LAJMI I FUNDIT:

Skema e duhur për të ardhurat universale bazike

Skema e duhur për të ardhurat universale bazike

Hartimi i një programi social që i jep çdo shtetasi një shumë fikse të ardhurash në muaj pavarësisht nëse punon apo jo, po rishfaqet fuqishëm te ekonomistët modernë, të cilët mendojnë se kjo do t’i japë fund varfërisë ekstreme.

Skemat e të ardhurës universale bazike (AUB) po marrin shumë vëmendje sot. Sigurisht, ideja – të ofrohet një shumë standarde për të gjithë shtetasit e ligjshëm të një vendi pa lidhje me punën – nuk është një ide e re. Filozofi Thomas More e mbrojti atë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë dhe shumë të tjerë, përfshirë Milton Friedman nga të djathtët dhe John Kenneth Galbraith nga e majta, kanë promovuar variacione të ndryshme të saj përgjatë viteve. Por ideja së fundmi ka fituar më shumë vëmendje, ku disa i referohen asaj si një zgjidhje ndaj përçarjeve ekonomike të sotme të nxitura nga teknologjia. A mund të funksionojë?


Apeli për një AUB i ka rrënjët në tre parime kyçe: ofron një “dysheme” bazë sociale për të gjithë shtetasit; lejon njerëzit të zgjedhin si do ta përdorin ndihëm; dhe mund të ndihmojë në kufizimin e burokracisë në të cilën varen shumë programe të ndihmës sociale. Një AUB do të ishte gjithashtu shumë “freksibël” duke ndihmuar kështu shtetasit të ndryshojë vende pune vazhdimisht, pa u varur te një punëdhënës afatgjatë për sigurie shoqërore apo për atë që janë të vetëpunësuar.

Duke e parë të ardhurën universale bazë si një mjet për të kufizuar varfërinë, shumë nga të majtët e kanë bërë atë pjesë të programit të tyre. Shumë liberalë e pëlqejnë konceptin, sepse jep mundësinë – në fakt kërkon – që marrësit të zgjedhin lirshëm si të shpenzojnë paratë. Edhe më të pasurit ndonjëherë e mbështesin atë, sepse do t’i jepte atyre mundësinë të flenë duke ditur që taksat e tyre më në fund kanë zhdukur varfërinë një herë e mirë.

Koncepti i AUB gjithashtu duket se i pëlqen atyre që përqendrohen te mënyra se si zhvillimi ekonomik mund të zëvendësojë të paktën një pjesë të ndihmës që po i jepet tani të varfërve. Tashmë, programe të ndryshme sociale vendore në Amerikën Latine përmbajnë elementë të idesë së AUB, megjithëse janë shënjestruar te të varfrit dhe zakonisht te një sjellje e caktuar, si të pasurit fëmijë që shkojnë rregullisht në shkollë.

Por, zbatimi i një AUB-je të plotë do të ishte i vështirë, jo vetëm sepse kërkon që t’i jepet përgjigje një numri pyetjesh komplekse rreth synimeve dhe prioriteteve. Ndoshta akti balancues më i qartë lidhet me mënyrën se si paratë do të shpërndahen te çdo shtetas (apo banor i ligjshëm).

Në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, një AUB le të themi prej 2.000 dollarësh në vit nuk do të bënte shumë, duke përjashtuar mbase rastet e varfërisë ekstreme, edhe nëse i shtohej programeve aktuale të mirëqenies sociale. Një AUB prej 10,000 dollarësh do të bënte një ndryshim të vërtetë; por në varësi të sa njerëzve kualifikohen, kjo do të kushtonte sa 10 ose 15 për qind e PBB – një faturë e madhe fiskale, veçanërisht nëse do të ndodhej në krye të programeve sociale ekzistuese.

Edhe me një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga taksat, një e ardhur e tillë bazë do të duhej të vinte si paketë me pakësime graduale të disa prej shpenzimeve publike ekzistuese – për shembull, mbi përfitimet e papunësisë, arsimin, shëndetin, transportin dhe strehimin – për të qenë e përballueshme financiarisht. Sistemi që do të merrte formën përfundimtare do të varej në balancën që këto përbërës do të kishin.

Në tregun e sotëm të punës, që po transformohet nga teknologjitë digjitale, një nga këto tipare më të rëndësishme të një AUB është fleksibiliteti. Në fakt, të këmbëngulësh te një treg pune më fleksibël, pa u siguruar që punëtorët, të cilët përballen me një nevojë të vazhdueshme për t’u përshtatur me shpikjet teknologjike, të mund të mbështeten në rrjetet e vazhdueshme të sigurisë sociale, është si të mbrosh një botë të njëanshme ku punëdhënësit kanë të gjithë fleksibilitetin ndërsa punëmarrësit kanë shumë pak.

Bërja fleksibël e tregjeve moderne të punës për punëdhënësit dhe punëmarrësit njëlloj do të kërkonte një parim thelbësor të AUB, si fleksibiliteti dhe zgjedhja e lirë. Por vetëm liberalët më ekstrem do të thoshin se paratë duhen dhënë pa një politikë garancie. Do të ishte e këshillueshme të krijohet një politikë sociale aktive dhe plotësuese që udhëzon, deri në një farë mase, mënyrën e përdorimit të përfitimeve.

Këtu, një propozim që është shfaqur në Francë, është një hap në drejtimin e duhur. Ideja është të pajiset secili shtetas me një llogari sociale personale që përmban “pikë” shpërblimi të pjesshme. Llogari të tilla do të punonin si një lloj llogarie kursimi, ku zotëruesit e saj do të fitonin një kontribut publik të tyre duke punuar, studiuar apo bërë lloje të ndryshme të shërbimeve kombëtare. Llogaritë do të tërhiqen në kohë nevoje veçanërisht për trajnim dhe mësim të aftësive të reja, megjithëse sasia që mund të tërhiqet do të udhëzohet nga “çmimet” e paracaktuara dhe të kufizohet në një sasi të dhënë gjatë një periudhe kohore të caktuar.

Qasja duket si një kompromis i mirë mes fleksibilitetit dhe zgjedhjes personale, nga njëra anë dhe udhëzimeve të mjaftueshme të politikave sociale, nga ana tjetër. Ajo përmban elementë të sigurisë sociale amerikane dhe llogarive individuale të pensionit, ndërsa reflekton një zotim ndaj trajnimit dhe riaftësimit. Një program i tillë do të kombinohej me një sistem më fleksibël të pensionit dhe kështu do të zhvillohej në një sistem modern dhe koherent të solidaritetit social.

Sfida tani – për ekonomitë e zhvilluara, të paktën – është të zhvillohen sisteme sociale më solidare dhe të forta, të krijohet hapësirë për më shumë zgjedhje individuale në përdorim të përfitimeve dhe të bëhen përfitimet fleksibël. Vetëm duke gjetur balancën e duhur mes zgjedhjeve individuale dhe udhëzimeve të politikave sociale bëhet e mundur që ekonomitë moderne të ndërtojnë programe të sigurisë sociale për të cilat kanë nevojë. /Project Syndicate/reporter.al/