LAJMI I FUNDIT:

Të ndalet gjuetia ndaj ish-luftëtarëve

Të ndalet gjuetia ndaj ish-luftëtarëve

Ish komandanti i UÇK-së në Junik dhe më vonë komandant i Batalionit Atlantiku, Gani Shehu, i cili tani jeton dhe vepron në New York, ka thënë se gjykimet ndaj ish ushtarëve të UÇK-së janë gjykime politike dhe të padrejta. Ai ka shprehur habinë ndaj institucioneve të Kosovës, të cilat sipas tij nuk po reagojnë ndaj këtyre gjykimeve me arsyetimin se nuk duan të ndërhyjnë në drejtësi.

Shehu ka thënë se ushtarët e UÇK-së e patën dhënë betimin, por pas luftës ky betim ka ndryshuar te ata që po merren me politikë, por jo edhe te ata që kanë mbetur jashtë politikës.

“Unë si ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të them se ne e kemi pas dhënë betimin, mirëpo pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së saj gjërat kanë ndryshuar, mirëpo kanë ndryshuar tek ata që merren me politikë dhe jo tek ata që kanë mbetur jashtë rrjedhave politike. Unë besoj ideali duhet të realizohet patjetër pa marrë parasysh se në çfarë sfidash kalojmë ne sepse ky është një proces natyral të cilin askush nuk ka mundësi që ta ndalë”, ka thënë Shehu në një intervistë për Kosovapress.


Ai është shprehur se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe u ka bërë thirrje të gjithë atyre që e ndajnë drejtësinë dhe që kanë ndikim në drejtësinë që të ndalin gjuetinë ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së.

“Unë e ndaj mendimin me shumë bashkëluftëtarë të mijë që e kanë thënë në Kosovë, unë mendoj dhe jam shumë i sigurt se këto janë gjykime politike, gjykime të padrejta e sidomos kur është fjala për gjykimin që po i bëhet Fatmir Limajt-komandant Çelikut. Ky akuzohet nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë dhe shpallet plotësisht i pafajshëm, pastaj gjykohet në Kosovë dhe prapë shpallet i pafajshëm dhe tash prapë gjykohet me të njëjtat akuza dhe kjo të len me kuptu se ka qenë dhe vazhdon të jetë një fushatë e egër ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së për çka mendoj se kjo nuk i shërben as bashkësisë ndërkombëtare e as institucioneve të Kosovës”, ka thënë Shehu.

Ai ka shtuar se lufta e UÇK-së duhet nderuar ngase është një vlerë e të gjithë shqiptarëve. /Telegrafi/