LAJMI I FUNDIT:

“Te Milani kemi përdorur doping”

“Te Milani kemi përdorur doping”

Ish-sulmuesi i Milanit, Javi Moreno, nuk është shprehur i habitur me zbulimet e fundit për doping te Real Sociedadi dhe me hetimet ndaj Juventusit për substanca të pa lejuara, pasi shprehet se edhe te Milani në kohën e tij është bërë doping.

Moreno, i cili luajti për Milanin shumë vite më parë, ka bërë pohime shokuese për gazetën spanjolle AS, duke zbuluar prapaskena të pa dëgjuara më herët.

“Nuk më habit fakti që Juventusi po hetohet për doping. Kur isha te Milani, futbollistët merrnin substanca jo të zakonshme, e kam parë me sytë e mi kur futbollistët e Milanit i merrnin dhe i pinin me ujë këto substanca në pushimin e ndeshjes”.

“Në janar, kur kishim ndeshjen me Udinesen, duhet të luante Roque Junior. Ai nuk pranoi që të përdorte këto substanca, sepse në atë kohë ishte futbollist i kombëtares braziliane dhe kishte frikë, prandaj refuzoi, mirëpo pas kësaj trajneri nuk e futi në formacion e madje edhe e dërguan në tribunë, duke e kërcënuar me shitje në ndonjë ekip të vogël”, ka deklaruar Moreno.

Së fundmi Juventusi është përfshirë në akuza për përdorim të substanca të palejuara, por kjo deklaratë pritet që ta vë në funksion Federatën Italiane të Futbollit (FIGC) për të hetuar edhe klubin Rossoner. /Telegrafi/