LAJMI I FUNDIT:

Të komunikojmë me fjalë e jo me dhunë

Kohët e fundit kemi dëgjuar të flitet shumë mbi dhunën ndaj grave. Rastet e prezantuara në media nga Shqipëria ditëve të fundit kanë marr përmasa shqetësuese. As në Kosovë situata nuk qëndron më mirë. Dallimi ekziston në faktin se mediat në Kosovë nuk u japin edhe aq hapësirë këtyre rasteve.

Çështja e dhunës ndaj grave është temë relativisht e re për shoqërinë kosovare dhe vetëm vitet e pasluftës dhuna ndaj grave është bërë pjesë të debateve publike. Para lufte as nuk është folur në publik në lidhje me këtë fenomen, e as nuk janë evidentuar rastet. Por, një çështje e tille kaq e komplikuar duhet të trajtohet nga të gjitha dimensionet.


Për fat të keq, opinioni publik ende nuk është në favor të grave. Dhuna ndaj grave, e cila po vazhdon të rritet, e inkurajuar nga heshtja që e rrethon këtë çështje, shpeshherë justifikohet duke iu referuar normave kulturore të shoqërisë tonë. Nëse dhuna ndaj grave në Kosovë vazhdon të rritet me këtë trend, do të jetë reflektim tejet negativ për shoqërinë tonë.

Mitet në lidhje me dhunën ndaj grave kanë depërtuar shumë thellë në kultura patriarkale, siç është edhe Kosova. Për fat të keq disa bashkëshortë akoma mendojnë se ata janë të destinuar për t’i "disiplinuar" gratë e tyre, duke përdorur dhunë fizike – e cila fatkeqësisht vlen edhe për fëmijët. Ky mentalitet nxitë kulturën e dhunës, e cila është e kundërta e gjithçkaje që sigurohet me konventa ndërkombëtare – dhe lejon për shkelje të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor. Nga ana tjetër, shumë individë mendojnë se dhuna ndaj grave është çështje “e turpshme” për t’u raportuar, përfaqësuesit e institucioneve publike shpeshherë e konsiderojnë atë si çështje private e cila më së miri “duhet” të zgjidhet vetëm brenda familjes.

Kriza e thellë ekonomike ka të ngjarë të ketë përkeqësuar dhunën kundër grave. Nga ana tjetër, në përkeqësim të situatës kanë ndikuar edhe varfërimi i skajshëm i familjeve, analfabetizmi, papunësia, dominimi mashkullor, mos implementimi dhe mosrespektimi i ligjeve ekzistuese, tradita dhe paragjykimet e shumë faktorë të tjerë. Me theks të veçantë, në periudhën e pasluftës, këta faktorë kanë “ushqyer” edhe më shumë rritjen e dhunës në shoqërinë tonë.

Dhuna ndaj grave manifestohet në forma të ndryshme. Format më të shpeshta që ushtrohen mbi viktimat janë dhuna psikologjike, fizike si dhe ajo seksuale. Format e dhunës ndaj grave zakonisht përdoren të shoqëruara njëra pas tjetrës dhe sjellin pasoja negative nga më të ndryshmet si: degradim i personalitetit të viktimave, humbje e kontrollit, vetëbesimit, perspektives etj. Një dhunë e tillë ndodh brenda shtëpisë ose në komunitetin e gjerë dhe gratë janë të rrezikuara nga dhuna në të gjitha fazat e jetës, madje edhe para se ata janë të lindur, përmes “vrasjes së bijave”.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, miliona vajza nga mbarë bota janë “zhdukur” për shkak të “preferencës djalë”. Është e tepërt të flitet për këtë pasi që të gjithë e dimë se ku jemi ne si shoqëri sa iu përket “preferencave gjinore”. Fatkeqësisht, ndryshimet në këtë drejtim po vërehen shumë pak.

Të dhënat mbi përhapjen e fenomenit të dhunës ndaj grave në Kosovë vazhdojnë të jenë të kufizuara. Kështu, vetëm disa nga institucionet, si: organizatat e ndryshme joqeveritare, qendrat e kujdesit shëndetësor dhe ato të shërbimeve sociale i grumbullojnë të dhënat mbi dhunën. Të dhënat e sakta dhe sistematike do të ndihmonin në hartimin e strategjive me efikase për të parandaluar këtë fenomen negativ.

Shumë vende, duke përfshire edhe Kosovën, kanë miratuar ligje për të trajtuar problemin e dhunës kundër grave. Ky është një hap i mirë, mirëpo këto ligje nuk duhet të mbesin vetëm si një nga ligjet me të mira ose ligje në letër. Duke adresuar çështjen e dhunës ndaj grave, shteti mund të dërgoj një mesazh të qartë se nuk do të toleroj këto akte të shëmtuara dhe se do të ofrohet siguri për të gjithë qytetarët.

Secili prej nesh mund të bëjmë pjesën tonë. Secili prej nesh mund ta gjej një formë për ta ngritur zërin.