LAJMI I FUNDIT:

Të rinjtë e politikanët debatojnë për llogaridhënie

Të rinjtë e politikanët debatojnë për llogaridhënie

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar sot debat publik me studentë dhe të rinj nga rajoni i Mitrovicës, me qëllim të nxitjes së angazhimit të tyre për të kërkuar llogari nga të zgjedhurit politik.

Për të diskutuar me të rinjtë e Mitrovicës, ishin deputetët e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhevahire Izmaku nga Partia Demokratike e Kosovës, deputeti i pavarur Ilir Deda si dhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka.


Deputetja Vjosa Osmani tha se në Kosovë është shënuar përparim viteve të fundit sa i përket llogaridhënies dhe transparencës së deputetëve karshi qytetarëve. Ajo shtoi se rrjetet sociale kanë ndikuar që të shtohet aktiviteti i qytetarëve dhe të rritet llogaridhënia nga politikanët.

Deputetja Osmani, tha se do të donte që të rinjtë të reagonin në mënyrë kolektive dhe jo individuale që mendimi, ankesa apo kërkesa e tyre të trajtohet më seriozisht dhe të gjejnë zbatim.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhevahire Izmaku tha se në Kosovë nuk është kultivuar llogaridhënia dhe transparenca si kulturë dhe se sipas saj, duhet të punohet më tepër që kjo kulturë të ndërtohet. Ajo ka theksuar se po të kishte ndarje në zona zgjedhore, transparenca dhe llogaridhënia ndaj votuesit do të ishte më e madhe.

Kurse, deputeti Ilir Deda tha se një deputet ka më tepër përgjegjësi ndaj qytetarit se sa partisë që përfaqëson, për faktin që votohet direkt nga qytetari dhe sipas tij, partia është irelevante kur vije në pyetje qytetari.

Faruk Mujka ka thënë se transparenca dhe llogaridhënia janë dy veçori shumë të rëndësishme që duhet të kultivohen tek rinia kosovare, pasi gjeneratat e vjetra sipas tij e kanë harruar kuptimin e këtyre veçorive. Sipas tij, këto janë dy shtylla të një shteti demokratik dhe njëkohësisht edhe standarde ndërkombëtare që përbëjnë sfidë për shumë vende.

Ky debat u organizua me mbështetje të Ambasadës Britanike në Prishtinë në kuadër të projektit “Fuqizimi i votueseve të rinjve për të marrë vendime duke qenë të informuar dhe duke i ndihmuar ata që t’i mbajnë politikanët llogaridhënës”. /Telegrafi/