LAJMI I FUNDIT:

Shtatë herë iku nga burgu

Shtatë herë iku nga burgu

Është arratisur shtatë herë nga burgjet e Kosovës, dhe tashmë ikja i duket aq e lehtë sa që haptas e thotë se mund të arratiset prapë edhe në vitin 2013. Mundësitë për ikjen e radhës nuk e mban të fshehtë, madje për këtë plan u ka treguar edhe udhëheqësve të Burgut të Dubravës. Është ky 27-vjeçari Faton Hajrizi nga Komuna e Skënderajt, i cili po vuan tashmë dënimin prej 25 vjetësh, prej të cilave 7 vjet i ka kaluar deri sot, por i ka kaluar edhe gati gjashtë të tjera për një vrasje që kishte kryer si i mitur.

I njohur për ikjet e tij spektakulare, Hajrizi tregon për aventurat e tij arratisëse gjatë një bisede për gazetën që u zhvillua në dhomën e vizitorëve në Burgun e Dubravës.Hajrizi qëndron në pavionin e sigurisë së lartë në këtë burg, i cili shtrihet në një hapësirë prej gjithsej 107 hektarësh në komunën e Istogut.Muaji dhjetor i vitit që lamë pas, Burgun e Dubravës e ka gjetur me mbi 1000 më burgosur, prej të cilëve 28 konsiderohen të jenë persona të rrezikshmërisë së lartë, tretmanin e të cilëve e ka edhe Faton Hajrizi.

Nuk ka kaluar shumë kohë, prej ikjes së tij të fundit në muajin gusht të 2012-ës, prandaj ai ende mban patericat nga thyerja e këmbës që kishte pësuar teksa kishte tentuar arratinë nga Burgu i Prizrenit.“Këtë vit ka qenë hera e shtatë që kam ikur edhe për këtë ikje e pata paralajmëruar shefin e sigurimit në burg se do ta bëj. Unë jam i dënuar me vendim të plotfuqishëm dhe nuk e kam cilësinë e të paraburgosurit. Pikërisht pse nuk më mbanin në vend ku duhet të mbahen të dënuarit unë edhe kam ikur”, tregon Hajrizi, shkruan “Zëri”.

Në Burgun e Prizrenit ai ishte transferuar nga Prishtina derisa në këtë të fundit ishte sjellë nga Dubrava për shkak të një problemi që kishte pasur me një të burgosur tjetër.

“Unë e kam pas një problem me një të burgosur por pavarësisht problemit mu nuk është dashur të më dërgojnë në vend me të paraburgosur. Më dërguan në Prizren dhe e paralajmërova shefin e sigurimit, i thash se do të ik. Më tha nëse ik do të gjuaj e do të vras”, tregon Hajrizi.“Besën po ta jap që do të ik”, tregon ai fjalët që ia kishte thënë shefit të sigurimit Hysret Celajt.

Sikur çdo i burgosur edhe Fatonin e kishin lënë të dilte në shëtitore. Kishte dalë dy-tre ditë radhazi, ku edhe e kishte vëzhguar terrenin dhe vendin e përshtatshëm prej nga mund të ikte. “Më 11 gusht jam dalë në shëtitore. E pashë oficerin që më ruante po në një moment ai nuk ka parë dhe për gjashtë sekonda jam kapë për olluku e jam ngjitur në kulm. Atëherë më ka vërejtur oficeri. Ka gjuajtur tre herë në mua. Unë pas gjuajtjeve kam kërcyer në tokë, ku edhe e kam thyer këmbën”, thotë Hajrizi.

Në pamundësi për të ecur, ai ishte ndalur në një qebaptore, ku edhe ishte arrestuar pas pak minutash. “Më duket se ajo gruaja e qebaptores e pati lajmëruar policinë se ku gjendem”, tregon Hajrizi.

Me t’u arrestuar Faton Hajrizin e kishin rikthyer për gjysmë ore në Burgun e Prizrenit. Aty kishte shkuar për ta vizituar shefi i sigurimit të burgut, Hysret Celaj. “Shpëtove a?”, më tha ai. I thash po vallë shpëtova unë pa ikë e shpëtove ti pa të vra se sikur të iksha ti gjallë nuk do të ishte”, thotë Faton Hajrizi.

Por jo vetëm me shefin e sigurimit të Burgut të Prizrenit ai ishte arratisur për të qëruar hesapet. Vendimin prej 25 vjetësh burgim ai e quan të padrejtë, andaj thotë se ka punë ende jashtë për të qëruar hesapet edhe me shtatë persona të tjerë, kryesisht punonjës të drejtësisë në vend. Tash e 12 vjet të qëndrimit në burg, Hajrizi thotë se i janë bërë shumë padrejtësi dhe pikërisht këto thotë se e kanë “detyruar që të arratiset”.

Hajrizi ishte arratisur për herë të parë në vitin 2000. Ai ishte arratisur nga duart e ushtarëve të KFOR-it. Këta të fundit po e mbanin për shkak se Hajrizi me të përfunduar lufta në Kosovë, e kishte vrarë një ushtar rus që po shërbente në Kosovë, dhe atë pasi që ia kishte rrëmbyer të njëjtit armën nga dora. “Me armën e tij që e kreva vrasjen, shkova e u dorëzova në KFOR. Ata për tre ditë e tre net më mbajtën me duar e me këmbë të lidhura dhe pasi që i zgjodhën këmbët, me duar të lidhura pata ikur”, tregon Hajrizi ikjen e tij të parë.

Këtë vrasje e kishte kryer pasi që thotë se ishte ofenduar nga ushtari rus.

“Unë shkova duke menduar që është ushtar amerikan dhe thash të shkoj ta falënderoj për kontributin në Kosovë. Ai ia nisi me fol serbisht dhe u shtymë me llafe dhe ia mora armën dhe e vrava”, thotë Hajrizi.

Ushtarin rus e kishte vrarë kur Hajrizi kishte qenë në moshën 15-vjeçare. Si i mitur, ai ishte dënuar për vrasje me pesë vjet burgim. Shkalla e dytë ia kishte shtuar edhe një vit. Derisa e kishte marrë këtë dënim, Hajrizi thotë se brenda pesë muajve ka ikur katër herë nga qendra e paraburgimit, por pas disa javësh çdoherë është zënë.

Burgun për vrasje e kishte përfunduar në shtator të 2005-tës dhe krejt ikjet deri në atë periudhë thotë se i ka bërë si rezultat i presionit që i është bërë për t’ia lënë fajin e vrasjes “eprorëve të mi të luftës”. “Dola nga burgu. Nuk e gjeja veten në liri. Eprorët e mi nuk më dhanë kahun dhe u lidha me një shoqëri të keqe”, thotë Hajrizi.

Me këtë shoqëri ai kishte kryer grabitje në Mitrovicë. Sërish ishte arratisur, kësaj radhe nga Burgu i Pejës. Thotë se ishte arratisur për shkak se e kishte kryer një grabitje, ndërsa në aktakuzë e kishin akuzuar për pjesëmarrjen në 35 sosh.

“U arratisa dhe shkova në Gjermani. Atje më kanë arrestuar dhe më kanë sjellë në Kosovë në 2006-tën”, thotë Hajrizi. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Kalo në kategori