LAJMI I FUNDIT:

Serbia, ky shtet policor!

Serbia, ky shtet policor!

Me një dekret të Qeverisë së Serbisë, krahas Policisë së rregullt është formuar edhe “Policia ndihmëse”, një formacion shtesë policor i cili vepron në terren me armatim të lehtë, uniformë dhe legjitimacion, pa përjashtuar mundësinë që ndonjëherë të operojë edhe me rroba civile.

“Rregullorja, e cila ka hyrë në fuqi për formimin e policisë ndihmëse, është në frymën e Ligjit për Policinë, ngase gjendja e sigurisë së brendshme është asisoj, që kërkon përfshirjen e një numri të madh të njerëzve, për shkak të rreziqeve të sigurisë të lartë, fatkeqësive natyrore, ose sigurimin e kufirit. Edhe me Ligjin e vjetër për Policinë, në vitin 2005, ishte paraparë mundësia për të formuar policinë ndihmëse, por që nuk ndodhi në praktikë”, ka thënë Sasha Gjorgjeviq, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.


Në Policinë ndihmëse, sipas Dekretit të paraparë me Ligjin për Policinë, do të përfshihen kryesisht individë të cilët nuk kanë të krijuar marrëdhënien pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës Serbisë.

Rregullorja e re, në bazë të konkursit publik, zgjedh komisionin ndihmës të Policisë të emëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme, në bazë të konkursit publik. Për disa qytetarë, të cilët do të angazhohen në Policinë ndihmëse, mjafton të jenë të papunë dhe jo më të vjetër se 18 vjeç dhe të kenë të paktën arsimin e mesëm. Megjithatë, ministri mund të angazhojë persona në Policinë ndihmëse edhe pa konkurs publik – kuptohet personat që kanë mbaruar trajnimin policor, shkollimin e mesëm të Ministrisë së Brendshme, Akademinë e policisë etj.

Ky lloj formacioni i forcave të sigurisë dhe rendit thuhet se është marrë si model nga shtetet e Bashkimit Evropianë.

Vlen të theksohet se në forcat e kombinuara serbe bëjnë pjesë, përveç Ushtrisë, Xhandarmërisë, Policisë, tashmë edhe një formacion i ri, policia ndihmëse, e kush e di sa e sa shërbime e agjentura të tjera veprojnë në këtë shtet multietnik e multipolicor?!