LAJMI I FUNDIT:

Shqiptari tenton mashtrimin 50 milionë dollarësh

Shqiptari tenton mashtrimin 50 milionë dollarësh

Një supermashtrim tentuan të kryejnë dy shtetas grekë dhe një shqiptar në një bankë greke.

Ngjarja ndodhi në qytetin e Janinës mesditën e së premtes, në kohën kur 60-vjeçari shqiptar, i shoqëruar nga avokati i tij grek, 55 vjeç, dhe një shtetase greke 40 vjeçe, tentuan të këmbenin në filialin e Bankës Kombëtare të Greqisë një çek me vlerë 50 milionë dollarë, që sipas tyre ishte produkt i një shitblerjeje prone në SHBA.


Autoritetet greke u njoftuan prej drejtorit të bankës lidhur me kërkesën e tre të dyshuarve dhe menjëherë filloi verifikimi i çekut, i cili rezultoi të ishte i falsifikuar. Ekspertë të policisë thanë se cilësia e falsifikimit ishte shumë e lartë.

Menjëherë tre personat u arrestuan dhe u dërguan në Drejtorinë e Policisë së Janinës. Më pas, agjentët gjetën në banesën e njërit prej të arrestuarve disa vula dhe dokumente të falsifikuara që kishin lidhje me ngjarjen në fjalë. Nga verifikimet e kryera mbi tre të arrestuarit rezultoi se 40-vjeçarja greke ishte dënuar 3 herë në mungesë.

Këtë të shtunë, të arrestuarit u dërguan në mesditë në Gjykatën e Janinës, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundim të hetimeve. Kjo është një nga tentativat më serioze për mashtrim me çeqe të falsifikuara të kryera vitet e fundit në Greqi.