LAJMI I FUNDIT:

Samsung Galaxy S4 me teknologji të avancuar si Eye Scroll dhe Eye Pause?

Samsung Galaxy S4 me teknologji të avancuar si Eye Scroll dhe Eye Pause?

Deri më sot është folur jashtëzakonisht shumë për modelin e ri të telefonit të Samsung, Galaxy S4, ndërsa tani janë zbuluar edhe disa tipare të reja të telefonit të cilat nënkuptojnë se ky model do të vijë me teknologji të cilat nuk gjenden në asnjë model tjetër.

Së fundmi, Samsung ka dorëzuar edhe dy patenta të reja në Evropë, dhe që të dyja hyjnë në domenin e aplikacioneve softuerike për telefonat e mençur, tabletët dhe kompjuterët. Më saktësisht bëhet fjalë për teknologjinë e quajtur Eye Scroll (rrëshqitje, komandë me sy) dhe Eye Pause (pauzimi përmes syrit).

Në kërkesën për patenta të cilat Samsung i ka dorëzuar në Bashkimin Evropian nuk specifikohet mënyra apo forma e përdorimit të tyre.


Megjithatë, spekulimet e fundit thonë se Samsung do t’i përdor këto teknologji të reja në Samsung Galaxy S4. Për shembull, Eye Pause do t’i mundësojë përdoruesit që gjatë shikimit të një video të largojë sytë nga ekrani dhe me siguri se video do të ndërpritet derisa ai t’i kthejë sytë prapë nga ekrani.

Ndërsa me Eye Scroll përdoruesit do të mund të shfletojnë online dhe të rrëshqasin me sy lartë e poshtë nëpër shfletues, apo të kalojnë në faqen tjetër.

Natyrisht, të dyja këto teknologji të reja ende pritet të konfirmohen nga Samsung mirëpo ajo që dihet tashmë është se Samsung do të zbulojë një model të avancuar të telefonit të mençur, me të cilin me siguri se do të arrijë rekorde të reja të shitjes. / Telegrafi /