LAJMI I FUNDIT:

Serbi nga veriu, që nuk e pengon ushtria e Kosovës

Serbi nga veriu, që nuk e pengon ushtria e Kosovës

Përveç ndryshimit të mandatit dhe transformimit të FSK-së në një forcë mbrojtëse të Kosovës, gjithashtu kërkohet që kjo forcë të operojë në tërë vendin. Një gjë të tillë e kundërshtojnë me ngulm përfaqësuesit politikë të serbëve, por ka serbë në veri të Kosovës që nuk i pengon  ushtria e Kosovës.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Leposaviqit, Xhemshit Bekteshi, shpreh qëndrimin që ushtria e Kosovës të operojë në secilin cep të Kosovës.


Ai  ka thënë se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri së Kosovës nuk u bën dëm serbëve, përkundrazi shkon edhe në favorin e tyre. Kjo aq më parë kur pjesë e Ushtrisë së Kosovës janë edhe serbët dhe komunitetet tjera joshumicë.

“Në dokumente të të gjithëve na shkruan se jemi kosovarë, si shqiptarëve, si serbëve, si boshnjakëve, si romëve, si ashkalinjve dhe komuniteteve tjera. Do të thotë se me Kushtetutë të gjithë jemi kosovarë, andaj edhe ushtrinë e kemi të Kosovës. Me Kushtetutë dhe ligje ajo ka mandat t’i bie vizavi Kosovës, prej Vermice e në Jarinje”, thotë Bekteshi, transmeton Zëri.info.

Ndërkaq, një serb i veriut të Mitrovicës, Serxhan Miladinoviq, thotë se nuk është asgjë kundër që FSK-ja të bëhet ushtri.

“Për mua është krejt e njejtë, si FSK si FAK, krejt njejtë është. Ka njerëz që po i frikohen kësaj, disa janë edhe të frustruar dhe këmbëngulin që asnjë forcë mbrojtëse mos ta kalojë Ibrin dhe të dalë në pjesën veriore. Të tillët janë edhe kundër pranisë së forcave speciale ROSU të Policisë së Kosovës në pjesën veriore. Ta them të drejtën jemi lodhur”, ka thënë Miladinoviq, i cili kishte dalë nga pjesa veriore në ETC në jug të Ibrit për t’u furnizuar me artikuj jetësorë.

Shefqet Hajrizi, ekonomist, thotë se nëse nuk ka kompetenca për t’i zbatuar detyrat me Kushtetutë edhe në pjesësn veriore të vendit, më mirë të mos formohet fare ushtria.

“Duhet ta kenë të qartë të gjithë, se pa veri nuk mund të ketë ushtri. Vendi duhet të mbrohet me ushtri, kjo është në të gjitha shtetet e botës që janë të pavarura dhe sovrane. Sovraniteti i vendit ruhet dhe mbrohet me ushtri”, thotë ai.