LAJMI I FUNDIT:

S’ka Karton të Gjelbër, vazhdon “plaçkitja” e diasporës

S’ka Karton të Gjelbër, vazhdon  “plaçkitja” e diasporës

Edhe sivjet, sikurse viteve të kaluara, bashkatdhetarët që vijnë me automjete në Kosovë, detyrohen të paguajnë në kufij sigurimin e detyrueshëm të automjetit, që është si haraç që mërgimtarët duhet t’ia paguajnë vendit të origjinës.

Për Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), ky sigurim “ekstra” paguhet pasi “Republika e Kosovës nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila rrjedhimisht e ka pamundësuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane që siguron Kartonin e Gjelbër, si poliaë ndërkombëtare e sigurimeve kufitare për shtetet e Evropës”.

S. Berisha është punon dhe jeton në Zvicër për kati tri dekada. Ai tha se taksat kufitare në emër të Kartonit të Gjelbër, janë një hajni e legalizuar në Kosovë që i vihet në barrë diasporës. Sipas tij, 20 euro për një muaj janë tepër simbolike, sepse dy kafe në një restorant në Cyrih kushtojnë pothuaj kaq.

“Por, i dhimbshëm është fakti se po na i marrin këto para pa falënderim… plus, po duhet të presim me orë të tëra në kufij. Kjo është më shumë maltretuese”, tha Berisha. “Kam dhënë dhjetëra mijëra franga për luftën dhe paraluftën në Kosovë. As sa një cigare e duhanit nuk me janë dhimtë. Sepse e kamë ditur se kjo është taksa që duhet dhënë për lirinë. Por, këto të Kartonit të Gjelbër janë një lloj hajnie”.

Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj). E në rastin e Kosovës, aksidentet dhe lëndimet eventuale i mbulon sigurimi që paguhet në kufij. /albinfo.ch/