LAJMI I FUNDIT:

I “shpëtoi” trafikimit në kufi me Kosovën, u bë tutore e prostitutave në Tiranë (Video)

I “shpëtoi” trafikimit në kufi me Kosovën, u bë tutore e prostitutave në Tiranë (Video)

Maria Th., 26-vjeçarja nga Korça që u vu në pranga si organizatore e një rrjeti të prostitucionit në Tiranë, nuk është një emër i panjohur për policinë. Fillimisht ajo ka qenë vetë e shfrytëzuar për prostitucion nga një rrjet që u shkatërrua në tetor të vitit të kaluar nga uniformat blu.

Falë operacionit “Rekrutimi” që policia e Tiranës zhvilloi në tetor të 2016-s në pikën e kalimit kufitar të Morinës, 26-vjeçarja i shpëtoi trafikimit drejt Gjermanisë, ku do të shfrytëzohej së bashku me një vajzë tjetër për prostitucion. Trafikimi i vajzave kryhej me anë të taksive drejt Kosovës, ndërsa e përfshirë ishte edhe një shtetase rumune me banim në Gjermani.

Në atë kohë, policia arrestoi pesë persona ndërsa dy vajzat u proceduan në gjendje të lirë për shkak së ishin viktima të trafikut. Por, mesa duket, Maria i është rikthyer aktivitetit të paligjshëm me një tjetër grup që operonte në kryeqytet, por këtë herë jo më si punëtore seksi po si organizatore dhe tutore që rekrutonte vajza dhe negocionte për tarifat.

Pagesat varionin nga 50 deri 100 euro dhe shërbimi ofrohej edhe në grup, si në rastin e arrestimeve në flagrancë që policia e Tiranës zhvilloi gjatë operacionit “Free Time” në një hotel në periferi të kryeqytetit.

Operacioni Free Time u krye nga Policia e Tiranës mbrëmjen e 20 marsit.