LAJMI I FUNDIT:

Sulmuesi që ka bërë të gjithë për vete, Daku e ardhmja e Kosovës

Sulmuesi që ka bërë të gjithë për vete, Daku e ardhmja e Kosovës

Është vetëm 19-vjeçar, por po luan me sukses të madh në elitën e futbollit kosovar.

Fjala është për super talentin gjilanas, Mirlind Dakun i cili ka bërë gjithë superligën për vete me golat e shënuar.


Ai këtë edicion e ka filluar me fanellën e Hajvalisë, por në janar ndërroi mjedis duke iu bashkuar Llapit.

Gjashtë gola të shënuar për një 19-vjeçar nuk janë pak, por Daku nuk mendon të ndalet me këtë shifër.

Në një intervistë për Telegrafin, gjilanasi zbulon planet e tij për të ardhmen.

“Jam shumë i kënaqur me formën që kam kaluar këtë edicion dhe me minutat që kam marrë edhe pse jam në një moshë të re”, thotë Daku për Telegrafin.

Specialiteti i tij është të shënoi dhe golat e tij i kanë provuar skuadrat si Trepça, Feronikeli, Drita, por edhe Llapi sa ishte pjesë e Hajvalisë.

“Të shënoi gola është objektivi im në çdo ndeshje pasi për të shënuar paguhem. Deri tani kam shënuar gjashtë gola por nuk mendoj të ndalem me kaq pasi dua që ky numër të dyfishohet deri në fund të kampionatit”, thotë Daku.

Si çdo futbollist i kampionatit tonë, edhe Daku synon që të bëjë karrierë ndërkombëtare.

“Ëndrra ime është që një dit të luaj në një kampionat më të fortë. Jam duke punuar shumë dhe synoj që një ditë të luaj në njërën nga ligat më të mëdha botërore”, tha Daku.

Ai është pjesë e grupmoshave të Përfaqësueses së Kosovës, edhe pse përzgjedhësi Rafet Prekazi nuk e grumbulloi në ndeshje ndaj Irlandës.

“Dëshira ime ishte të jem pjesë e Përfaqësueses U21, por trajneri ka vendosur ndryshe. Gjithsesi unë e respektoj vendimin e përzgjedhësit Rafet Prekazi dhe do të punojë edhe më shumë që të ftohem”, tha Daku për Telegrafin.

Në fund ai ka folur edhe për skuadrën e tij Llapin, ku shpreson të fitojë Kupën e Kosovës.

“Bëmë disa gabime dhe mbetëm paksa mbrapa garës për titullin e kampionit. Gjithsesi jemi në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe shpresoj të kalojmë në finale”.

“Objektivi ynë është ta marrim këtë trofe dhe të luajmë në Evropë”, ka përfunduar Daku. /Telegrafi/