LAJMI I FUNDIT:

Syri (magjik) i Hazir Rekës

Syri (magjik) i Hazir Rekës

Qysh i ri kishte një magji: syrin! Fokusonte çdo gjë që i dilte para dhe shënjësonte momentet për t’ua dhënë vulën e kohës. Hazir Reka i dha kuptim tjetër fotografisë në Kosovë, qoftë në aspektin artistik, ashtu edhe në atë dokumentar. Me punën e tij, sytë e botës i ktheu kah Kosova.

Përmes fotografive ai flet edhe në këtë intervistë të rrallë me të. Flet për të kaluarën dhe të tashmen.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, një mik i kishte thënë: “Është vështirë të xhirosh popullin tënd duke vuajtur”. Por, Haziri ka përkushtim, durim dhe shpirt të fortë. Ai ka dokumentuar tmerrin që forcat policore dhe ushtarake serbe kanë shkaktuar në Kosovë, në vitet ’80 dhe ’90 të shekullit të kaluar. E vërteta për Kosovën, përmes fotografive të tij, është përhapur në botë, përmes miliona e miliona kopjeve të gazetave e revistave më të njohura të botës.

Kontakti i tij i parë me filmin më 1979, ishte vendimtar për rrugën e tij në artin e fotografisë. Që atëherë, as ai e as aparati i tij nuk kanë patur qetësi e as ndarje. Reka, më 23 janar hapi ekspozitën e tij “Tregimi me fytyra” në Bruksel, në kuadër të Pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, vazhdon angazhimin në agjencinë prestigjioze Reuters.

Për këtë dhe gjithçka që ka të bëjë me Rekën dhe syrin e tij magjik, ndiqni intervistën në vazhdim.

Hazir, kur iu ka rënë aparati në dorë dhe kur e keni bërë klikun, blicin e parë?
Filmin e parë e kam vendosur në vitin 1979, si nxënës i shkollës së mesme në Ferizaj. Kam qenë nxënësi i vetëm që kam shkuar në shkollë me aparat. Në vitin 1980, kam ardhur për të studiuar në Prishtinë. Fotoja ime e parë si profesionist – një person duke ecur në binarë që bashkohen, në stacion të trenit – u botua në vitin 1982, në revistën Zëri i Rinisë, te “Këndi artistik”.

Keni bërë fotografi të cilat kanë prekur majat e pikëllimit të njerëzimit. Si keni arritur ta ruani tundimin, apo fotoreporteri ka zemër të fortë dhe nuk emocionohet lehtë?
Gjatë fotografimit, përqendrohem në punën time, sado të jetë skena e rëndë. Por, kur e ndali “klikun”, atëherë vijnë emocionet. Ato të përcjellin gjithmonë.
Nuk mund të mos e përmendi rastin kur me një koleg kameraman të Reutersit hasëm një autokolonë refugjatësh në Açarevë të Drenicës. Një plakë mbante të mbështjellur në një batanije një fëmijë trevjeçar. Dorën e kishte të plagosur nga një snajper. Pas fotografimit dhe xhirimit, u kthyem në Prishtinë . Gjatë rrugës, kolegu im tha: “Është vështirë të xhirosh popullin tënd duke vuajtur”.

Dikush iu ka quajtur me të drejtë “Djaloshi i përjetshëm”, kurse dikush tjetër Konti i Fotografisë shqiptare. Si i merrni këto dy vlerësime? Si kurajim për punë tuaj, apo si obligim i shtuar, për të punuar edhe më shumë?
Këto cilësime vijnë nga njerëzit të cilët e njohin punën time, praninë time shumëvjeçare me aparat në vende dhe ngjarje përmes së cilës ka kaluar Kosova. Vlerësimet pozitive janë gjithmonë të mirëseardhura dhe shtytje për të vazhduar një punë që e kam nisur herët dhe që e bëj me shumë pasion.

