LAJMI I FUNDIT:

Shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri: Çka mund të thotë Gjykata Kushtetuese?

Shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri: Çka mund të thotë Gjykata Kushtetuese?
-->

Alban Krasniqi

Ky artikull synon të jetë një kontribut modest në debatin mbi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK).

Dilema që shtrohet këtu është se a është e mundur, në kuptimin juridik-kushtetues, që të bëhet transformimi i funksioneve aktuale të FSK-së. Përgjigja në këtë pyetje do të varet nga lloji i funksioneve që dëshirohet të tranformohen.

Para se të hapim çdo argument në këtë drejtim është e nevojshme të ofrohet një kontekst i thjeshtësuar i doktrinës juridike mbi Kushtetutën, ligjin dhe hierarkinë në mes tyre, si dhe raportet e këtyre akteve me pushtetet në Kosovë. Kjo pasi që synimi i autorit është që ky artikull të jetë i kuptueshëm nga qytetarë të zakonshëm dhe jo vetëm nga ata me shkollim nga fusha juridike.

Parimi i përgjithshëm dhe shprehja tepër teknike që “Kushtetuta është akti më i lartë juridik në Kosovë” nënkupton që populli i Kosovës, përmes të zgjedhurve të vet, ka vendosur këtë tërësi të normave si prioritare në raport me normat e tjera. Arsyeja pse këto norma kanë rëndësinë më të madhe në sistemin juridik të një vendi kryesisht rrjedhin nga legjitimiteti që ky dokument-Kushtetuta ka. Pra, për dallim nga ligjet e zakonshme, Kushtetuta miratohet dhe ndryshohet me më shumë vështirësi. E arsyet për këtë kanë të bëjnë se shoqëritë me kalimin e kohës kanë dashur që ta bëjnë të vështirë, gati të pamundur, që të bëhen ndryshime të shpeshta të Kushtetutave.

Parimisht Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka përcaktuar që Forca e Sigurisë së Kosovës kryen funksionet e veta si përcaktohet me ligj (Kushtetuta, 125.2). Kjo në kuptimin juridik shpjegohet dhe ka rendësi të dyfishtë. E para ka të bëjë me ligjshmërinë e funksioneve të Forcës së Sigurisë dhe kontrolli i saj përmes institucioneve të zgjedhura – Kuvendit. E dyta dhe më me rendësi është një çështje edhe doktrinale. Kur hartohet Kushtetuta, çdo fjalë ka rëndësinë e vet si e ndarë, por edhe në kontekstin e saj. Nëse nisemi nga ky parim, atëherë kjo na lenë të kuptojmë që kushtetutëbërësit kanë lënë që funksionet e këtij institucioni (FSK-së) të rregullohen nga Kuvendi.

Pse është me rendësi të analizohet kjo pjesë e Kushtetutës? Rëndësia e kësaj norme qëndron në funksionin e delegimit të kompetencës. Dhe kjo fjali na obligon të sjellim edhe pak teori kushtetuese në këtë shkrim – me idenë që të mos teprohet me këtë.

Kur interpretohet Kushtetuta ajo interpretohet në tërësinë e saj. Kushtetuta e Kosovës ka disa karakteristika që e përcjellin tërësinë e saj. Një nga ato karakteristika është ndarja e pushteteve dhe kontrolli reciprok ndërmjet tyre – përmes Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese si interpretues përfundimtar të saj. Ajo që kuptojmë nga ky nen, dhe që pritet që edhe Gjykata Kushtetuese të kuptonte kësisoj, është që qëllimi i kushtetutbërësve ka qenë që me Kushtetutë vetëm të prezantohet Forca e Sigurisë së Kosovës kurse tërësia e fushëveprimtarisë dhe funksioneve të saj të rregullohen me ligj ashtu si populli i Kosovës- përmes të zgjedhurve të tyre- e shohin të nevojshme.

Megjithatë, si çdo gjë në të drejtën kushtetuese, ka disa argumente mbështetëse por edhe disa që mund të shkojnë kundër asaj që sapo u tha.

Argumenti mbështetës, që Gjykata Kushtetuese mund të trajtonte nëse rasti do të shkonte para saj, do të ishte pak a shumë kësisoj. Kushtetuta ka autorizuar Kuvendin që të përcaktoj me ligj kompetencat e Forcës së Sigurisë së Kosovës rrjedhimisht Kuvendi ka fuqinë kushtetuese që të bëjë ligjin/ligjet e nevojshme në atë drejtim. Për më tepër, një kompetencë e tillë tashmë është ushtruar nga Kuvendi i Kosovës njëherë në vitin 2012, me rastin e miratimit të Ligjit nr.04/L115– ligji për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare – i cili ligj ndryshon ligjin e pare për FSK-n që ishte bërë në 2008.

