LAJMI I FUNDIT:

Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore

Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore

Fejaz Drançolli

Marset e viteve 1999 dhe 2004 janë muajt e shkatërrimeve të trashëgimisë në Kosovë. Gjatë luftës shqiptare-serbe më 1998-1999, vetëm për tre muaj (24 mars – 12 qershor 1999), të planifikuara nga institucionet më të larta si dhe nga vet shteti serb u plaçkitën u dogjën dhe u rrënuan afro 2700 ndërtime arkitekturale, vepra të trashëgimisë historike-kulturore e fetare. Ndërkaq, në mars të vitit 2004, pas vrasjes së tre fëmijëve në Mitrovicë dhe djegies së Xhamisë në Beograd dhe tjetrës në Nish, më 17 mars, në Kosovë shpërthyen trazirat dhe nga individë të paidentifikuar deri më tani, u dogjën apo u demoluan 17 kisha ortodokse në Kosovë, si dhe disa objekte banimi në Nënkalanë e Prizrenit gjatë 17 e 18 marsit të vitit 2004. Pesë kishat e djegura ishin kryesisht të ndërtuara në mes të dy luftërave botërore, si dhe të periudhës pas luftës së Dytë Botërore. Asnjë monument i periudhës paleokristiane, përkatësisht të riadaptuara dhe të përshtatura liturgjisë së kohës të shekullit XIII e XIV nuk u demoluan dhe nuk u dogjën.

Pos keqtrajtimeve, përbuzjeve, burgosjeve, masakrimeve, përdhunimeve dhe dëbimeve masive të popullatës shqiptare, politika shtetërore millosheviqiane plaçkiti, dogji, granatoi dhe shkatërroi një pjesë të madhe të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Njëherësh duhet cekur se nga autori i tekstit u përgatit dhe u hap ekspozita e fotografive të monumenteve të shkatërruara. Kjo ekspozitë u prezantua në disa shtete si në Shqipëri (Tiranë), Turqi (Ankara, Stamboll dhe Bursa) në Austri (Vjenë) e Prishtinë. Këtu u prezantua një pjesë e djegieve, rrënimeve, dëmeve dhe përgjithësisht barbaria ndaj monumenteve, trashëgimisë kulturore – historike shqiptare të kryera nga forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 e deri më 12 qershor të vitit 1999. Monumentet e shkatërruara të trashëgimisë kulturore u takojnë shek. XV-XIX.

Trashëgimia kulturore e Kosovës kishte fat të dyllojshëm: koha ishte një ndër faktorët evidentë, por që në një mënyrë përballohej disi, kurse shkatërrimet e planifikuara, në kushtet e okupimit serb, e posaçërisht gjatë ”realizimeve” të planifikimeve hapësinore, të planeve urbanistike të qyteteve të Kosovës kishin për qëllim zhdukjen e komplekseve urbane-arkitekturale, të ekzemplarëve të veçantë të objekteve të vjetra qytetare të banimit etj., që ishin të valorizuara dhe kishin vlera me rëndësi historike, artistike, arkitekturale e mjedisore, kishin për synim zhdukjen e gjurmëve autoktone të lokaliteteve arkeologjike, veçmas të gjurmëve të kulturës ilire – arbërore – shqiptare. Kjo u pa sheshazi nga ajo që ndodhi pas luftimeve të para në Kosovë në vitet 1998 e deri më 12 qershor 1999.

Në qershor të vitit 1998 u plaçkit, u dogj dhe u granatua nga “Podi i Gështenjave” – kompleksi i kullave të vjetra në Deçan. U rrënuan pothuajse të gjitha kullat e ndërtuara në shek. XVIII e XIX. Rrënimet e vitit 1998 ishin vetëm një uverturë për shkatërrime të përmasave shfarosëse që morën hov veçmas nga marsi deri më 12 qershor të vitit 1999, kur u plaçkitën, u dogjën dhe u rrënuan në tërësi një numër i madh i trashëgimisë etnokulturore e historike shqiptare si: Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kompleksi i Lidhjes së Pejës, Kompleksi i Kullave të Familjes Jashari, Komplekset e çarshive të vjetra në Pejë, Gjakovë e Vushtrri, Xhamitë klasike monumentale, mesxhidet, tyrbet, varrezat me nishanet dhe kaliografitë e tyre, teqetë, medresetë, hamamet, urat e vjetra, konaqet, arkitektura tradicionale e banesave të vjetra, pra të gjitha tipet dhe variantet e arkitekturës së periudhës të sundimit osman.

Fat të njëjtë patën edhe komplekset ruralo-arkitekturale të komplekseve dhe të atyre të veçuara si në Nivokaz, Junik, Batushë, Prejlep, Smolicë, Srellc, Raushiq, Vranoc, Vrellë, Istog, Dobroshec e shumë e shumë kulla në fshatra të tjera që u përkisnin shek. XVIII-XIX. Edhe disa kulla qytetare në Pejë pësuan rrënime barbare. Nga monumentet kanë ngelur vetëm muret bartëse që konstruktivisht nuk janë të qëndrueshme. Duhet theksuar, po ashtu se me monumente u dogjën edhe pjesët dekorative-funksionale si tavanët, dollapët, raftet, dyert si dhe lëndët e tjera etnologjike, armët e vjetra, jastëkët, enët e ndryshme, veshjet tradicionale kombëtare si të meshkujve ashtu edhe të femrave shqiptare, etj.

