LAJMI I FUNDIT:

Subvencionohen bletarët e Gjakovës

Subvencionohen bletarët e Gjakovës

Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Komunës së Gjakovës, ka vazhduar me realizimin e projekteve të saja me mbështetjen konkrete në sektorët përkatës.

Në këtë vazhdë, sot kanë përfituar njëzet e pesë bletarë, të cilët falë këtij subvencioni, që së bashku me participimin e bletarëve arrin shumën prej mbi 8.600 euro, kanë përfituar nga një komplet për bletarë.


Siç ka bërë të ditur Bekim Ermeni, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, një komplet i tillë për bletarë përbëhet nga një vaskë për punë, një deposit prej pesëdhjetë kilogramëve, një filter për nxjerrje të mjaltës, një thikë manuale, një thikë elektrike, si dhe një kovë për bartje.

“Ne, sot po realizojmë edhe një projekt të planifikuar për bletarë për këtë vit, e që tregon se bëhet fjalë për mbështetje në kontinuitet për motivimin, ngritjen e kapaciteteve si dhe shtimin e prodhimtarisë dhe të ngritjes së cilësisë së mjaltës, produkt ky aq i shëndetshëm dhe i materialuzeshëm.

Prandaj, synimet tona në vazhdimësi janë arritur si objekt, dhe besojmë se me mundësitë dhe kapacitetet tona, së bashku edhe me participimin tuaj, kemi arritur të jemi në kohë me kërkesat”, është shprehur drejtori Bekim Ermeni me rastin e shpërndarjes së këtyre kompleteve për bletarë. /Telegrafi/