LAJMI I FUNDIT:

Shpërblehen më të mirët e 2012-s në bujqësi

Shpërblehen më të mirët e 2012-s në bujqësi

Për të arriturat në sektorë të ndryshëm të bujqësisë gjatë vitit 2012, Ministria e Bujqësisë ka shpërblyer me mekanizëm bujqësor në vlerë prej rreth 20 mijë euro gjithsej 17 fermerë, si më të dalluarit e këtij viti. Ndarja e këtyre shpërblimeve, që sivjet janë financuar nga programi i USAID-it “Mundësitë e reja për bujqësi”, është bërë sot në manifestimin tradicional “Fermeri i vitit 2012”, ku fermeri më i mirë është shpërblyer me një multikultivator në vlerë prej rreth 5 mijë euro, ndërsa 16 fermerët e tjerë me mekanizëm bujqësor në vlerë prej rreth 800 euro.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se fermerët kosovarë kanë përparuar dukshëm dhe sivjet përveç mirënjohjeve, ata po shpërblehen edhe me mekanizëm bujqësor dhe kjo sipas tij është vetëm një pikënisje e re për të avancuar edhe më shumë sektorin e bujqësisë. “Nëse i shohim rezultatet e këtij viti, ne vërejmë se fermerët tanë kanë përmirësuar dukshëm aftësitë konkurruese dhe kanë rritur prodhimtarinë bujqësore. E puna e tyre neve na detyron që në vitet e ardhshme t’i shtojmë përpjekjet që të rrisim buxhetin dhe përkrahjen edhe më shumë për bujqësinë, i cili është njëri prej sektorëve më premtues në ekonominë kosovare”, tha ministri Stavileci.

Ai tregoi se gjatë këtij viti kanë arritur të shtojnë përkrahjen financiare për fermerët në sektorë të ndryshëm të bujqësisë dhe nga skemat e përkrahjes së drejtpërdrejt financiare kanë arritur të përfitojnë rreth 19 mijë fermerë. Ministri Stavileci, gjithashtu theksoi se nëpërmjet investimeve që i kanë bërë viteve të fundit në këtë sektor, kanë krijuar 2175 vende të reja të punës, si dhe kanë mbështetur më shumë se dhjetë mijë vende ekzistuese. Ndërsa, 3407 persona që kanë qenë në listat e punëkërkuesve, tashmë kanë gjetur punë në sektorin bujqësisë.

Në anën tjetër, fermeri më i mirë i vitit Xhevdet Morina, i cili u shpall edhe fermeri më i mirë i këtij viti, tha se përmes mbështetjes, të cilën viteve të fundit e ka marrë nga Ministria e Bujqësisë, ka arritur që t’i shtoj kapacitetet prodhuese dhe përpunuese në fermën e tij. “Gjatë këtyre tri viteve të fundit, përmes mbështetjes të cilen po e jep Ministria e Bujqësisë, vlerësoj se ka filluar të kthehet besimi i fermerëve në suksesin e veprimtarive bujqësore dhe blegtorale, të cilat tash kanë filluar të shtohen edhe më shumë”, tha Morina.

Ndryshe, 17 fermerët më të dalluar të sektorëve dhe nënsektorëve të bujqësisë dhe blegtorisë për vitin 2012 janë: Xhevdet Morina, Xhezair Kolloni, Ibrahim Kamberi, Sylejman Halili, Agim Mazreku, Xhavit Mulaj, Fatih Mazrek, Ilaz Selimi, Milazim Berisha, Besim Rexha, Pajtim Konushevci, Agim Blakaj, Erton Namoni, Nehat Bixhaku, Nevruz Malazogu, Njazi Ibrahimi dhe Sylbije Sahiti.

Në kriteret e përgjithshme të përzgjedhjes së fermerëve, si kriter kryesor ka qenë mospërzgjedhja e fermerëve të zgjedhur në vitet e kaluara. Ndërsa, tek kriteret specifike, rëndësi me theks të veçantë i është kushtuar madhësisë së fermës, kapacitetit prodhues dhe përpunues, cilësisë së ushqimit, etj. /Telegrafi/