LAJMI I FUNDIT:

Samiti i G7-shës përfundon pa marrëveshje për klimën

Samiti i G7-shës përfundon pa marrëveshje për klimën

Liderët e grupit G7 nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për një deklaratë të përbashkët mbi ndryshimet klimaterike.

Gjashtë liderë botërorë riafirmuan angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes së Parisit, e para marrëveshje gjithëpërfshirëse në botë që synon reduktimin e emetimit të gazrave që shkaktojnë efektin serë. Por, SHBA ka refuzuar të riangazhohet ndaj marrëveshjes duke thënë se do të marrë një vendim javën e ardhshme.


Ajo për të cilën liderët e SHBA-së, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë ranë dakord, ishte një deklaratë për luftën ndaj terrorizmit. Për kancelaren gjermane, Angela Merkel, diskutimet mbi klimën kanë qenë shumë zhgënjyese.

“Ne kishim një situatë ku ishin gjashtë kundër një. Deri më tani nuk kemi informacione nëse SHBA do të qëndrojë në marrëveshjen e Parisit apo jo. Sidoqoftë ne nuk tërhiqemi dhe gjashtë shtetet e tjera anëtare të G7-ës plus BE vazhdojnë të mbështesin objektivat”, u shpreh Merkel.

Presidenti amerikan, në një postim në “Twitter” shkruante: “Unë do të marr një vendimin përfundimtar për marrëveshjen e Parisit, javën e ardhshme”.

Për sa i takon tregtisë së lirë, G7 ka qenë kampione e saj që nga krijimi. Në samitin e vitit të shkuar në Japoni, liderët nënvizuan nevojën e evitimit të proteksionizmit. Por, kjo ndodhi para zgjedhjes së Donald Trump president nën sloganin, “Amerika e para”. Trump ndërkohë nuk është kursyer në kritika kundër Gjermanisë dhe eksporteve të makinave të saj në SHBA.

Sidoqoftë, të gjithë liderët e G7-s ranë dakord të mbështesin komunikatën finale ku premtohej se do të luftohej proteksionizmi pavarësisht se pranohej se tregtia jo gjithnjë ka funksionuar në të mirë të të gjithëve./ Top Channel/