LAJMI I FUNDIT:

Sistemi zgjedhor i Kosovës dhe platforma e Serbisë

Platforma e Serbisë për Kosovën po na tregon se kush në Kosovë është përpjekur ta përgatis terrenin për të përmes sistemit zgjedhor. Ndarja e Kosovës në 5-7 zona zgjedhore – përgatitje e terrenit për ndarje administrative të Kosovës. Kosova duhet t’i ketë 60 zona zgjedhore për zgjedhjet kombëtare dhe rreth 420 zona zgjedhore për zgjedhjet lokale.

Është e pamundur të drejtohet shëndetshëm një vend nëse nuk janë të definuar interesat e tij kombëtare; nëse çdo veprim, çdo ligj nuk shihet në dritën e këtyre interesave. Edhe vendet më të përparuara shpesh gabohen në perceptimin e interesave të tyre kombëtare, po të paktën, këto vende frymojnë në këtë drejtim, kurse në Kosovë as që mendohet në këtë frymë.

Kështu, zhvillimet nacionale të Kosovës i përcaktojnë tjerët. Shyqyr Zotit që në drejtimet kryesore ato i përcakton Amerika, por ato punë të Kosovës që për Amerikën janë t’imëta, po na i drejton Serbia.

Kur Kosova nxjerr ndonjë ligj thjesht kopjohet nga ndonjë vend tjetër varianti qe i përshtatët më së shumti atij që është më i zoti në atë moment, dhe jo se çfarë është interesi i Kosovës. Ne kemi dëgjuar propozime të ndryshme për sistemin zgjedhor në Kosovë, por nuk kemi dëgjuar argumentim të asnjërës parti pse pikërisht sistemi i propozuar nga ajo parti qenka më i miri.

Në zgjedhjet kombëtare, Kosova duhet të ndahet në 60 zona zgjedhore përafërsisht të barabarta (1 zonë = përafërsisht 20 mijë votues). Secila nga këto zona zgjedh deputetin e vet. Partitë e propozojnë nga një kandidat. Ato që nuk kanë kandidatë mund të mbështesin kandidatin e ndonjë partie tjetër. 40 deputetët tjerë zgjedhën nga lista proporcionale e partive në bazë të përqindjes respektive të votave duke e korrigjuar përfaqësimin në Parlament. Ta zëmë, nëse që të gjithë 60 deputetet e zgjedhur direkt janë nga radhët e Partisë A e cila në listën e partive ka fituar, ta zëmë, 50% të votave, atëherë 40 deputetet tjerë zgjedhën nga radhët e partive B,C etj varësisht nga përqindja e fituar si lista partiake. Partia mund të krijojë radhitjen e listës në bazë të numrit të votave që kandidati ka fituar në betejat direkte apo në bazë të asaj se sa ka qenë afër fitores në zonën e tij zgjedhore.

Votuesi në zgjedhjet kombëtare të Kosovës voton për deputetin e zonës dhe për listën e partisë së preferuar. Ai ka të drejtë që të votojë, ta zëmë, për kandidatin N që i takon partisë A dhe për listën e partisë A, por mund të votojë edhe për kandidatin N që i takon partisë A ndërsa në listën e partive për partinë B.

Në rast të dorëheqjes apo vdekjes së deputetit apo këshilltarit atëherë zëvendësimi bëhet varësisht nga mënyra se si është zgjedhur deputeti që ka dhënë dorëheqje apo ai që ka vdekur. Nëse deputeti ka qenë përfaqësues zone atëherë në atë zonë organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme. Nëse deputeti është futur në Kuvend nga lista partiake atëherë Partia së cilës i ka takuar deputeti, përkatësisht këshilltari e zgjedh deputetin/këshilltarin e ri.

