LAJMI I FUNDIT:

Si një vazo e ngjitur japoneze

Si një vazo e ngjitur japoneze
Ilustrim

Alba Malltezi

Kompleksin tonë shkatërrimtar të Rozafës, do të doja ta zëvendësonim me një vlerë që vjen nga Japonia: Kintsugi, ose teknika e ngjitjes me ar, argjend dhe platin, i copëzave të thyera të një vazoje qeramike. E ç’të keqe do te kishte? Pse të mos marrim më të mirën nga eksperienca botërore, nga traditat e më të mirëve. Ashtu siç kemi vlerat tona si shqiptarë, pse të mos bëjmë tonat ato filozofi të urta të atyre popujve që kanë treguar se janë mes më të mirëve e më të civilizuarve?


Për muaj me radhë situata politike në Shqipëri i ngjante mureve të kështjellës së Rozafës, ku dikush vendoste gurët për ta ngritur, e të tjerë i hiqnin në çdo orë të ditës apo të natës. Ndërsa tani me mundim, përkushtim, me ndihmën e madhe të ndërkombëtarëve duket sikur (nëse situatën e shohim si një vazo japoneze qeramike) të jenë ngjitur copëzat.

Ndryshe nga mentaliteti ynë, apo edhe ai i disa vendeve evropiane që parathotë se një vazo e thyer nuk mund të jetë asnjëherë si më parë, japonezët ngulin këmbë: një vazo e thyer, e ngjitur me ar, argjend e platin është më e çmuar, pasi eksperiencat, jeta, e bën atë më të vlefshme. Sipas tyre çdo gjë e thyer, objekt apo marrëdhënie njerëzore, kur ngjitet me durim, teknikë dhe dashuri, bëhet më e vlefshme se më parë.

Nëse vetëm puna që bëjmë do të na dallojë nga fjalët e tepërta që në jetë mund të themi, atëherë, këtë filozofi të thjeshtë, por të çmuar japoneze, përse të mos e bëjmë të përditshmen tonë kudo pozitive, konstruktive: nga marrëdhëniet personale, deri te punët e shtetit. Një vazo e ngjitur mund të bëhet edhe më e çmuar nga sa ishte më parë.