Pos djegieve dhe rrënimeve, administrata e dhunshme serbe plaçkiti edhe e tërë dokumentacionin dhe dosjet nga arkivi i Entit Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës (tani Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Prishtinë). Rëndësitë dhe vlerat që i kishin këto monumente dhe kjo trashëgimi etnokulturore ndikuan që ato të ishin në shënjestër të okupatorit. Shkatërrimet ishin të planifikuara dhe të koordinuara mes institucioneve të mbrojtjes së monumenteve dhe forcave paramilitare, policore e ushtarake serbe, nga politika dhe shteti i Serbisë.

Këto sjellje barbare janë veprime anticivilizuese ndaj monumenteve kulturo-historike shqiptare. Veprimet e tilla kishin për qëllim zhbërjen e kulturës dhe të identitetit shqiptar. Këtë barbarizëm nuk duhet kuptuar si ruralo-urbicid vetëm ndaj trashëgimisë, kulturës dhe identitetit shqiptar, por edhe si pjesë të një krimi ndaj një trashëgimie të rëndësishme dhe me vlerë edhe për thesarin botëror.

Po ashtu, këtu do të ndalemi edhe te djegia, tentim djegia dhe demolimi i disa objekteve të trashëgimisë ortodokse serbe në marsin e vitit 2004. Mendojmë se si shkas ishin disa ngjarje që e tronditën Kosovën. Pas vrasjes mizore të tre fëmijëve në fshatin Çabër të Mitrovicës, të mbytur në lumin Ibër më 16 mars 2004 dhe të djegies së xhamive në Beograd e Nish më 17 mars 2004, në shenjë të pakënaqësisë dhe revoltës, në Kosovë shpërthyen trazirat. Gjatë këtyre trazirave individë të panjohur e shfrytëzuan rastin dhe i dogjën disa kisha dhe shtëpi. Me këtë rast u dogjën pesë kisha prej gjithsejtë 17 objekteve fetare ortodokse si dhe një numër i shtëpive në Nënkalanë e Prizrenit. Kjo ndodhi më 17 e 18 mars të vitit 2004. Kishat e djegura kryesisht ishin të ndërtuara dhe të adaptuara gjatë periudhës mes dy luftërave botërore si dhe të asaj të pas Luftës së Dytë Botërore. Në kisha të tjera kishte demolim dhe tentim të djegieve.

Më këtë rast duhet zënë n’gojë dhe duhet theksuar se gjatë trazirave të marsit të vitit 2004, nuk kishte asnjë djegie të kishave të karakterit monumental, të stilit bizantino-kosovar.

Është me interes të veçantë, dhe duhet theksuar se gjatë luftës çlirimtare në zonat e kontrolluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk u dogj dhe nuk dëmtua asnjë objekt fetar ortodoks në territorin e Kosovës.

Sot, si pasojë e këtyre shkatërrimeve një numër i madh i tyre nuk ekzistojnë. Një shkatërrim i përmasave të këtilla ndaj trashëgimisë nuk duhet të harrohet por, përherë të përkujtohen. Forcat ushtarake serbe-malaziase, policia dhe paramilitarët i dogjën 218 xhami, 6 teqe, 2 tyrbe, 4 medrese, 4 mejtepe, 1300 dyqane në Çarshinë e Vjetër të Pejës, Gjakovës dhe të Vushtrrisë, 685 kulla, 33 shtëpi të arkitekturës banesore tradicionale, 2 hamame, 1 urë, 560 metra kub piktura murale, 8 kisha katolike e shumë ndërtime të tjera me vlera të trashëgimisë historike – kulturore e fetare.

Në fund, mund të themi se urojmë që këto shkatërrime të përmasave shfarosëse (si me rastin e viteve 1998-1999) kurrë dhe askund të mos ndodhin sepse me këso veprimesh vandale nuk rrënohet vetëm trashëgimia dhe arti i një rajoni dhe i një populli, por një pjesë e krijimtarisë shekullore të trashëgimisë botërore.

(Autori i shkrimit është këshilltar shkencor në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Prishtinë)

  • Pejë, Kulla e Haxhi Zekës para dhe pas shkatërrimit nga forcat serbe

Në trend

Më shumë
U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

Magazina
Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Botë
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Magazina
Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Magazina
Ka pasuri prej 350 milionë dollarësh, Will Smith: Në moshën 50 vjeçare, kuptova që paratë nuk mund të të bëjnë të lumtur

Ka pasuri prej 350 milionë dollarësh, Will Smith: Në moshën 50 vjeçare, kuptova që paratë nuk mund të të bëjnë të lumtur

Magazina
Kalo në kategori