Përvoja e pasluftës në Kosovë ka treguar se vetëm ndërhyrja ndërkombëtare ka mundësuar zgjedhjen e Presidentit nga ana e Parlamentit. Për të shmangur këtë pengesë Kosovës i duhet një President i zgjedhur direkt. Pothuaj të gjitha shtetet në Ballkan me përjashtim të Shqipërisë e kanë një sistem të tillë. Kroacia, Bosnja, Mali I Zi, Serbia, Rumunia, Maqedonia. Jemi dëshmitarë të problemeve në Shqipëri lidhur me zgjedhjen e Presidentit të saj pikërisht nga fakti se Presidentin e saj e zgjedh Parlamenti e nuk zgjidhet direkt. Pra Kosovës i duhet një sistem presidencial.

Kryetarët e komunave, po ashtu duhet të zgjidhen në mënyrë direkte. Jemi dëshmitarë të abuzimeve të shumta që kanë bërë kryetarët e komunave, por kjo nuk është rezultat i mënyrës së zgjedhjes së tyre. Është ndoshta rezultat i kompetencave por edhe më shumë i mosfunksionimit të sistemit gjyqësor.

Komunat që kanë 41 këshilltarë do të ndaheshin në 25 zona zgjedhore përafërsisht të barabarta (rreth 5000 votuess për zonë zgjedhore). Kështu një fshat i madh ndahet në dy zona ose 2-3 fshatra të vegjël krijojnë një zonë zgjedhore. Një lagje në qytet një zonë. Partitë i kandidojnë kandidatet e tyre për zonat ku kanë kandidatë ose merren vesh të përkrahin kandidatët reciprokë. Pjesa tjetër prej 16 këshilltarëve plotësohet nga proporcionali i partive sepse në kutitë e votimit votuesi voton në tri lista. Në njërën listë voton për kryetarin e Komunës, në tjetrën për përfaqësuesin e zonës (fshatit, lagjes) në Kuvendin Komunal dhe në listën e tretë për partinë e tij të preferuar. Kështu psh. nëse nga 25 këshilltarë komunalë që kanë fituar në zgjedhje të drejtpërdrejta 22 këshilltarë janë të Partisë A, 2 janë të partisë B, ndërsa 1 është i partisë C dhe, në listën e partive partia A ka fituar 51% të votave, Partia B ka fituar 25%, Partia C ka fituar 12%, Partia D ka fituar 8% etj. Atëherë nga 16 kandidatët e proporcionalit nga partia A nuk shtohet asnjë kandidat sepse ajo e ka tejkaluar kuotën e 51% me kandidatë të zgjedhur direkt, Partisë B i shtohen edhe 8 kandidatë nga lista e partisë (2 + 8 = 10 që është përafërsisht 25% i numrit 41), Partisë C i shtohen edhe 4 kandidatë nga lista proporcionale (1+4 = 5 që është përafërsisht 12% i numrit 41), e kështu me radhë.

Komunat që kanë 31 këshilltarë i zgjedhin 21 këshilltarë direkt dhe 10 nga listat e partive. Komunat me 17 këshilltarë i zgjedhin 12 direkt dhe 5 nga listat e partive. Ndersa komunat me 51 këshilltarë zgjedhin 31 direkt dhe 20 nga lista e partive.

Në qytetet e mëdha me dy e më tepër komuna qo të mund të jenë në të ardhmen, votuesit votojnë edhe për kryebashkiakun dhe e zgjedhin atë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Nëse Parlamenti i Kosovës miraton këtë sistem zgjedhor në ligjin për zgjedhjet, atëherë Kosova ka gjasë të krijojë një klasë të përgjegjshme politike.

Ky sistem do të filtronte përgjegjësinë, do të ndihmonte në demokratizimin e partive politike, do t’i detyronte partitë të hidhen në gjah për njerëz me më reputacion dhe do vështirësonte funksionimin e klaneve mafioze brenda partive. Secili problem lokal do të kishte adresë të qartë të përgjegjësisë. E gjithë kjo nuk do të thotë se nuk do të kishim vjedhje votash edhe në të ardhmen, por gjithsesi ky sistem, në thelb, do ta ndihmonte përmirësimin e procesit të votimit në mënyrë të vazhdueshme.