LAJMI I FUNDIT:

SHBA, vritet snajperi “i pagabueshëm” (Video)

SHBA, vritet snajperi “i pagabueshëm” (Video)

Chris Kyle, “snajperi i pagabueshëm” i forcave speciale të ushtrisë amerikane dhe autor i bestsellerit “American Sniper”, është vrarë në Teksas bashkë me një person tjetër në një poligon qitjeje.

Ish-qitësi i dalluar i ushtrisë amerikane, 38 vjeç, i njohur si “legjenda” për shokët e luftës dhe “Djalli i Ramadit” për armiqtë e tij, kishte deklaruar në autobiografinë e tij se kishte vrarë mbi 250 guerilë në Irak.

Për momentin nuk dihen motivet e vrasjes, ndërsa sipas mediave amerikane autori i saj është një ish-marins, që është arrestuar tashmë nga policia.


Skena e krimit, sipas “Dallas Morning News”, është poligoni i qitjes në Raf Krik Loxh, në shtetin e Teksasit. Sherifi i kontesë së Erathit ka konfirmuar se për vrasjen e dyfishtë është arrestuar 25-vjeçari Eddie Routh, në një distancë prej 110 kilometrash nga skena e krimit.

Mesa duket, ushtari i ri vuan nga stresi post-traumatik. Viktima e dytë është identifikuar si Chad Littlefield, 35 vjeç. Agjentët po vazhdojnë hetimet për të zbardhur skenarin e vrasjes, transmeton TCH.

Chris Kyle kishte hyrë në marinën amerikane në vitin 1999 dhe shumë shpejt ishte bërë pjesë e njësisë elitare Navy Seal, duke fituar famën e një snajperi të pagabueshëm.

Në librin e tij, Kyle tregon për luftën në Irak, për viktimën e tij të parë që kishte qenë një grua dhe një tjetër që kishte qenë një iraken i pajisur me raketahedhëse.

Ai thotë se periudha e luftës kishte qenë pjesa më e bukur e jetës së tij, duke shkaktuar shumë polemika dhe duke bërë që disa ta konsideronin një kriminel dhe të tjerë një hero. /Telegrafi/