër është se qytetërimet e Lindjes janë ndjerë të përdorura apo të kërcënuara me zhbërje, dhe në emër të dashurisë për veten, ti urren tjetrin që të duket sikur është ndryshe, dhe që ka ardhur të të konvertojë e të të prishë traditat shekullore. Ka shumë arsye të tilla, që nuk mund të përfshihen në këtë shkrim, por që kanë të njëjtin emërues të përbashkët, dashurinë protektive kundrejt një rreziku.

Qëllimi i këtij artikulli është të bëjë të ndjeshëm njerëzit mbi pasojat e tmerrshme që sjell mosaplikimi i drejtë i forcës së dashurisë, erosit, që gjendet brenda nesh. Dhe t’i nxis ata drejt një studimi të kësaj force, që duam apo s’duam na shtyn të bëjmë gabimet më të mëdha, sikundër edhe të ndiejmë forcën e të qënurit gjallë dhe në jetë. Filozofët e lashtë helenë, besonin se erosi ishte forca që na shtynte drejt jetës, zoe, dhe ishte e vetmja mënyrë për t’iu kundërvënë tanatosit, vdekjes. Por, është e habitshme edhe sot sesa të vetëdijshëm ishin grekët që dashuria përveç energjisë jetësore ishte edhe një sëmundje hyjnore, apo theia mania, pra mani nëse nuk aplikohej saktë.

A nuk ju duket se terroristët janë të varur prej një manie shkatërruese, kur veprojnë në emër të kësaj dashurie hyjnore, që është sigurisht një sëmundje e rëndë, në këtë rast? Platoni e ngriti dashurinë në nivele shpirtërore, duke e shkëputur nga fizikja, ndërsa Frojdi e uli në nivele vetëm të seksualitetit, duke e shkëputur nga çdo gjë shpirtërore. Ka njerëz sot që pretendojnë se kanë ndjerë të parën, sigurisht që shumica i beson dhe i është përkushtuar të dytës.

Personalisht, e kam gjetur zgjidhjen te pranimi i të dyja llojeve të dashurisë, por që siç do të thoshte Jungu, duhet t’i nënshtrohen logosit, apo forcës sonë arsyetuese për të gjetur një ekuilibër, sidomos kur gjërat dalin nga normaliteti. Duke u nisur nga dashuria për Zotin, njeriun apo situatat, qofshin ato platonike apo frojdiane, Jungu na fton t’ua nënshtrojmë impulset tona dashurore, mendjes sonë racionale, pasi sipas tij, nevoja e njeriut, për t’u ndjerë i plotësuar te tjetri, është e pashmangshme, dhe duhet përmbushur gjithsesi. Jungu, që ishte edhe besimtar, beson se dashuria mund të nisë si një impuls pasional, por në thellësi, në kuptimin e saj më të pastër, është një nevojë njerëzore, për lidhshmëri psikike më një qenie tjetër të ndjeshme, në interkoneksion dhe interaksion.

Qysh prej simpoziumit platonik e deri në bisedat e sotme, mes miqve e kolegëve, tema kryesore mbi të cilën meditojmë dhe filozofojmë, dhe që na pëlqen më shumë, është dashuria, në çdo formë që ajo mund të shfaqet. Planet tona janë si të punojmë pro jetës (zoe) dhe kundër vdekjes (thanatos), për t’u bërë të përjetshëm. Njeriu ka një prirje të natyrshme drejt lumturisë, që vjen prej kënaqësisë që prodhohet prej dashurisë. Herët ose vonë, secili prej nesh do të lumturohet apo trishtohet kur të preket prej kësaj energjie që e bartim që në momentin e konceptimit prej dashurisë së prindërve tanë. Por, kjo forcë do studiuar me kujdes dhe do përdorur me mençuri (logos), pasi mund të na shpjerë në krijim, por edhe në shkatërrim. Terroristët e Spanjës, që vepruan të shtyrë prej një manie dashurie, duke menduar se kështu shprehin dashurinë për Zotin apo kulturën e tyre, na e vërtetojnë këtë.

Dashuria e tyre e sëmurë, por çuditërisht e kthjellët për ta, mund të kishte dëmtuar edhe vëllain tim, që e dua të dytin, pas Zotit, siç dëmtoi dhjetëra dashuri që i këputi në mes, mes miqve, familjeve, të dashuruarve. Secili prej nesh duhet të nisë dhe të nxisë edhe të tjerët që të bëjnë një udhëtim njohës të vetes dhe të dashurisë që gjendet brenda nesh, duke e parë në sy me guxim, në të gjitha nuancat, nga më e pastra deri te më maniakja. Në këtë mënyrë, nuk do të lejojmë të manipulohemi prej njerëzve të rrezikshëm, që gjenden në çdo anë, dhe shumë afër nesh, që na flasin në emër të dashurisë, dhe na premtojnë shpërblime, po të mbushura me dashuri. Por se si manipulohet dikush fetarisht prej dashurisë, do të mundohem ta shpjegoj në një shkrim tjetër.