LAJMI I FUNDIT:

Teknologjia në 2013: Gjashtë parashikime!

Teknologjia në 2013: Gjashtë parashikime!

Çfarë do të sjell 2013-ta në botën e teknologjisë? Këtu janë disa nga parashikimet dhe ndikimi global të cilin do ta ketë teknologjia, duke e përfshirë edhe Kosovën, njerëzit dhe rrjetet e së cilës janë të lidhura apo varen nga trendet globale.

Interneti në mobil – 3G apo 4G?

Shpejtësia mobile 4G po vjen anembanë botës, ndërsa Kosova po bëhet gati për 3G, dhe ka mundësi që pas dhënies së licencës nga autoritetet, operatorët mobil në Kosovë të investojnë në 4G, nëse brezi frekuencor do të jetë në dispozicion. Mirëpo, natyrisht se me rritjen e shpejtësisë në internetin mobil, do të mund të shohim edhe rritje në çmimet e pakove si dhe limitim të megabajtëve të ofruar, edhe pse deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.


2013-ta, viti i Microsoft?

Në vitin që po hyjmë, Microsoft do të dominojë tregun botëror me teknologji! Të paktën kështu mendon Juniper Research. Sipas tyre, në botë janë 1.3 miliardë njerëz që përdorin paketën Windows dhe më shumë se 8 milionë zhvillues që krijojnë aplikacione për pajisjet e Microsoft, fakte të cilat i japin shumë mundësi gjigantit amerikan i cili tashmë është duke konkurruar me rivalët si Apple dhe Google përmes platformës së saj mobile të cilën e ka fokusuar në telefonat e partnerit – Nokia.

Televizioni

Kutia elektronike që jeton bashkë me ne në dhomë, po vazhdon të bëhet gjithnjë e më e mençur. Secili prej nesh i cili do ta blejë një televizor të ri në 2013, me siguri se bashkë me funksionet bazë të pajisjes do të marrë edhe lidhje të internetit, aplikacione të ndryshme, apo edhe mundësi që televizorin ta kontrollojë me zë.

Megjithatë, sipas analizave të Deloitte, kjo nuk do të jetë aryseja kryesore pse njerëzit do të blejnë me qindra miliona televizor të ri në shtëpitë e tyre. Do të jenë ekranet më të mëdha dhe më të holla, që do të na “ngacmojnë” për ta ndërruar televizorin tonë ekzistues me një të ri. Ekranet e televizorit nuk do të jenë të vetmet në dhomë, pasi që njëkohësisht ka shumë gjasa që ne të përdorim edhe telefonin apo tabletin personal.

Siguria

Ruajtja e sigurisë në pajisje do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, sepse çdo ditë e më shumë ne mbajmë me vete pajisje mobile të cilat kanë të dhëna të ndjeshme, dhe potencialisht, mund t’i humbim ato nëse nuk i ruajmë.

Dhe sipas parashikimeve, rreziku i madh i sigurisë nuk do të ndryshojë shumë as në 2013-tën, përpos nëse ne vetëdijësohemi më shumë dhe shumicën prej të dhënave të ndjeshme i ruajmë në re (cloud). Edhe nëse e bëjme këtë, sipas firmës së sigurisë Imperva, ne përsëri nuk do të jemi përfundimisht të sigurtë, sepse hakerët gjithnjë e më shumë do t’i sulmojnë shërbimet e bazuara në cloud. Secila dobësi në shërbim mund t’ua lehtësojë hakerëve të qasen në informatat tona. Prandaj, kujdes se ku i ruani të dhënat tuaja personale. Zgjedhni vetëm shërbimet më të besueshme.

Interneti

Nëse ju jeni në Facebook, kjo nuk është asgjë ekskluzive, sepse të njëjtin shërbim e kanë edhe më shumë se një miliard njerëz në mbarë botën – dhe pikërsiht për këtë arsye ne do të shohim agresivitet më të madh të reklamave në 2013, si përpjekje e rrjetit më të famshëm social – Facebook.com për t’ia kthyer një pjesë të investimeve aksionerëve të saj.

Veglat elektronike

Syzet e mençura të Google, Project Glass të cilat lidhen me internet dhe ofrojnë informacione të ngjashme në stilin e pilotit do të dalin në shitje gjatë vitit të ardhshëm, dhe këto nuk do të jenë veglat e vetme të cilat do të popullarizohen. Në rend është edhe ora e mençur e Apple, iWatch e cila do të lidhet me Bluetooth dhe komunikon me pajisjet tjera të mençura, si telefoni apo tableti. / Telegrafi /