Duket se ju, kur fotografoni, fokusoheni në qëllimin dhe e harronin frikën… Keni patur raste të rrezikshme, të frikshme?
Kishte shumë. Kur nisesh në një punë me frikë, rezultati nuk mund të jetë i kënaqshëm, në aspektin profesional, por as artistik.
Pas rivarrimit të Jasharëve jam ndalur nga një patrullë që e dinte që isha në Prekaz dhe që kisha bërë fotografi. Aty u frikova.

A iu kujtohet fotografia e parë, frika e parë, rreziku i parë, por dhe buja, efekti i saj, i parë?
Fotografia e parë u botua në 1982, por e para për mua si fotoreporter është ajo e vitit 1989: foto e tre demonstruesve që u vranë në Pejë. Isha i vetmi fotograf shqiptar, në mesin e policisë speciale.
Rreziku i parë është kur jemi nisur me një fotograf slloven në Zhur dhe kemi gabuar rrugën. Kemi mbërritur afër kufirit të Shqipërisë. Kuptuam të dytë rrezikun kur pamë ushtrinë jugosllave. U kthyem për në Zhur, ku ishin vrarë dy fëmijë nga policia.

Mbase është ajo e të resë Ylfete Humolli, e para që shëtiti dhe tronditi botën?
Kam hyrë në spital i veshur si mjek, me aparatin e fshehur nën mantel. Fotografia e vajzë së re të vrarë i ngjan shumë fotove që sot bëhen nëpër botë, në luftërat si në Siri apo në Palestinë, ku viktima janë fëmijët, njerëz të pafajshëm. Por, për mua dhe për Kosovën ishte tronditëse, ishte e para e këtij lloji që i tregonte botës se çka ndodhte te ne.

Ndonëse keni mbi supe mbi dyzet vjet, ju ende vraponi si një maratonist që të zini ngjarje dhe që ajo mos t’iu ikë?
Dhe, do të vrapoj. Kam vrapuar me këmbën e sëmurë, të ënjtur, me papuçe, ngase as këpucët nuk mund t’i mbathja…vjet në Mitrovicë, te ura, kur u vra polici Enver Zymberi, kur hyri autokolona e policisë sonë në anën veriore dhe ku fluturonin plumbat.

Ju e keni shpalosur para botës tërë historinë e Kosovës. Na bëhet se keni bërë një punë të madhe dhe shumë interesante. Fotografia juaj ka patur më shumë efekt se sa njëmijë fjalë, sepse…fotografitë flasin vetë, apo jo?
Po, dhe jam shumë krenar për këtë. Sot, kur çdo gjë duhet të ecë shpejt, kur njerëzit lexojnë pak, fuqia e fotografisë është edhe më e madhe. Historia shkruhet me fjalë, por ajo nuk mund të jetë e plotë pa fotografinë. Efekti i fotografisë është i menjëhershëm dhe shumë, shumë i gjatë.

Ju konsiderojnë si njërin nder artistët më të mëdhenj të fotografisë, që keni bërë fotografi edhe për gazetat dhe revistat më prestigjioze të botës, sikurse janë New York Times, Figaro, Herald Tribune… Pra, fotot tua janë parë në të gjitha kontinentet e botës. Si jeni ndjerë për këtë fakt dhe privilegj të rrallë?
Kam qenë shumë i lumtur kur kam botuar në vitin 1993 foton time të parë në “New York Times”: “Mësimi në shkollat paralele, në një shtëpi private”. Pastaj janë botuar foto të mia në gazetat që i përmendet. Në Stern ishte ajo e viktimave të Reçakut, apo një fëmijë që qan në varrimin e babës së tij, ushtar i UÇK-së, në revistën Newsweek. Është kënaqësi për mua se vlerësohet puna ime jashtë, por edhe sepse është një gjest i vogël që kam bërë për familjarët e atyre që i humbën të dashurit e tyre, për popullin.