Argument sfidues do të ishte pak a shumë si vijon. Aktualisht Forcës së Sigurisë së Kosovës i mungojnë kompetencat (funksionet) e mbrojtjes. Kjo del nga paragrafi i pare i nenit 125 ku ky institucion definohet si “force kombëtare e sigurisë”. Sado që Kuvendi ka kompetencë për caktimin e kompetencave të një institucioni me ligj, prapë se prapë Kuvendi nuk mund të ndërrojë natyrën e një institucion nga natyra që Kushtetuta ka përcaktuar për atë institucion. Kjo sepse një gjë e tillë në kuptimin doktrinal do të zhvleftësonte rëndësinë e pasjes së Kushtetutës. Nëse Kuvendi mundet që përmes ligjeve të zakonshme të ndryshoj në substancë përmbajtjen e Kushtetutës do të ishte në kundërshtim me vet parimin e ndarjes së pushteteve. Nëse sot Kuvendi do ta bënte këtë ligj për transformimin e FSK-s çka nëse pas një kohe Kuvendi vendos t’ia ndërroj funksionet e Qeverisë? Apo të vetë Gjykatës Kushtetuese? A do të mund të bëheshin, sipas kësaj praktike, ndryshime të këtilla vetëm përmes ligjeve? Dyshoj se një gjë e tillë është parimisht dhe teorikisht e pa arsyetueshme.

Në kuptimin doktrinarë dhe parimor kjo gjë është e pa lejueshme dhe për më tepër do të vendoste një precedent të rrezikshëm kundër parimit të ndarjes dhe kontrollit reciprok të pushteteve – të cilin Gjykata Kushtetuese është e thirrur ta mbrojë sipas Kushtetutës.

Kjo na sjell tek pjesa tjetër e këtij trajtimi mbi argumentet juridike për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Për ta parë (pa)mundësinë e ndryshimeve substanciale të FSK-së vetëm përmes ligji ne duhet ta shohim Kushtetutën në tërësinë e saj përsa i përket kësaj sfere. Dhe nga analiza e të gjitha normave kushtetuese rezultojnë argumentet vijuese.

– Pa amendementim të Kushtetutës, Republika e Kosovës nuk ka pushtet mbi mbrojtjen dhe nuk ka institucione të mbrojtjes.

Kjo pasi që sipas nenit aktual 125 të Kushtetutës, ekziston vetëm “Sektori i Sigurisë” dhe jo edhe “Sektori i Mbrojtjes” si dhe ka ekzistojnë vetëm “institucionet e sigurisë”, por jo edhe ato të “mbrojtjes” që do të ishte në misionin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

– Pa amendamentim të Kushtetutës, Mekanizmi i ri i (që do të themeloheshin me ligj) nuk do të mund të quhej Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) apo Ushtria e Kosovës apo asgjë tjetër përveq emërtimit që tani ka.

Kjo sepse Kushtetuta në tërësinë e institucioneve të Replikës së Kosovës ka paraparë që një nga to të jetë “Forca e Sigurisë së Kosovës”. Hapi i pare në çdo lloj interpretimi kushtetues është i ashtuquajturi interpretim tekstual. Kjo do të thotë që Gjykatat apo institucionet e tjera të thirrura të interpretojnë Kushtetutat nëpër botë, gjëja e pare që bëjnë, para çdo hapi tjetër, në procesin interpretues është shikimi i vet tekstit kushtetues.

Një argument kundër kësaj që sapo u tha do të ishte fakti që tashmë Gjykata ka trajtuar njëherë çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës. Në rastin Ko 44/14 Gjykata ka deklaruar se ndryshimi i emërtimit nuk është kundër Kushtetutës (nuk pakon të drejtat e garantuara me kapitullin 2 dhe 3 të saj). Por, duhet të mbajmë parasysh se Gjykata në atë rast është deklaruar për një ndryshim përmes Amendamentit kushtetues dhe jo përmes një ligji.

Një çështje tjetër që duhet trajtuar në këtë debat është fakti se Kontrolli i Kushtetutshmërisë së Ligjeve dhe Kontrolli i Kushtetutshmërisë së Amendamenteve Kushtetuese janë dy procese të ndara dhe me kritere të ndryshme. Sipas Kushtetutës, Gjykata kontrollon vetëm se a janë amendamentet kushtetuese në kundërshtim me Kapitullin II dhe III. Këto kapituj rregullojnë Të Drejtat e Njeriut dhe Të Drejtat e Komuniteteve. Pra, përderisa një Amendament nuk pakon të drejtat e garantuara me këta kapituj, Gjykata Kushtetuese nuk ka fuqi që ndaloj ndonjë amendament.

Kurse, përsa i përket kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve, Gjykata kontrollon “përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën” (Kushtetuta, Neni 113 1.1.) Kur Gjykata kontrollon ligjet ato i kontrollon për përputshmërinë e tyre me tërë tekstin dhe frymën e Kushtetutës. Pra, edhe me pjesët ku, si e cekëm më lartë, sipas Kushtetutës Republika e Kosovës nuk ka kompetenca mbi “mbrojtjen”. Ky fakt duhet të kihet parasysh nga hartuesit e çfarëdo drafti për ligjin e ri eventual për këtë Institucion.

Nëse do të mund të nxirrnim disa përfundime nga tërë kjo që u tha në këtë artikull ato do të mund të përmblidheshin si vijon:

– Çështja e transformimit eventual të FSK-s ka komponenten kushtetuese dhe ligjore brenda saj,

– Parimisht, Kuvendi është me kompetencë të plotë për të caktuar funksionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës,

– Por, kompetenca e kuvendit nuk mundet të cenojë vetë dispozitat e Kushtetutës,

– Çdo ndryshim që prek emërtimin apo funksionet bazë dhe i bënë ato të ndryshme me mënyrën aktuale të rregullimit Kushtetues, me gjasë do të shpallej jo-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.