LAJMI I FUNDIT:

Tash nuk dërgojnë mallra vetëm nga Zvicra në Kosovë, por edhe anasjelltas

Tash nuk dërgojnë mallra vetëm nga Zvicra në Kosovë, por edhe anasjelltas

Diaspora shqiptare dërgon shumë ndihma për familjet në Kosovë, por edhe për familjet tjera që kanë nevojë e janë në gjendje të rëndë. Kurse nga Kosova dërgojnë mobile, kuzhina e punime të dorës.

Shumë kërkesa ka edhe për rroba, ndërsa kohët e fundit me të madhe po dërgohen vetura në Zvicër dhe anasjelltas.


Organizatori i transportit në “Abedini Transport”, Elvir Shantiri në një intervistë për albinfo.ch tregon gjithçka rreth kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për të dërguar gjësende në Zvicër, por edhe ato të diasporës shqiptare.

Elviri në fillim tregon se çka dërgojnë nga Kosova në Zvicër.

“Kërkesat janë të mëdha, dhe ne i mbulojmë të gjitha. Ata më shumë dërgojnë prodhime kosovare, apo punime të dorës si mobilje, kuzhina e gjëra tjera të punuara nga dora, por kemi edhe lloj-lloj kërkesash tjera”, ka thënë ai.

Shantiri më pas tregon edhe se cilat janë kërkesat e diasporës shqiptare të Zvicrës për mallrat që dëshiron t’i dërgojë në Kosovë.

“Edhe ata zgjedhin mobile ose kuzhina kur ka aksione në Zvicër dhe më pas i dërgojnë në Kosovë. Shumica nga diaspora shqiptare kanë shtëpi në Kosovë dhe normalisht kur ka aksione të çmimeve të mobileve në Zvicër, i dërgojnë në Kosovë”, thekson ai.

“Kontributi i diasporës shqiptare është jashtëzakonisht i madh. Ata dërgojnë shumë ndihma në Kosovë. Dërgojnë ndihmë për familjet e tyre, por edhe ndihma humanitare, duke i ndihmuar familjet që kanë nevojë”, ka shtuar tutje ai.

Sipas tij, kohët e fundit ata kanë filluar edhe me transportin e veturave.

Ai tregon edhe një fakt interesant.

“Çmimet e doganës janë më të larta në Kosovë. Duke llogaritur në përgjithësi edhe TVSH-në, atëherë paguhet 29 % në total, kurse në Zvicër është një shumë simbolike prej 8 %”.

Vërejtja e tij e vetme është se ndonjëherë transportojnë gjëra që janë të ndaluara.

“Shpeshherë fusin cigare, mish apo suxhuk”, rrëfen Elvir Shantiri.