Në foto tua ka shumë dhembje, por edhe çaste të mira. Pra, e keni ndarë fatin e popullit dhe të historisë së Kosovës, fat ky që në fotografi del i zymtë dhe bardhezi?
Të mirat dhe të këqijat i kam përcjell hap pas hapi, i kam ndarë me popullin. Populli ka bërë historinë, unë e kam fiksuar këtë histori në fotografi. Si populli, edhe unë, tash jemi të lodhur. Fillova fotot në bardhezi, sot punoj më shumë me ngjyra. Por, realiteti, e sotmja, më shumë është bardhezi.

Sa çmohet fotografia tek ne, sot dhe dje?
Si art, ndoshta nuk njihet e çmohet sa duhet, por shpesh më ka ndodhur që të më ndalin në rrugë për të më uruar për një foto që kam bërë, sepse është ditur vështirësia për ta realizuar atë. Apo, është njohur një foto imja, por unë jo, dhe befasia ka qenë e madhe kur personi ka vënë emrin tim mbi foton. Në pesë vjetorin e pavarësisë, herët në mëngjes, fotografoja Newborn-in dhe disa të rinj që pikturonin flamujt mbi monumentin. Njëra vajzë që vizatonte më kërkoi t’ia dërgoj foton. Ia dhashë emailin tim për korrespondencë Afër ishte Fisnik Ismajli. Kur ma dëgjoi emrin, më tha: “A mundem me të përqafë?”, dhe iu drejtua asaj vajze: “Ky është fotografi më i madh shqiptar, por për herë të parë po e shoh, rrallë ka dalë ta ekspozojë veten”.

Ju, në njëfarë mënyre e keni shënuar epokën dhe shpesh e keni “ndalur” frymën me fotot tuaja. A mendoni se keni kontribuar, përmes fotografisë, që qarqet e vendosjes t’i vinin sa më shpejtë Kosovës në ndihmë?
Mendoj që po, fotot janë gjithmonë dëshmi, krahas fjalëve, rrëfimeve, shpjegimeve rreth asaj që ndodh, që ka ndodhur. Madje, fotot shpesh flasin më shumë, më shpejt, arrijnë efekte më të mëdha.
Kur janë bërë ndryshimet kushtetuese, kur iu hoq autonomia Kosovës, kishte në sallë të Kuvendit delegatë, por edhe njerëz të sigurimit shtetëror. Kuptohet ata nuk kishin drejtë vote, ndërsa në fotot e mia shihen duke votuar.

Fotot që keni bërë ju janë plot llahtari dhe ju keni arritur të ruani gjakftohtësinë, madje jeni kalitur me skena të tmerrshme dhe jeni përmbajtur nga humbja e koncentrimit. Është një profesion i vështirë, sepse gjatë luftërave, aparati është njëfarë kallashi?
Nuk më pëlqen krahasimi i aparatit me kallashin, edhe pse pajtohem se aparati është një lloj arme. Për disa pushtete ai e ka fuqinë e kallashit. Dhe, nëse e humb gjakftohtësinë me një armë në dorë, mund ta bësh më të keqen.
Kam pasur kërcënime shpesh kur më është parë aparati në dorë. Fuqia e tij është kuptuar nga ata që nuk e kanë dashur atë. Ende nuk e di se kur u sulmova një natë dhe mu vodh aparati, a ishte hajni e thjeshtë apo donte dikush t’i zhdukte disa foto.

Ju jeni një njeri i qetë, plot stuhi? Si është e mundur kjo, dëshirojmë ta dimë?
Qetësia dhe stuhia janë dy të kundërta, por dy përbërës të rëndësishëm të personalitetit tim. Jam munduar ta ruaj qetësinë në momente plot stuhi, por stuhia më ka kapluar në momente të qetësisë.
Gjatë ngjarjeve, po mos ta kisha ruajtur qetësinë, më ishte dashur të kaloj ose në anën e demonstruesve ose në atë të UÇK-së.

