LAJMI I FUNDIT:

Sot do të shënohet dita ndërkombëtare e qumështit në Kosovë

Sot do të shënohet dita ndërkombëtare e qumështit në Kosovë

Me moton “Qumështi i vendit tim”, fushata do të shënoj sot ditën ndërkombëtare të qumështit me qëllim informimin e qytetarëve të Kosovës për rëndësinë dhe dobitë e konsumimit të qumështit të freskët dhe të pasterizuar.

Dita ndërkombëtare e qumështit në Kosovë fillon me ceremoninë kryesore më 1 Qershor, e cila do të organizohet me fillim prej orës 9:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Të pranishëm në këtë ngjarje do të jenë shumë mysafir edhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane, USAID, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, Shoqata e Prodhueseve të Qumështit (SHPQK) dhe Shoqata e Qumështoreve të Kosovës (SHQK).

Për të shënuar ditën ndërkombëtare të qumështit do të ketë aktivitete të ndryshme ku do të marrin pjesë të gjitha qumështoret e Kosovës me produktet e tyre dhe në të njëjtën kohë do t’i shpërndajnë produktet e qumështit fëmijëve për të festuar edhe ditën e fëmijëve. Aktivitetet do të përcillen edhe me maskotën e fushatës përmes së cilës fëmijët mund të realizojnë foto te ndryshme. Gjithashtu, në kuadër të ditës ndërkombëtare të qumështit do të vendosen billbordat informative dhe do të filloj përsëri emetimi i reklamës me Lorik Canën në televizionet e Kosovës. Aktivitetet për promovimin e qumështit do të vazhdojnë edhe pas datës 1 qershor me pjesëmarrje në panairet regjionale për prodhime vendore.

Qumështi vendor i Kosovës është i kualitetit të lartë dhe përmban të gjithë përbërësit e nevojshëm si proteinat, hidratet e karbonit, yndyrërat, mineralet, dhe vitaminat. Fushata “Qumështi i vendit tim” është e përkushtuar në promovimin e qumështit të freskët dhe deri më tani ka arritur përmes aktiviteteve të ndryshme të ndikoj pozitivisht në rritjen e konsumit të qumështit te freskët vendor. Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Bujqësisë, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë shitja e qumështi të freskët është rritur me 200% me ç ‘rast qumështoret nga rajonet e ndryshme të Kosovës raportojnë për rritje të shitjes të qumështit të freskët vendor nga 4000 litra në muajt e mëparshëm në 13500 litra në muajt prej marsit të këtij viti.

Përveç rezultateve pozitive në shitjet e qumështit të freskët, suksesi i fushatës “Qumështi i vendit tim” është edhe si rezultat i implementimit të aktiviteteve të ndryshme si promovimeve në emisionet e gatimit, super markete dhe palestra sportive, prezantimeve të realizuara në shkolla dhe kopshte, krijimit dhe publikimit të materialeve promovuese, videove të shkurta, artikujve dhe dëshmive informative nga autoritetet mjekësore në rrjetet sociale dhe mediat online.

Gjithsesi, ndikimi i përgjithshëm i fushatës në promovimin e qumështit të freskët vendor do të konstatohet në fund përmes një sondazhi me qytetarët e Kosovës.

Me anë të kësaj fushate, Shoqata e Prodhueseve të Qumështit (SHPQK) dhe Shoqata e Qumështoreve të Kosovës (SHQK) përmes bashkëpunimit strategjik me partnerët gjegjësisht me USAID-in, Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV) do të vazhdoj në promovimin e qumështit të pasterizuar, si produkt i ri në tregun e Kosovës. /Telegrafi/