LAJMI I FUNDIT:

Shfuqizohet marrëveshja e MPB-së dhe Postës

Shfuqizohet marrëveshja e MPB-së dhe Postës

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka marrë vendim për shfuqizimin e marrëveshjeve në mes Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe komunave të Kosovës me Postën e Kosovës për instalimin e sporteleve të saja për ofrim të shërbimit të pagesave.

Sipas njoftimit të Autoritetit, pas shumë ankesave dhe shqetësimeve nga Institucionet Financiare Jo Bankare, Autoriteti me detyrë zyrtare ka filluar shqyrtimin paraprak të hetimit, me që rast është konstatuar se ka ç’rregullim dhe kufizim të konkurrencës në treg.

”MPB dhe Komunat e ndryshme kanë lidhur Marrëveshje Bashkëpunimi me Postën e Kosovës për ofrimin e shërbimit të pagesave, duke i ofruar hapësira publike për ofrimin e këtyre shërbimeve. Për pasojë me këto veprime institucionet e lartpërmendura, pa mekanizma të përcaktuar ligjor, kanë instaluar sportelet e Postës së Kosovës dhe operator tjerë ekonomik pa procedura konkurruese në objekte publike duke i favorizuar ato. Komisioni ka vlerësuar dhe konstatuar se këto Marrëveshje/Kontrata janë lidhur në kundërshtim me nenin 4 (Marrëveshjet e ndaluara), paragrafi 1.4 i Ligjit Nr. 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në komunikatën e AKK-së.

AKK ka rekomanduar autoritetet publike shtetërore, qendrore dhe lokale, që të ofrojnë kushte të barabarta për transaksione të njëjta me të gjithë operatorët tjerë ekonomik, IFJB-të në tregun relevant, duke i vendosur ato në gjendje konkurruese ndërmjet tyre, përmes mekanizmave ligjor, në respektim të ekonomisë së tregut të lirë, me konkurrencë lojale, të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. /Telegrafi/