A ia kishit preferuar fotografinë djalit tuaj Bindit? A do të përpiqeshit që ta bindni, të ecën rrugës tënde, në profesion, meqë edhe ai pikturon?
I kam thënë Bindit që ta ketë si hobi, por jo si profesion, duke e ditur se sa e vështirë është kjo punë. Por, nëse i shndërrohet në pasion, le ta ndjek atë, se unë e ndjeka pasionin tim.

Një popull quhet i civilizuar kur arrin ta deshifrojë fotografinë dhe jo pikturën, kam lexuar diku. Pajtoheni me mua?
E çka të thuhet kur si te ne as fotografia e as piktura nuk deshifrohen?

Pse kaq shumë dashuri, pasion për fotografi?
Fotografia është si një femër, e cila i zbulon misteret një nga një, në “camera obscura”, në dhomën e errët. Është kënaqësi kur në një enë të kuqe me kemikale fusni letrën e bardhë dhe dalëngadalë zbulohet një portret.
Pas çdo ngjarjeje, kam menduar se ajo ishte e fundit. Por, i kam ndjekur ngjarjet, pa ndalur, duke vrapuar si duket pafundësisht.

Jeni i qete në jetë, kurse eksploziv në fotografi. Mbase keni derdhë edhe shumë lot, kur keni parë skena makabre dhe të rënda?
Kam derdhur lot, si disa personazhe të fotove të mia. Por, për fat aty nuk kishte fotograf. Nuk mund të mos derdhesh lot para dhimbjes dhe mjerimit.

A e ndjeni tmerrin e fotografive sot dhe a i shikoni ato shpesh, apo nuk keni dëshirë, shpirt, t’iu riktheheni situatave të rënda, sepse ndryshe është të dëgjosh diçka, e krejt ndryshe kur e sheh me sy të aparatit?
Situatat e rënda i kam të fiksuara në foto, por edhe në mendje. Janë histori. Është e dhimbshme, por nuk mund të harrohen, dhe kurrsesi të fshihen.

Historia nuk harron dhe fotografia nuk vjetrohet kurrë. Sa foto keni punuar, duket se është një numër i madh…
Me shumë nostalgji e kujtoj kohën e fotografisë bardhezi e cila është punuar në errësirë dhe me padurim kam pritur që të dal në dritë të shoh se çka kam fotografuar. Tash është kohë tjetër. Duhet ecur me kohën, me teknologjitë e reja.
Kam me mijëra foto, në filma apo në disqe, një arkiv i tërë që kërkon sistemim, ruajtje.

A keni menduar të bëni një monografi, me fotografi?
Po, kam botuar libra me foto, libra modestë ndoshta. Tani jam duke menduar për një monografi solide, një kronologji të ngjarjeve me datat e mëdha të historisë moderne të Kosovës.

Keni qenë në shumë vatra të krizës dhe keni shpëtuar mrekullisht. Duket se keni diçka që iu mbron, po themi hipotetikisht?
Shpëtova në Kosovë dhe gati humba jetën në Irak. Diku është një engjëll që më ruan. Ndoshta. Shpresoj. Këtë engjëll nuk e patën disa miq fotografë që humbën jetën në Bosnje, në Sierra Leone, në Irak…

Me 23 janar në Bruksel, keni hapur ekspozitën “Tregimi me fytyra”, në kuadër të pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Keni dërguar shumë fytyra të Kosovës atje. Si duket ajo ekspozitë dhe çka keni përfshirë në të?
Një seri portretesh të refugjatëve, fëmijë, të rritur, pleq… të gjithë në ikje, me dëshpërim të thellë në shikim.
Pjesa e dytë përmbante portrete dhe peizazhe të Kosovës, sot. Tjera pamje, tjera ngjyra, jeta vazhdon.

