LAJMI I FUNDIT:

Shtrenjtimi i rrymës ngrit tensionet sociale

Shtrenjtimi i rrymës ngrit tensionet sociale

Njohësit e ekonomisë alarmojnë se rritja e çmimit të energjisë elektrike si dhe çdo rritje eventuale do të dëmtojë rëndë konsumatorin, pasi sipas, tyre kjo ngritje është e papërballueshme për xhepin e qytetarëve.

Ekspertët kanë thënë se me rritjen e çmimit të rrymës përveç që vështirësohet jeta e qytetarëve mund edhe të shpërthejnë pakënaqësi sociale.

Lumir Abdixhiku nga instituti “Riinvest” konsideron se çdo rritje e çmimeve përballë stagnimit në rritjen e të ardhurave paraqet një goditje të rëndë për çdo qytetar, veçanërisht kur kjo rritje e çmimit bëhet në një produkt gjithëpërfshirës siç është energjia elektrike.


“Kosovarët në 4-5 vitet e fundit kanë përjetuar rritje mesatare të çmimeve për plot 25 për qind, pra një normë e inflacionit jashtëzakonisht e rëndë, prandaj them se vendi ynë ka nevoje për produktivitet, vende të punës e rritje të fuqisë blerëse e jo për rënie të saj”, ka thënë Abdixhiku për Telegrafin.

Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori” thotë se rritja e çmimit të energjisë është refleksion i periodave vjetore, që po varfëron qytetarët. “KEK-u është duke e varfëruar xhepin e konsumatorit çdo ditë e më shumë nuk po krijon me konsumatorin marrëdhënie partneriteti po e ka shndërruar konsumatorin në një mjet eksperimentues duke mos marrë parasysh nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Kaçaniku.

Sipas tij, KEK-u shpesh e ngrit çmimin e energjisë me arsyetimin se edhe vendet e rajonit janë dukë e bërë të njëjtën gjë, mirëpo KEK-u nuk plotëson as për së afërmi standardet e kërkuara. “Edhe herën e fundit presioni prej qytetarëve ka ndikuar që në vitet 2010 dhe 2011 që zyra e rregullatorit të ulë dukshëm çmimin e energjisë”.

Kaçaniku thotë se presioni do të jetë i vazhdueshëm dhe i pandërprerë për uljen e tarifave të energjisë.

Kurse, drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS) Ibrahim Rexhepi ka thënë për Telegrafin se shtrenjtimi i energjisë elektrike mund të jetë edhe një arsye shtesë për tensione sociale, pasi për shumë kohë Kosova ka mbetur sinonim i varfërisë, papunësisë, korrupsionit, mosfunksionimin e shtetit ligjor duke marrë parasysh se qeveria nuk ka ndonjë program shtesë social, me qëllim që të ndihmojë konsumatorët që nuk kanë fuqi pagese.

“Shtrenjtimi i energjisë elektrike ka rrezik qytetarët ta ndiejnë edhe te artikujt e tjerë, meqenëse energjia ka një pjesëmarrje të lartë në koston e prodhimit të disa artikujve. Me ketë rast kam parasysh artikujt e shportës, e cila është problem të mbulohet me nivelin e pagave të pjesës dërmuese të kosovarëve”, ka thënë Rexhepi. /Telegrafi/