LAJMI I FUNDIT:

Shtyhet gjykimi i deputetëve për hedhje të gazit lotsjellës

Shtyhet gjykimi i deputetëve për hedhje të gazit lotsjellës

Gjykimi i deputetëve Ismajl Kurteshi e Haxhi Shala u shty për shkak të ndërrimit të gjyqtarit të këtij procesi.

Seanca e paraparë të mbahej sot në gjykimin ku të akuzuar janë dy deputet të dy partive opozitare, Ismajl Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Haxhi Shala nga Nisma, u shty për 28 shkurt të këtij muaji.


Arsyeja e shtyrjes së seancës sipas avokatëve të akuzuarve, Naser Sopjani dhe Teuta Zhinipotoku ishte ndryshimi i gjyqtarit të çështjes.

Seanca fillestare e këtij rasti ishte udhëhequr nga gjyqtari Faik Hoxha i cili tashmë ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, ndërsa lënda tani i është ndarë gjyqtarit Vehbi Kashtanjeva.

Pas mbajtjes së seancës fillestare dhe deklarimit të akuzuarve, avokatët kishin paraqitur kundërshtimet e tyre fillimisht në Gjykatën Themelore por pasi ishin refuzuar nga kjo gjykatë, i ishin drejtuar Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit kishte gjetur shkelje në vendimin për refuzimin e kundërshtimeve të avokatëve duke e kthyer rastin në rivendosje.

Me vendimin e saj, Gjykata e Apelit e obligon Gjykatën Themelore që të evitojë shkeljet e evidentuara dhe të arsyetojë vendimin e saj për refuzimin e kundërshtimeve të aktakuzës.

Deputeti Haxhi Shala ishte arrestuar më 30 nëntor të vitit 2015 nën dyshimin për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës. /kallxo.com/