LAJMI I FUNDIT:

Stacionet e heshtura…

Stacionet e heshtura…
Ilustrim

A ka linjë apo mbetje treni në Serbi, që s’e kanë prishur erërat, shirat, dhélëkundjet? Por t’jetë shndërruar n’përmendar të kujtesës sublime?

Përsiasja një ditë kështu, jo pa zhgënjim njerëzor, teksa kaloja stacionin e heshtur, të menduar, të Grunewaldit që çon ose në Vansee që lag fushnajën blerore, ose drejt thellësive të rrëmetshme të qytetit Berlin.


Kjo ndalesë ndryn në vete një rrëfim të dyfishtë: historik dhe moral, të përgjakur e pendestar. Në Vansee (vjeti 1942) kje mbajtur Konferenca ku mori frymë doktrina e çifutzhbërjes, Holokausti famzi që përpak nuk shoi një popull, faji i të cilit ishte ekzistenca e tij në botë. Dhe po këndej, n’për këtë nyjë, do të përftonin lokomotivat që dëbonin, poshtëronin, vrisnin e helmonin atë në kampe dhe gropa të vdekjes.

Tani kjo linjë, në shenjë pieteti e reflektimi deri në përulje, është e mbyllur. Funksionale plotësisht, por, ç’prej ca vitesh, e mbushur bar nga mallkimi dhe braktisja.

Përse kaq vonë?

Ndoshta është pikërisht vonesa që mohon ngutin e qortimit dhe refuzon përgjigjen rutinore. Do të thuhej: dilemë, ëndje e fshehtë revanshi, kalkulim etik, detyrim konjuktural…

Mirëpo, a s’është krejt e kundërta? Betejë me merimangën e harrimit, ndërgjegje që kujdestaron vullnetmirshëm mbi dhimbjen e tjetrit, mbi fajin e tragjedisë..!

Po në Serbi?

Sa trena kanë bartur falanga morti të gatitur e bekuar nga politika, armata dhe, ç’është më zi, nga barinjtë shpirtërorë të grigjës së humbur…

Sa fëmijë janë therë, sa gra shnjerëzuar, sa varre humnerore anë e mbanë – këto çelekulla të nëndheshme t’kohës së re, janë mbushur shqiptarë të pajetë…

Sa qytete e faltore, kopshte të bukura e pragje shtëpish janë rrafshuar me tokën e djegur…

Dhe, ndaj, a ka një të tillë ndjesi dhe linjë memoriale në Serbi?

Aspak dhe asnjëherë!

Përkundrazi. Ka vajtesë kolektive për humbjen dhe, madje, në përpjekjet ringjallëse, trena të stolisur me ornamentikën e kulturës së mnísë, ia mësyjnë linjave të vjetra të krimit..!