LAJMI I FUNDIT:

Shtohen “milionerët” në Shqipëri! (Video)

Shtohen “milionerët” në Shqipëri! (Video)

Numri i individëve që kanë të ardhura vjetore mbi 15 mijë euro në vit, u rrit me 18.3 për qind vitin e kaluar. Të dhënat bëhen publike nga administrata tatimore.

Ligji shqiptar detyron çdo person që realizon të ardhura mbi dy milionë lekë ose 15 mijë euro në vit, të dorëzojë në Tatime deklaratën e të ardhurave vjetore. Në këtë dokument individi deklaron të ardhurat që ka fituar për gjithë vitin paraardhës nga paga, qiratë e pronave apo dividenti, pa përfshirë fitimin nga biznesi i vogël.

Sipas Tatimeve, në vitin 2015 pati vetëm 6.340 qytetarë të cilët fituan më shumë se 2dy milionë lekë të ardhura për gjithë vitin. Por, vitin e kaluar lista u shtua dhe me 1.200 persona të tjerë, duke arritur në 7.500 vetë.

Të dhënat tregojnë se numri i personave të cilët fitojnë mbi 15 mijë euro në vit po rritet në mënyrë të qëndrueshme. Por, sërish mbetet i ulët në raport me numrin total të të punësuarve, përkatësisht vetëm 1.2 për qind e tyre – pa përfshirë të punësuarit në sektorin bujqësor.

Sistemi tatimor në Shqipëri i takson në mënyrë progresive të ardhurat e individëve me tre shkallë të ndryshme tatimore, 0-13 dhe 23 për qind. Kjo rrit rrezikun për evazion, pra që shumë individë të mos deklarojnë të ardhurat reale. Por, rritja e vetëdeklarimeve tregon se qytetarët janë ndërgjegjësuar, ose ekonomia ka prodhuar më shumë milionerë sipas standardit shqiptar. /Top Channel/