LAJMI I FUNDIT:

Siri, në sulmet ajrore vriten 13 civilë

Siri, në sulmet ajrore vriten 13 civilë

Si pasojë e sulmit ajror në qytezën Eriha pranë qytetit Idlib në veriperëndim të Sirisë, 13 civilë kanë humbur jetën, ndërsa 30 persona kanë ngelur nën rrënoja.

Muhammed Hashim, zyrtar i Mbrojtjes civile në Eriha, për AA tha se “Një avion luftarak për të cilin supozojmë se i përket ushtrisë ruse, ka sulmuar zonat e banuara në Eriha me bomba penetruese”.


Hashim theksoi se si rezultat i bombardimeve jetën e kanë humbur 13 civilë, në mesin e të cilëve edhe gra dhe fëmijë.

“Si pasojë e sulmit ajror, tre ndërtesa u rrafshuan me tokën. Ekipet e Mbrojtjes civile janë duke u përpjekur t’i gjejnë 30 civilët e ngelur nën rrënoja”, shtoi Hashim.

Hashim njoftoi se punimet për pastrimin e rrënojave janë duke u zhvilluar me makina të rënda pune.

Ndryshe, armëpushimi i arritur mes palëve ndërluftuese në Siri nën garantimin e Turqisë dhe Rusisë hyri në fuqi më 30 dhjetor.

Në mbledhjet e Astanas, Turqia, Rusia dhe Irani kishin rënë dakord për krijimin e një mekanizmi monitorues trepalësh për parandalimin e shkeljeve të armëpushimit.