LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri, bie paga mesatare në privat

Shqipëri, bie paga mesatare në privat

Paga mesatare në sektorin privat të ekonomisë ra gjatë vitit 2012 për tre tremujorë radhazi. Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i pagës mesatare në ekonomi shënoi rënie vjetore me 5.6 për qind në tremujorin e tretë 2012. E indeksuar me normën e inflacionit, paga reale shënoi rënie vjetore 8.1 për qind. Banka Qendrore vlerëson se kërkesa e ulët për punë nga bizneset gjatë vitit 2012 është shoqëruar me reduktimin e pagave.

Rënia e pagës, ndërkohë që numri i të punësuarve është rritur, tregon se përshtatja e tregut të punës me kushtet në të cilat operon ekonomia vendase mund të ketë ndodhur kryesisht nëpërmjet uljes së pagave. Treguesi i kostove të punës për njësi të prodhuar në sektorin privat jobujqësor, vijoi të shënojë rënie vjetore dhe në tremujorin e tretë u tkurr me 2.8 për qind.

Kjo tregon se presioni inflacionit nga kosto e krahut të punës ka qenë i dobët dhe Banka e Shqipërisë pret që të vazhdojë të mbetet i tillë.

Ndërsa në sektorin privat pagat janë ulur, në sektorin publik paga mesatare ka vazhduar rritjen, duke shënuar normën vjetore prej 7.6 për qind në vlerë nominale ose 4.7 për qind në terma realë. Treguesi i produktivitetit të punës në tremujorin e tretë 2012 pësoi sërish një rënie vjetore me 5.5 për qind. Kjo është shkaktuar nga një rritje e dobët e prodhimit në ekonomi gjatë vitit të kaluar, rritje që, me sa duket, ka qenë më e ulët se rritja e punësimit. /Telegrafi/