LAJMI I FUNDIT:

SHBA: Do ta mbështesim Kosovën

SHBA: Do ta mbështesim Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

Në takimin e parë të këtij viti me ambasadoren Jacobson, ministri Hoxhaj e ka informuar për progresin në Kosovë, për avancimin e procesit të njohjeve, të anëtarësimit në organizatat rajonale, evropiane e ndërkombëtare, si dhe për prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës për vitin 2013.

Ministri Hoxhaj ka falënderuar popullin dhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e dhënë për Kosovën, në të gjitha proceset e deritashme.

Hoxhaj po ashtu ka vlerësuar rëndësinë e madhe që ka për Republikën e Kosovës përkrahja e fuqishme e SHBA-ve në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke siguruar ministrin Hoxhaj për vazhdimin e mbështetjes së SHBA-ve në vitin që kemi hyrë.

Ministri Hoxhaj dhe ambasadorja Jacobson kanë biseduar edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast Jacobson ka shprehur përkrahjen e SHBA-ve për Kosovën, në këtë proces.

Hoxhaj dhe Jacobson kanë diskutuar edhe për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral ndërmjet SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës.

Ministri Hoxhaj dhe ambasadorja Jacobson kanë biseduar edhe për vazhdimin e përkrahjes së SHBA-ve në rritjen e mëtutjeshme të numrit të njohjeve të Kosovës dhe për zgjerimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve në fushën e arsimit, ekonomisë, agrobiznesit, binjakëzimit të komunave dhe në shumë fusha të tjera. /Telegrafi/