LAJMI I FUNDIT:

Softueri malicioz infekton mijëra kompjuterë në 74 vende botërore

Softueri malicioz infekton mijëra kompjuterë në 74 vende botërore

Një numër i madh i organizatave në gjithë botën është përfshirë të premten nga një sulm i hakerëve, të cilët përmes softuerit malicioz kërkojnë para si shkëmbim për funksionimin e serishëm të sistemit.

Kompjuterët në mijëra lokacione janë infektuar dhe për funksionimin e tyre të serishëm programi kërkon 300 dollarë në bitcoin. Raportet për sulme të hakerëve vijnë nga 74 shtete, në mesin e të cilave janë Britania e Madhe, SHBA, Kina, Rusia, Spanja, Italia dhe Tajvani. Shumica besojnë se këto raste janë të ndërlidhura, transmeton KosovaPress.

Një hulumtues i sigurisë së kibernetikës në Twitter ka bërë të ditur se janë zbuluar mijëra raste me softuerin malicioz, i cili kërkon dëmshpërblim në të holla. Një burim i kompanisë Kaspersky tha se numri i rasteve është duke u shtuar, ndërsa në Avast pohojnë se “kjo gjë është e madhe”.

Edhe pse Microsoft në mars njoftoi se kishte publikuar “patch” për këto raste, në shumë kompjuterë nuk janë instaluar sistemet e azhurnuara, ndërsa disa ekspertë besojnë se për sulmin e hakerëve fajtor është programi i njohur si “krimb”, i cili përhapet në mesin e kompjuterëve.

Sulmeve nuk i ka shpëtuar as shërbimi nacional i shëndetësisë së Britanisë së Madhe dhe një numër i madh i kompanive spanjolle. Edhe FedEx është përfshirë nga sulmet, edhe pse nuk është precizuar se në cilat territore bëhet fjalë, ndërsa lajme të ngjashme vijnë edhe nga Portugal Telecom.

Shumë kompani i këshillojnë punonjësit që t’i shkyçin kompjuterët si masë preventive nga sulmet e reja. Check Point, kompani e fushës së sigurimeve, ka bërë të ditur se sot është paraqitur versioni i ri i softuerit malicioz, derisa të tjerët pohojnë se ai përhapet shumë shpejt.