Keni më shumë se dy dekada që merreni me fotografi. A keni arritur të nxirrni një përfundim çka është fotografia si profesion. Çka ofron dhe çka mundëson?
Në këtë kohë është vë shtirë të jetohet prej fotografisë. Po edhe për fotografët e vjetër. Çdo ditë po ndryshojnë teknologjitë.
Në disa vende të botës vazhdohet të punohet me film, si përpara, teknikë më e shtrenjtë se fotoja digjitale.
Por, sikur të duhet të fillohet nga e para, do t’ia filloja prapë.

A luan rol edhe shkathtësia, syri magjik dhe dora e saktë?
Sigurisht se po, por nuk ka sy magjik, ka vetëm sy që shohin atë që duhet, në momentin e duhur. Dora e fotografit fikson, me sa më shumë saktësi, atë që panë sytë.

Cilat janë foto më të dashura dhe me të trishtuara?
Edhe të trishtuarat janë të dashura për mua.

Keni fituar edhe shumë çmime. Na i numëroni disa?
Kam fituar çmime, por më të rëndësishëm janë botimet e fotove të mia në librat e Reutersit, libra me tirazh të madh.

Aktualisht punoni për Agjencinë Reuters. Është një besim i madh i tyre tek ju, por këtë e keni dëshmuar dhe arsyetuar?
Deri më tash ata kanë qenë të kënaqur me punën time, por edhe unë kam qenë i kënaqur me respektin që kanë treguar ndaj meje dhe ndaj punës sime. Reuters është agjenci e madhe dhe çdo ditë duhet dëshmuar dhe arsyetuar besimin.

Disa fotografë kundërshtojnë që sot po bëjnë fotografi të gjithë. Sa ndikon kjo te fotografët profesionistë?
Nuk mendoj ashtu. Do të kisha qenë shume i lumtur që në kohërat e këqija të kishte pasur më shumë fotografë, sepse ishin regjistruar më shumë ngjarje. Por, të kesh një aparat digjital apo një Iphone në dorë, nuk do të thotë se je fotograf.

A e ka rrezikuar teknologjia fotografinë?
Jo, duhet ecur me teknologjinë. Tjetër dimension i jep fotografisë.
Një fotograf i ri që fillon sot të punojë me digjital, i hynë një bote të kapshme për të. Fotografët që kanë punuar me film ndoshta mendojnë ndryshe.

A mendoni ta komercializoni dashurinë tuaj ndaj fotografisë?
Po, shes foto, jashtë agjencisë, foto artistike. Më shumë se komercializim, do të doja t’ia bart këtë dashuri edhe të tjerëve, në punëtori të ndryshme. Që fotografët e ri të zbulojnë foton bardhezi, teknikat e panjohura dhe të tejkaluara për ta.

Duke lënë mënjanë fotografinë, ç’gjë u tërheq më shumë?
Fotografia, prapë.

Porosia për të gjitha ata që e varin aparatin në krah?
Nëse e kanë përnjëmend, atë herë le të bëjnë sa më shumë foto. Ngjarjet, vendet, njerëzit ndryshojnë, fotoja mbetet, i fikson të gjithë e të gjitha, përgjithmonë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

Magazina
Ambasadori Martin Berishaj përfundon deklaratën në Speciale, deklarohet avokati Gashi

Ambasadori Martin Berishaj përfundon deklaratën në Speciale, deklarohet avokati Gashi

Lajme
“Ky ishte afati im”, Xabi Alonso konfirmon zyrtarisht vendimin për të ardhmen

“Ky ishte afati im”, Xabi Alonso konfirmon zyrtarisht vendimin për të ardhmen

Bundesliga
Deklarohet ministrja Gorçeviq, Mali i Zi do ta përkrahë në fazën finale anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Deklarohet ministrja Gorçeviq, Mali i Zi do ta përkrahë në fazën finale anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Lajme
Sa është gjatësia mesatare e penisit tek meshkujt shqiptarë? Zbulohen statistikat

Sa është gjatësia mesatare e penisit tek meshkujt shqiptarë? Zbulohen statistikat

Shëndetësi
Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Magazina
Kalo në kategori